Ata ishin 6 - Ballkani Perëndimor pas anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE

Ata ishin 6 - Ballkani Perëndimor pas anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE

Ballkani Perëndimor, Western Balkans 6 – WB6, ka qenë një togfjalësh kontroversial që zëvendësoi terma të tjerë si “Europa Juglindore”, dhe që u kthye gradualisht, por me sukses, në termin e preferuar të Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare në komunikimin dhe marrëdhëniet e tyre me rajonin tonë. Ky ndryshim terminologjik nuk ishte thjesht semantik. Ai shënoi një ripozicionim politik dhe strategjik të rajonit, duke e përkufizuar Ballkanin Perëndimor si një hapësirë të veçantë politike, tranzitore dhe ende “jashtë”, por në raport të drejtpërdrejtë me projektin europian. Në këtë kuptim, WB6 nuk ishte vetëm një përshkrim gjeografik, por një konstrukt politik që synonte të krijonte një kornizë të përbashkët veprimi, pritshmërish dhe kushtëzimesh.


Karakteristika e parë dhe e pakontestueshme e këtij konfigurimi ishte përbërja e tij nga gjashtë vende, asnjëra prej të cilave nuk ishte pjesë e Bashkimit Europian. Brenda këtij grupi, Shqipëria përbënte një përjashtim të rëndësishëm historik dhe politik, pasi ishte e vetmja që nuk kishte lidhje me të kaluarën e Jugosllavisë dhe që nuk kishte përjetuar konfliktin e dhimbshëm ndëretnik të viteve ’90. Megjithatë, pavarësisht dallimeve historike, politike dhe shoqërore, këto gjashtë vende u trajtuan si një bllok relativisht homogjen nga Brukseli, nën logjikën e stabilizim-asociimit dhe të menaxhimit rajonal të sfidave.

Edhe pse Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, ajo ka marrë pjesë në një numër të madh mekanizmash, konferencash dhe marrëveshjesh rajonale kur ato kanë qenë nën siglën e WB6. Kjo tregon se vetë ky format ka shërbyer si një hapësirë funksionale kompromisi, ku çështjet e statusit janë lënë shpesh në plan të dytë përballë nevojës për bashkëpunim praktik. Në këtë kuadër, WB6 ka vepruar si një lloj “ombrelle politike”, që ka lehtësuar dialogun rajonal edhe në rrethana të vështira.


Megjithatë, me përparimin dinamik të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi dhe Shqipërisë, dhe me stanjacionin pothuajse të plotë të katër vendeve të tjera, të paktën deri tani, lind pyetja e pashmangshme se çfarë ndodh me këtë konfiguracion: WB6. Nëse skenarët optimistë të suksesit rreth vitit 2030 për Shqipërinë dhe Malin e Zi materializohen, është e mundur që pas këtij momenti të flasim për këto dy vende si ish-pjesë e një grupimi që dikur ishte gjashtë. Vetë nocioni i “Ballkanit Perëndimor” do të hyjë në një fazë rishikimi, jo vetëm konceptual, por edhe praktik.


Në fakt, rruga drejt anëtarësimit për këto dy vende mbetet e gjatë dhe e ndërlikuar. Asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë, as suksesi dhe as dështimi. Shumëkush, me njëfarë të drejte, mund ta quajë këtë përsiatje një “mendim luksi” ose një “problem imagjinar”, sidomos në një kontekst ku zgjerimi i BE-së ka qenë i ngadaltë dhe shpesh i bllokuar politikisht. Megjithatë, pikërisht sepse dështimi nuk mund të merret si i sigurt, dhe sepse përparimi teknik i Shqipërisë dhe Malit të Zi është real dhe i matshëm, ushtrimi i ndërtimit të skenarëve mbetet i dobishëm. Ai nuk është vetëm akademik, por një mjet reflektimi për politikëbërësit dhe institucionet që duhet të përgatiten për ndryshim.


Në aspektin e sigurisë konvencionale, integrimi i këtyre dy vendeve në BE do të sillte një ndryshim të natyrës së kufijve në rajon dhe do të krijonte një realitet të ri praktikash në menaxhimin e sigurisë. Disa kufij do të humbnin funksionin e tyre tradicional pa ndonjë problem të veçantë. Kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, të Malit të Zi me Shqipërinë dhe me Kroacinë do të shkriheshin në hapësirën e përbashkët të BE-së, duke u kthyer në kufij administrativë të brendshëm. Por kufiri “i butë” midis Shqipërisë dhe Kosovës do të përjetonte një transformim të shpejtë dhe kompleks, duke krijuar një situatë të re asimetrike mes dy hapësirave shqiptare.


Po ashtu, një kufi i ri funksional do të ekzistonte midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, tashmë si kufi midis një vendi anëtar dhe një vendi kandidat. Kjo do të kërkonte mekanizma të rinj koordinimi, sidomos në fushat e lëvizjes së lirë, tregtisë dhe sigurisë kufitare. Në këtë kuptim, kufijtë fizikë do të mbeteshin vetëm një element i dukshëm i një transformimi shumë më të thellë institucional dhe politik.

Por kufijtë fizikë nuk janë i vetmi aspekt i marrëdhënieve brenda rajonit WB6, i cili do të duhet të riemërtohet, ndoshta si WB4 ose thjesht WB. Emërtimi me siguri do të sjelle një debat të ri plot simbolika dhe tensione qe do të shënojnë këtë fragmentim në një rajon të tejngopur me mite shumëngjyrëshe.

Bashkëpunimi rajonal do te ndryshojë tërësisht nga ana institucionale. Një këndvështrim i ri do të ishte i domosdoshëm, si dhe një përgatitje madhore për ndryshim nga ana e politikëbërësve që koordinojnë mekanizmat dhe platformat rajonale. Kjo nënkupton jo vetëm rishikim të dokumenteve themeluese, por edhe një riformatim të filozofisë së bashkëpunimit.


Aktualisht, të gjitha platformat dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal janë ndërtuar, qoftë ligjërisht, qoftë praktikisht, mbi përbërjen e tyre me gjashtë vende jo-anëtare të BE-së. Anëtarësimi i dy prej tyre, madje edhe periudha para anëtarësimit pas mbylljes së negociatave, do të krijojë pikëpyetje serioze institucionale. Do të duhet të rishikohen rregullat e financimit, kuotat e punësimit, statusi i stafit, si dhe mënyra e përfshirjes së palëve të treta në projekte dhe programe.


Një dilemë konkrete lidhet edhe me selitë e disa prej këtyre platformave, të cilat ndodhen në kryeqytetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në Tiranë janë të vendosura zyrat qëndore të dy platformave të tilla: Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) si dhe Zyra rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO). Pyetja nëse ato duhet të zhvendosen apo të mbeten aty do të jetë pjesë e debatit të ardhshëm. Ka argumente të forta që ato të vazhdojnë të qëndrojnë, si shenjë e angazhimit të qëndrueshëm të këtyre vendeve ndaj bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, kërkesa për riekuilibrim gjeografik nga vendet e tjera nuk mund të përjashtohet.

Një tjetër fushë që kërkon vëmendje është kontributi financiar. Shqipëria dhe Mali i Zi aktualisht kontribuojnë si vende përfituese neto nga fondet e BE-së për rajonin. Si vende anëtare, profili i tyre financiar do të ndryshojë rrënjësisht, duke ndikuar edhe në mbështetjen që u jepet shoqërisë civile, arsimit, kulturës, sportit dhe mjedisit në nivel rajonal. Do të duhet të mendohet nëse dhe si këto forma mbështetjeje mund të vijojnë.

E njëjta sfidë e pret edhe Procesin e Berlinit, një mega-platformë marrëveshjesh, projektesh dhe samitesh. Brenda këtij procesi, dy nga gjashtë vendet do të kalojnë në anën e partnerëve të BE-së. Edhe pse detyrimet e tyre të mëparshme do të mbeten, dinamika e ndërveprimit do të ndryshojë ndjeshëm, duke kërkuar një ridimensionim të rolit të tyre.


Shembujt nga e kaluara dhe nga proceset e mëparshme të zgjerimit, si zgjerimi i ashtuquajtur “Big Bang”, ne 2004 kur Bashkimi Europian u zgjerua me dhjetë anëtarë të rinj, kryesisht nga Europa Qendrore, apo edhe anëtarësimi i mëvonshëm dhe i përbashkët i Bullgarisë dhe Rumanisë ne 2007, nuk ofrojnë ndihmë konkrete për të konceptuar një model të ri ndërveprimi dhe bashkëpunimi në rrethana të ndryshme nga ato të sotmet.


Rajone si vendet e Grupit të Vishegradit (Vishegrad 4 – Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia) apo vendet baltike (Estonia, Lituania dhe Letonia) patën fatin që të avancojnë së bashku si në procesin e integrimit europian, ashtu edhe në momentin e anëtarësimit. Grupi i Vishegradit u formua në vitin 1991 dhe ka arritur të funksionojë si një mekanizëm koordinimi politik dhe strategjik efikas. Nje shembull i veçantë eshte dhe krijimit të Fondit të Vishegradit, i cili shërbeu si një instrument mbështetës për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin institucional. Ky fond shërbeu si shembull për themelimin dhe zhvillimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Një model i ngjashëm u ndoq edhe nga vendet baltike, të cilat ruajtën një kohezion të konsiderueshëm politik dhe strategjik gjatë gjithë rrugëtimit drejt Bashkimit Europian.


Harmonia dhe funksionimi i këtyre grupimeve u transferuan në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe brenda Bashkimit Europian në momentin e anëtarësimit. Edhe pse tensionet e brendshme nuk munguan, veçanërisht në rastin e Vishegrad 4, këto rajone arritën të ruanin një peshë relative më të madhe politike sesa po të vepronin si shtete individuale. Ato nuk u përballën me një skenar ku një pjesë e rajonit apo një vend i vetëm të mbetej jashtë BE-së, duke krijuar nevojën për rikonceptim të marrëdhënieve rajonale.


Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor paraqitet si një eksperiment krejt i veçantë në planin gjeopolitik, ekonomik dhe shoqëror, ku perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e konceptuar në Samitin e Selanikut si një ‘ofertë në grup’, pritet të zbatohet, të paktën për një periudhë kalimtare,  në mënyrë selektive. Mbijetesa e bashkëpunimit rajonal përballë kësaj ndarjeje do të përbëjë një pikëpyetje thelbësore per një investim të madh diplomatik, financiar dhe simbolik të Perëndimit në arkitekturën politike të Europës pas Luftës së Ftohtë.

Shqipëria dhe Mali i Zi do të vijojnë të mbeten gjeografikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht pjesë thelbësore e Ballkanit Perëndimor edhe pasi flamurët e tyre të valëviten në oborrin e Komisionit Europian në Bruksel. Procesi i pajtimit dhe integrimit rajonal do të mbetet një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin dhe prosperitetin e tyre. Përballë kësaj sfide rikonceptimi dhe përshtatjeje, sado hipotetike të duket sot, rajoni dhe secili vend duhet t’i qasen me kujdes, plane të mirëmenduara dhe fleksibilitet, në mënyrë që arritjet e deritanishme të mos mbeten në mëshirë të rastësisë.


Alba Çela, mars 2026

*Alba Cela është Drejtore e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) dhe anëtare e WB Strategy Group, një grup ekspertësh që avokojnë për integrimin e vendeve të rajonit mbështetur nga HBS.


*Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë tërësisht personale.  

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk