Zgjerimi i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor: kostot dhe përfitimet politiko-ekonomike në dritën e teorive të integrimit europian

Zgjerimi i Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor: kostot dhe përfitimet politiko-ekonomike në dritën e teorive të integrimit europian

Debati mbi zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor ka qenë për më shumë se një dekadë, i shoqëruar nga një skepticizëm i theksuar politik, si dhe nga shqetësime të vazhdueshme të natyrës financiare. Procesi i zgjerimit ka një ndikim sistematik në mënyrën e organizimit të shtetit kandidat, duke prekur drejtpërdrejt funksionimin e ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Në këtë kontekst, zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor shpesh portretizohet si një proces kompleks, i kushtueshëm dhe potencialisht destabilizues për vetë Unionin (European Union Institute for Security Studies, 2025).

Kjo narrativë ka gjetur terren të favorshëm, veçanërisht në dritën e krizave të brendshme të Bashkimit Europian, të cilat me ose pa qëllim, e kanë zhvendosur fokusin politik nga zgjerimi drejt nevojës për konsolidim dhe reformim të brendshëm të Unionit. Megjithatë, zhvillimet e fundit ndërkombëtare përfshirë luftën në Ukrainë, rritjen e tensioneve gjeopolitike globale dhe konkurrencën e aktorëve të tretë në rajon e kanë rikthyer zgjerimin në qendër të vëmendjes, jo më thjesht si një proces teknik, por si një instrument politik dhe strategjik me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin europian (European Commission, 2025).

Në këtë kuadër, në vitin 2026 Bashkimi Europian e gjen veten duke riafirmuar në arenën ndërkombëtare angazhimin ndaj parimeve të demokracisë liberale, sundimit të ligjit dhe ekonomisë së tregut, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me nevojën për të zbatuar reforma të thella institucionale dhe për të përmbushur obligimet që rrjedhin prej procesit të anëtarësimit. Paralelisht, këto vende vazhdojnë të përballen me perceptimin e të qenit simbol i “lodhjes nga zgjerimi” të Bashkimit Europian, një fenomen që ndikon jo vetëm në motivimin e brendshëm reformues, por edhe në perceptimin e tyre në planin ndërkombëtar.


Korniza teorike 

Teoritë klasike të integrimit evropian argumentojnë se zgjerimi i Bashkimit Europian nuk përbën një devijim nga procesi i integrimit, por një komponent të natyrshëm të dinamikës së tij zhvëllimore. Sipas qasjes neo-funksionaliste, integrimi në një sektor krijon presione strukturore për integrimin në sektorë të tjerë, duke e shtyrë procesin përpara në mënyrë graduale. Ky mekanizëm, i njohur si spillover effect, intensifikohet veçanërisht në kushtet e rritjes së ndërvarësisë ekonomike dhe institucionale ndërmjet aktorëve (Bulmer & Lequesne, 2005).

Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor është tashmë i lidhur ngushtë me Bashkimin Europian përmes tregtisë, investimeve, bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe instrumenteve të para-anëtarësimit (OECD, 2025). Nga kjo perspektivë, mungesa e anëtarësimit de facto krijon një hendek institucional që rrit kostot e koordinimit, mbikëqyrjes dhe menaxhimit politik, jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për vetë BE-në.

Një qasje plotësuese, e bazuar në teorinë e europianizimit, e koncepton zgjerimin si një proces transformimi institucional dhe normativ dhe jo thjesht si zgjerim territorial. Përmes mekanizmave të kushtëzimit dhe përafrimit me acquis communautaire, Bashkimi Europian shfaqet si një aktor “eksportues” i rregullave, normave dhe standardeve, duke e ndërtuar rolin e tij ndërkombëtar mbi fuqinë e butë që buron nga promovimi i vlerave demokratike, sundimi i ligjit dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare (Bulmer & Lequesne, 2005).

Vonesa e zgjatur e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor minon kredibilitetin e BE-së si aktor normativ dhe dobëson efektivitetin e mekanizmave të saj të ndikimit. Nëse premtimi i zgjerimit perceptohet si i paqëndrueshëm ose i kushtëzuar politikisht, fuqia e butë e BE-së dobësohet dhe aftësia e saj për të “eksportuar” rregulla dhe norma vendoset në pikëpyetje. Si pasojë, krijohet një mjedis më i favorshëm për përforcimin e diskurseve nacionaliste, populiste dhe demagogjike në rajon.


Dimensioni buxhetor

Shpesh artikulohet se rajoni i Ballkanit Perëndimor përbën “oborrin e brendshëm” të Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për një zonë me një popullsi relativisht të vogël, e cila është thellësisht e varur nga BE-ja: rreth 62% e tregtisë së jashtme të rajonit realizohet me Bashkimin Europian, 58% e investimeve të huaja direkte vijnë nga vendet anëtare dhe pjesa dërrmuese e ndihmës së jashtme për zhvillim sigurohet po ashtu nga BE-ja (World Bank, 2025). Këto shifra dëshmojnë qartë nivelin e lartë të ndërvarësisë ekonomike dhe strukturore që ekziston ndërmjet palëve.

Ballkani Perëndimor përbëhet nga gjashtë vende me rreth 18 milionë banorë, duke përfaqësuar më pak se 4% të popullsisë aktuale të Bashkimit Europian. Edhe në një skenar të anëtarësimit të plotë, ndikimi i këtij zgjerimi në kuadrin financiar shumëvjeçar të BE-së do të ishte proporcionalisht i kufizuar. Fondet e kohezionit dhe Politika e Përbashkët Bujqësore, të cilat shpesh përmenden si burimi kryesor i kostove buxhetore, mund të shpërndahen gradualisht, sikurse ka ndodhur në zgjerimet e mëparshme të Unionit (OECD, 2025).

Nga këndvështrimi i teorisë së zgjedhjes racionale institucionale, kostot nuk duhet të vlerësohen në mënyrë absolute, por gjithmonë në raport me alternativat ekzistuese (Bulmer & Lequesne, 2005). Zgjerimi i vitit 2004, i cili përfshiu dhjetë vende të reja anëtare dhe mbi 70 milionë banorë, pati një ndikim buxhetor dukshëm më të madh se ai që supozohet të ketë integrimi i Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ky zgjerim nuk çoi në destabilizim financiar të Bashkimit Europian, por përkundrazi kontribuoi në zgjerimin e tregut të brendshëm dhe në rritjen e përgjithshme ekonomike të Unionit (Wiener & Diez, 2009).

Një tjetër element qendror në debatin mbi koston e zgjerimit lidhet me fondet e BE-së, të cilat shpesh perceptohen si transferta njëkahëshe nga vendet kontribuese drejt vendeve ekonomikisht më të dobëta. Teoria e europianizimit e koncepton këtë mekanizëm si një proces qarkullues, në të cilin fondet shërbejnë si instrument për eksportimin e normave, rregullave dhe standardeve institucionale (Wiener & Diez, 2009). Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve rikthehet në ekonomitë e vendeve anëtare përmes kontratave publike, transferimit të teknologjisë dhe investimeve të realizuara nga kompani europiane. Në këtë kuptim, zgjerimi nuk përfaqëson thjesht një barrë fiskale apo një akt bujarie politike, por një investim strategjik me kthime ekonomike dhe politike afatmesme.

Për më tepër, Ballkani Perëndimor është tashmë i integruar ekonomikisht me Bashkimin Europian: BE-ja është partneri kryesor tregtar i rajonit, investitori më i madh i huaj dhe burimi kryesor i remitancave. Anëtarësimi formal do të institucionalizonte një realitet ekzistues, duke reduktuar, nga njëra anë, kostot transaksionale dhe, nga ana tjetër, pasiguritë politike dhe ekonomike që shoqërojnë marrëdhëniet aktuale asimetrike (OECD, 2025).


Migrimi dhe tregu i punës

Në fushën e migrimit dhe sigurimit të kufijve ekziston një agjendë e konsoliduar dhe e mbikqyrur nga Komisioni Europian dhe shtetet anëtare, duke reflektuar perceptimin e Ballkanit Perëndimor si “pika e dobët” e Bashkimit Europian në lidhje me prurjet e migrimit të parregullt. Ky perceptim ka ndikuar ndjeshëm në artikulimin e shqetësimeve politike mbi zgjerimin, veçanërisht në lidhje me ndikimin e tij potencial në tregjet e punës dhe në sistemet e mirëqenies sociale të vendeve anëtare.

Megjithatë, përvoja nga zgjerimet e mëparshme të BE-së tregon se lëvizjet migratore pas anëtarësimit kanë qenë kryesisht të përkohshme dhe të kushtëzuara nga diferencat ekonomike ndërmjet vendeve dhe jo nga vetë statusi formal i anëtarësimit. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, emigrimi në shkallë të gjerë ka ndodhur kryesisht para një perspektive reale të anëtarësimit, duke reflektuar mungesën e mundësive ekonomike dhe stabilitetit institucional në vendet e origjinës. Në afatmesëm, anëtarësimi ka potencialin të ngadalësojë këto flukse migratore përmes rritjes së investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit, forcimit të institucioneve dhe konvergjencës graduale ekonomike (World Bank, 2025).

Nga perspektiva e teorisë së të mirave publike, stabiliteti rajonal përfaqëson një të mirë kolektive që Bashkimi Europian synon ta prodhojë dhe ruajë. Mos-zgjerimi, në këtë kuptim, e dobëson kapacitetin e BE-së për të ndikuar në zhvillimet politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor, duke e lënë rajonin më të ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë, krizave dhe ndikimeve të aktorëve të jashtëm. Këto dinamika prodhojnë kosto indirekte për BE-në, veçanërisht në fusha si siguria, migrimi i parregullt dhe menaxhimi i krizave. Në këtë kontekst, zgjerimi mund të interpretohet si një politikë parandaluese, potencialisht më pak e kushtueshme në afatgjatë sesa ndërhyrjet reaktive në të ardhmen (European Union Institute for Security Studies, 2025).


Sfidat strategjike të zgjerimit

Përtej instrumenteve tradicionale të para-anëtarësimit, Komisioni Europian ka aktivizuar Planin e Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, duke e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë disbursimin e fondeve me përparimin në reformat socio-ekonomike dhe institucionale. Paralelisht, Instrumenti për Ndihmë Para-Anëtarësimi III disponon një zarf buxhetor prej mbi 14 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027 për të gjitha vendet kandidate, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor (European Commission, 2025).

Megjithatë, zgjerimi mbart edhe një realitet thelbësor: burimet financiare nuk janë të mjaftueshme në vetvete nëse shtetet kandidate nuk disponojnë kapacitetin institucional për t’i përkthyer ato në transformim strukturor (Wiener & Diez, 2009). Për këtë arsye, anëtarësimi nuk duhet parë si një zgjidhje e lehtë apo si një garanci për prosperitet automatik. Shfrytëzimi efektiv i fondeve strukturore kërkon administratë funksionale, projekte të konsoliduara, mekanizma të besueshëm kontrolli dhe mbi të gjitha vullnet politik për reforma të qëndrueshme .

Perspektiva e Malit të Zi dhe e Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian në një afat relativisht të shkurtër kohor po riformëson ekuilibrat politike në Ballkanin Perëndimor. Debati mbi zgjerimin nuk lidhet më vetëm me progresin apo vonesat e vendeve individuale, por gjithnjë e më shumë me ndikimin që vetë procesi i zgjerimit ushtron mbi kohezionin rajonal, bashkëpunimin ndër-shtetëror dhe dinamikat politike në rajon (European Union Institute for Security Studies, 2025).

Mundësia që disa shtete të avancojnë drejt anëtarësimit përpara të tjerave prodhon një efekt të dyfishtë. Nga njëra anë, ajo mund të veprojë si katalizator konkurrues, duke nxitur përshpejtimin e reformave dhe rritjen e presionit politik pozitiv në nivel rajonal. Nga ana tjetër, ajo mbart rrezikun e krijimit të vijave të reja ndarëse, duke thelluar diferencimin midis vendeve që ndodhen brenda dhe atyre që mbeten jashtë Bashkimit Europian.

Një sfidë me rëndësi të veçantë lidhet me mosmarrëveshjet dypalëshe, të cilat priren të transferohen dhe të marrin një dimension europian me afrimin e momentit të anëtarësimit. Përvojat nga valët e mëparshme të zgjerimit tregojnë se çështjet e hapura historike, politike ose që lidhen me të drejtat e pakicave etnike mund të shndërrohen në instrumente presioni brenda institucioneve të BE-së, duke ndikuar jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet shteteve fqinje, por edhe në funksionimin e përgjithshëm të Unionit (European Union Institute for Security Studies, 2025). Në këtë kontekst, adresimi në kohë i çështjeve të pazgjidhura përbën një element kyç për të shmangur një efekt kumulativ tensionesh dhe fragmentimi politik në rajon.


Përfundime

Argumenti i thjeshtë ekonomik kundër zgjerimit nuk qëndron si rrjedhë logjike e vetme, siç shpesh paraqitet. Pyetja thelbësore nuk është vetëm se sa kushton financiarisht zgjerimi, por nëse Bashkimi Europian është i gatshëm të investojë politikisht në këtë proces si një opsion strategjik dhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përgatitura të përgjigjen jo vetëm ndaj mundësive që ofrojnë burimet europiane, por edhe ndaj kërkesave të transformimit institucional dhe normativ. Në këtë kuptim, kostoja e zgjerimit është më shumë sesa thjesht financiare, ajo përfshin edhe koston e marrjes ose mosmarrjes së vendimit për zgjerim, duke pasqyruar efektet afatmesme politike, sociale dhe strategjike për rajonin dhe vetë Unionin.

Ky qartësim nënvizon se perspektiva e zgjerimit duhet të trajtohet si një investim i integruar financiar, politik dhe institucional dhe jo thjesht si një barrë buxhetore, duke e ripërqendruar debatin drejt rolit të BE-së si aktor normativ dhe strategjik në Ballkanin Perëndimor.


Rekomandime

Së pari, Bashkimi Europian duhet të rivendosë besueshmërinë politike të procesit të zgjerimit, duke e trajtuar atë jo si një politikë dytësore apo instrument simbolik, por si një komponent thelbësor të arkitekturës së projektit europian. Prandaj, është thelbësore që institucionet e BE-së të ofrojnë mesazhe të qarta, të qëndrueshme dhe të harmonizuara politike, duke shmangur sinjalet e paqëndrueshmërisë që minojnë kredibilitetin e Unionit.

Së dyti, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zhvendosin fokusin nga retorika e përfitimeve financiare drejt kapacitetit të tyre real për transformim institucional. Fondet europiane, qofshin ato para-anëtarësimi apo strukturore, nuk duhet të perceptohen si qëllim në vetvete, por si mjete për ndërtimin e një shteti funksional, të sundimit të ligjit dhe të administratës publike efektive. Pa këtë kapacitet, rreziku i një integrimi formal por jo substancial mbetet i lartë.

Së treti, zgjerimi duhet konceptuar si një investim politik parandalues dhe jo thjesht si një kosto buxhetore afatshkurtër. Në terma të teorisë së zgjedhjes racionale dhe të të mirave publike, kostot e një Ballkani Perëndimor të paintegruar janë potencialisht më të larta sesa kostot e një zgjerimi të menaxhuar dhe gradual. Në këtë kuptim, zgjerimi nuk është thjesht një zgjedhje politike, por dhe një test i aftësisë së Bashkimit Europian për të garantuar stabilitet, kohezion dhe rend normativ në kontinentin europian, si një aktor strategjik me vizion afatgjatë, i përgjegjshëm ndaj hapësirës së vet politike dhe gjeografike.



Eranda Zorba, mars 2026

*Eranda Zorba është pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane, Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, në lëndët: politikat sociale ndërkombëtare, politikat sociale të BE-së dhe analiza krahasuese e politikave sociale. Ajo është diplomuar në Shkenca Politike (BA) dhe Studime Rajonale Politike (MSc), Universiteti i Tiranës.  Interesat akademike përfshijnë analizën krahasuese të modeleve të mirëqenies sociale dhe studimin e dinamikave institucionale të procesit të integrimit europian të vendeve në tranzicion.


Bibliografia


European Commission. (2025). EU trade relations with the Western Balkans. Marrë nga https://policy.trade.ec.europa.eu/eu-trade-relationships-country-and-region/countries-and-regions/western-balkans_en 


European Union Institute for Security Studies. (2025). EU enlargement and integration: Voices of support and scepticism.


Organisation for Economic Co-operation and Development (OECD). (2025). 

Economic convergence scoreboard for the Western Balkans 2025. 

Marrë nga: https://www.oecd.org/en/publications/economic-convergence-scoreboard-for-the-western-balkans-2025_bc0babf3-en.html 


Wiener, A., & Diez, T. (2009). European integration theory. Oxford University Press.


World Bank. (2025). Growth in the Western Balkans holds firm amid global uncertainty. 

Marrë nga https://www.worldbank.org/sq/news/press-release/2025/04/28/growth-in-the-western-balkans-holds-firm-amid-global-uncertainty 














1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues
European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk