Koha për diplomacinë “troç”, sepse s’ka kohë për t’u humbur

Koha për diplomacinë “troç”, sepse s’ka kohë për t’u humbur

Tendencat diplomatike ballkanike shpesh tentojnë “për t’u vënë kapak” çështjeve të hapura midis vendeve të rajonit, ndërkohë që krahas nxitimit dhe orvatjeve për t’i mbyllur kur këto çështje hapen apo shtrohen për tu zgjidhur, befas kalohet në skajin tjetër dhe derdhin retorikë nacionaliste pa produkt e progres. Këto situata herë “as mish, as peshk” e herë “kush je ti, e kush jam unë”, gjithmonë mbartin me vete rrezikun për tu kthyer në boomerang dhe për të tejkaluar gjakftohtësinë e diplomatëve të rajonit, që pavarësisht nga etika e tyre, linjat diplomatike të secilit vend mbeten vazhdimisht zgjatime të dukshme dhe të padukshme të politikave të vendeve që përfaqësojnë. Të gjithë bien dakord dhe pranojnë idenë se krahas përpjekjeve integruese europiane, në rajonin e Ballkanit është prezent një realitet i ri për shkak të dy tendencave: interesave gjeopolitike jashtë ballkanike dhe vetë lëvizjeve që bëjnë diplomacitë e rajonit për të optimalizuar përfitimet nga situatat në ndryshim. 

Diplomacia shqiptare në këtë realitet të ri po punon në mënyrë intensive për përshpejtimin e procesit të integrimit. Po a mund të finalizohet ky proces pa zgjidhur më parë disa çështje me fqinjët që prej vitesh kanë mbetur të mbyllura në dosjet e pluhurosura të arkivave të diplomacisë dhe politikës? Pavarësisht nëse këto qëndrime kanë për shkak “mungesën e guximit”, problemet e ruajtjes së pushtetit nga maxhorancat politike, apo sepse kështu e ka gjykuar vetë mekanizmi “real-diplomacisë”, që të pritej koha e përshtatshme për tu shtruar në tryezën e bisedimit, çështjet e pazgjidhura, gjithsesi duhen zgjidhur. Cilado qoftë arsyeja e përcjelljes kohë pas kohe, “kutia e Pandorës” duhet hapur, pasi ashtu e mbyllur ajo pengon procesin integrues. Bie fjala, në BE nuk mund të hysh e integrohesh kur mes Shqipërisë dhe Greqisë ka disa “hendeqe” në marrëdhëniet dypalëshe: “ligji i luftës”, çështja çame, kufiri, varrezat e ushtarëve, të drejtat e emigrantëve dhe ato të minoritetit, etj. Më të njëjtat argumenta kërkojnë zgjidhje edhe disa probleme rajonale sikurse janë: njohja e Pavarësisë së Kosovës, çështja e emrit të Maqedonisë, Mitrovica, demarkacioni i kufirit Kosovë – Mali i Zi, pronësia dhe menaxhimi i Trepçës, disa mosmarrëveshje mes Serbisë dhe ish republikave të tjera të ish Jugosllavisë sot shtete të pavarura. Pa shterur këto paketa problemesh të mbartura, pa realizuar integrimin “e vogël” brenda përbrenda vendeve të rajonit ballkanik do të ishte e vështirë, në mos utopi integrimi “i madh” në BE, zbrazja e barutit nga “fuçia” dhe mbushja e saj me “verën” e bashkëjetesës së integruar. 

Pra, nga ky këndvështrim, është mëse e justifikueshme dhe mjaft e rëndësishme ngutja, mobilizimi dhe artikulimi së fundmi nga diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë për të parashtruar  dhe  për t’i vënë në rend të ditës çështje të mbartura në mënyrë retorike prej çerek shekulli, sidomos me Greqinë dhe Serbinë.  Përtej replikave shumëvjeçare “hidh e prit”, përtej dakordësive diplomatike “t’ia lëmë kohës”, më në fund me iniciativë të qeverisë disa gjëra nisën të thuhen “troç dhe sheshit”. Momenti i duhur është çdo moment. Europa diplomatike dhe politike “u ngjir” së thirruri që popujt e Ballkanit duhet të arrijnë që me bisedime konstruktive të arrijnë zgjidhje konkrete për mos dakordësitë e vjetra. 

Fakti që diplomacia shqiptare është vënë e para në lëvizje do të thotë se ajo tashmë e ka kuptuar se ka ardhur koha e një epoke të re në marrëdhëniet me fqinjët në Ballkan, epokë që kërkon strategji dhe instrumenta të reja diplomatike për të përballuar tendencat dhe ndryshimet në rajon. Marrëdhëniet paqësore të Shqipërisë me vendet e rajonit, kanë nisur të flakin tej  retorikën “tërhiq e mos këput” dhe duke iu referuar instrumentave diplomatikë të dialogut të hapur, partneritetit, reciprocitetit dhe parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare, kanë hedhur hapin e parë dhe për momentin presin reagimet e palëve. Kësisoj, nga pala shqiptare bazuar në parimin e reciprocitetit,  duke respektuar me rigorozitet të drejtat e minoritetit grek, me të drejtën që i japin ligjet dhe konventat ndërkombëtare parashtron me kurajo kërkesat për njohjen e të drejtave njerëzore dhe pronësore të mohuara të komunitetit çam. Gjuha e përbashkët e komunikimit mes palëve, megjithëse e vështirë nuk është e paarritshme, marrëveshjet e bashkëpunimit me vendet e rajonit në shumë raste ekzistojnë në arkivat e ministrive të jashtme dhe ato duhen hapur për të shëbyer si çelës për të hapur dyert e ndryshkura të komunikimit dhe dialogut. Nëpërmjet këtyre dyerve do të çelen rrugët e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të vjetra, të pazgjidhura dhe të mbuluara nga retorika e gjatë dhe e lodhshme. 

Pranohet nga politologë të ndryshëm se jemi në prag të ndryshimit të rendit botëror dhe historia ka treguar që ndryshime të tilla herë pas here janë të nevojshme, ashtu sikundër ka ardhur koha që Shqipëria ti tregojë rajonit që është një vend që ka potencial shtetformues, e di si ti mbrojë interesat dhe çështjen kombëtare. Dialogu dhe vetëm dialogu është çelësi që i zgjidh ngërçet e së shkuarës dhe i hap rrugën zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit. Miti i “fuçisë së barutit” sigurisht që është një ogur i keq për të ardhmen, por a mundet që  nëpërmjet bashkëpunimeve rajonale dhe politikave të arrihet të kapërcehen këto mite, të pranohen realitetet e pakthyeshme dhe të shkohet me tej drejt rrugës së përbashkët të integrimit euroatlantik? Sigurish që po! Por ka dhe mentalitete, ka mite, ka nacionalizëm që pengon. Së fundmi është bërë kryefjalë e mediave greke por edhe atyre shqiptare intervista e kryeministrit shqiptar për gazetarin e TV-SKAI. Kur do të shtrohen e zgjidhen bie fjala probleme të tilla si: ”ligji i luftës” me Greqinë, çështja çame, problem i teksteve shkollore të librave të historisë, marrëveshja detare? Meqë jemi tek Greqia, ky vend fqinj, anëtar në NATO dhe në BE, hyn tek partnerët strategjik për Shqipërinë, prandaj parashtrimi i problemeve në mënyrë të drejpërsedrejt është mëse në kohë në rrethanat e kësaj “epokë të re” në rajonin që përpëlitet në “ethe” integrimi. Fakti që pala greke pas këtij parashtimi të drejtpërdrejtë nga qeveria shqiptare, u angazhua seriozisht në ngritjen e tre komisioneve të përbashkëta të ekspertëve për diskutimin e tre paketave me problematikë të mbartur, flet qartazi se çdo lloj retorike dhe “stafete” e përcjelljes vit pas viti, e qeveri pas qeverie, të problematikës konkrete është kuptuar edhe nga pala tjetër si një mundësi që do të ndikonte në normalizimin e shpejtë të marrëdhënieve. 

Por a ka të njëjtin kuptim e reagim në palët e tjera? Pak më në veri, në Mitrovicë ngrihet një “mur” i cili justifikohet nga zëdhëndësja e Bashkimit Europian se muri që u ndërtua afër urës së Ibrit do të shërbejë si lidhëse e unazës me zonën e këmbësorëve. Ndoshta është kështu! Por simbolika e “murit”, nuk është një shenjë e mirë, jo vetëm për ballkanasit, por edhe për vetë europianët, në perëndim e në lindje të kontinentit. “Muri” ngjall dyshime dhe polemika, e këto shtohen kur një gjë e tillë ndodh në një zonë që ka pasur shpesh herë përplasje ndërmjet kosovarëve dhe serbëve, 

Së fundmi, ngritja e mureve dhe shtrirja e “rusishtes” në rajonin ballkanik, janë shenja që të bindin se sa më parë të hapen dhe sa më shpejt të zgjidhen çështjet e mbartura aq më mirë është për stabilitetin e marrëdhënieve mes fqinjëve dhe aq më mirë i bëhet procesit të integrimit të Ballkanint në BE. Në mbyllje ja vlen një referencë në një deklaratë të të madhit Kadare, bërë gjatë një interviste në prill  të 2004   “Kur ndodhem në Ballkan i kritikojë këta popuj, kur ndodhem jashtë i mbrojë. i njohë të gjitha defektet e ballkanasve, i di të gjitha të këqijat që i kanë bërë, të gjitha idiotësitë e tyre, çmenduritë e tyre. Çmendia është karakteristikë e Ballkanit. Por nuk jam dakord me përçmimin sistematik objekt i të cilit janë. Ballkanasit janë në gjëndje të bëjnë çdo prapësi por edhe gjëra shumë fisnike. Nuk është vetëm retorikë por realitet. Janë pjesë e Europës”.

Konkluzioni është i qartë, ka ardhur koha e përdorimit të diplomacisë “troç”, sepse nuk ka më kohë për të humbur “trenin” e integrimit të rajonit ballkanik për të mbërritur në Europën e Madhe. 

                                                                                                                           Përgatiti: Blerina Serjani

                                                             Artikull i përzgjedhur i Konkursit “Dritare për të Rinjtë dhjetor 2016”

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk