A po jetojmë në muzgun e Perandorisë ku dielli nuk perëndon?

A po jetojmë në muzgun e Perandorisë ku dielli nuk perëndon?


E njëjta fitore triumfon në ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar prej Bashkimit Europian. E njëjta fitore noton mbi ishullin e paragjykimit që ne e kemi rrethuar me tela me gjëmba, duke futur në të ata që na duken të ndryshëm dhe të huaj, arabin, myslimanin, aziatikun, afrikanin, sirianin, duke krijuar kështu një rrethim të kështjellës së virtytit që jemi munduar me dije dhe gjak ta ngrehojmë gjatë shekullit të kaluar. Nga krahu tjetër dyndja e pazakontë e refugjatëve prej krizave që s’mundëm ti menaxhonim, luhatjet ekonomike dhe rritja eksponenciale e populizmit ka grisur si të vjetëruar gazetën liberale të frymës perëndimore, duke përndarë BE-në, duke ngritur mure dhe gardhe, e duke orientuar vemendjen tonë drejt frymës së izolacionizmit dhe diskriminimit. Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, në një deklaratë të papreçedentë, u zotua se Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, do hiqnin dorë një herë e përgjithmonë prej eksportit të demokracisë në ato zona të botës ku dielli i lirisë nuk ka ndrirë ende. Megjithëse jo një rrufe në qiell të hapur, kjo deklaratë flak tutje, një projekt të vjetër tonin, duke sfiduar në rrënjë thënie të mençur të F. Fukujames, tek e quante demokracinë liberale të fundit prej sistemeve politike që bota do të provojë dhe vendosjen e saj, kudo e kurdo, kontribut ndaj njerëzimit.

Por a është kjo një kohë që shënon fundin jo vetëm të një shekulli dominimi amerikan, por edhe mbylljen me natë të dominimit të perandorisë ku dielli nuk resht së ndriri (qytetërimi dhe modeli i qytetërimit perëndimor, bazuar në demokracinë liberale) në cilësi të tijat si far orientues për ato vende që e humbin rrugën? A shënon ky vit, fundin e traditës së ndërtimit sipas imazhit perëndimor të politikës kudo, traditë që fillon me mbretëreshën Elizabetë I, dhe mbyllet me të hirshmen Elizabetë II? A është Francis Drejk dhe trimat e tij eksploratorë të vetmet fantazma që do na përndjekin teksa rikthehemi në skutat tona të ndara te izolimit, teksa zhvlerësojmë NATO-n, shpërbëjmë Bashkimin Europian, kufizojmë kompetencat e Kombeve të Bashkuara, dalim prej marrëveshjeve multilaterale të bashkëpunimit dhe sigurisë, ndajmë me mur Amerikat dhe dënojmë me karantine qytetarët e botes duke i klasifikuar në bazë të besimit të tyre? A do të na përndjekë kujtimi i zyrtarëve që sanksionuan emrin dhe formën e strukturës së shtetit të sotëm në traktat të Uesfalia-s, teksa grupe dhe njerëz sfidojnë kufinjtë shtetërorë dhe traktatet të ushqyer nga urrejtja për botën që ne kemi ngritur?


Kundër-Establishmenti Perëndimor si djep i fuqive të reja

Përkëdhelja e kushtueshme e qytetarëve të perëndimit për çrrënjosje të establishmentit, me çdo kusht, shpesh edhe në kurriz të racionalitetit dhe analizës së eficiencës, që sjell në pushtet edhe nëpërmjet sensibilizimit adoleshent dhe realitetit virtual, groteskun e rrezikshëm që ne e tolerojmë në gjirin tonë duke e marrë seriozisht, shërben për rritjen e peshës specifike të fuqive revizioniste në pjesë të tjera të botës. Ri-formatimi i fuqisë strategjike të Rusisë dhe agresisviteti i ariut në lindje, I cili fle dhëmbë-nxjerrë mbi çelësat e tubacioneve të gazit është një zhvillim i paneglizhueshëm. Pozicioni i ri mes Turqisë dhe Rusisë në marrëveshje gjeostrategjike dhe boshti i krijuar rishtazi mes tyre si partneritet me Iranin sa i takon konfliktit sirian, orientimi i pas kaq shumë vitesh i konferencave me rëndësi të paqes në lindje, siç qe ajo e Astanës së fundmi, sa dhe fuqizimi i papreçedent ekonomik i Kinës dhe Indisë, sot përfaqësojnë një atraksion biznesi që tundon vende të afërme dhe vende të largëta. Dominimi i tyre në Lindjen e Mesme, në Azi dhe potencialisht edhe në Ameriken Latine, do të presë përfundimisht influencën ekonomike si të vetmin mjet mbetur prej politikës kontradiktore të perëndimit me këto vende.

Kohë të reja, liberalizëm i ndryshkur

Liberalët e ditëve të sotme gjithmonë e më tepër mund ti gjejmë të zhytur në luksin e komoditetit të zyrave dhe kollareve si symbol i burokracisë strukturore, në disporporcion me zhvillimet ritmike, si karikaturë e batutës ballkanike, kur i zoti i shtëpisë I thoshte mysafirëve jashtë derës “ bujrum”, ndërsa me gjithë familjen e tij pengonte derën prej së hapurit.

Liberalët europianë dhe promotorët e zhvillimit të përbashkët, lirisë dhe barazisë mes njerëzve dhe popujve, fatkeqësisht kanë humbur drejtimin e fillit ideologjik të nismëmarrjes dhe veprimtarisë aktive në amullinë e takimeve dhe zyrave shumë larg zonave të konfliktit dhe skamjes uluritëse. Prej komoditetit të komunikimit “politikisht korrekt”, tek marrëveshjet neutrale që nuk japin rezultat, dhe hipokrizia që shitet si humanizëm, këta liberalë janë diskretituar në sy tëpublikut duke kundërshtuar çdo alternativë mbi problemet që i pozohen Bashkimit Europian dhe gjithë qytetërimit Perëndimor, e duke ia lënë përgjegjësinë e vendimeve në lidhje me zgjidhjen e menjëhershme që sifda të tilla si fluksi i refugjatëve që braktisin zonat e luftës, terrorizmi dhe polarizimi politik i kërkojnë pasardhësve. Kjo ysht radikalët, ekstremistët e gjithfarë që i kanalizojnë perpjekjet e tyre kundër lirisë dhe barazisë që garanton modeli qeverisës i demokracive liberale në mënyra të ndryshme, e duke perdorur mjete taktiko-politike si terrorizmi, diferencimi racor, diskriminimin e të huajve, mospranim dhe mos përfaqësimin e pakicave, dhe në përgjithësi fitojnë kredo politike duke shfrytëzuar refugjatet dhe azil kërkuesit si tabelë qitje e faturimit të gjithë repertorit të sfidave të shoqërisë përkatëse europiane, duke gjetur mbështetje në ankthin e krijuar në popullatë.

Këto pika të dobëta të sitemit tonë, mungesa e eficiencës së idealeve dhe vlerave të propagantuara prej nesh, shërbejnë për të ngritur mure urrejtjeje populiste mbi urat e debatit, dakordësisë dhe paqes.
Më e rënda ndër fakte, është orientimi jo praktik i liberaleve të rinj drejt idealizmit të jashtë kohë, tek turpërisht mbështesin liderin e një sistemi monist një partiak sikur kryeministri kinez, tek deklaronte gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, se vendi i tij Kina, me më shumë se 100 milionë banorë ende në kushte jetese gati mesjetare, është i gatshëm të udhëheqë botën e tregtisë së lirë dhe bashkëpunimit ndër-rajonal, nëse elitat perëndimore vetëizolohen.

Ky është një hap i rrezikshëm mbrapa drejt pranimit të sistemeve diktatoriale dhe një braktisje e turpshme nga projekti jonë i përbashkët i paqes demokratike dhe liberalizmit si promotor i qëndrueshëm i zhvillimit afatgjatë ekonomik dhe drejtësisë sociale.

Muzgu i fundit dhe kalorësit e dritës

Me gjithë sfidat e shumëfishta që i janë avitur si re të dendura me avullim të dinamikave politike shoqërise ndërkombëtare, detyre parësore e jona, në cilësinë e studentit, analistit, shqiptarit, europianit, qytetarit të një bote të lirë, duhet të jetë kultivimi i frymës së paqtimit, barazisë, vetëvendosjes, përfaqësimit dhe ndërtimit të ngahershëm të tullave më të qëndrueshme për ngrehinën e së ardhmes. Zhvillimi kontribues i multikulturalizmit së bashku me ruajtjen e veçantisë së cdo kulture të përfshirë, është antidoti më i efektshëm për kundrejt populizmit dhe autokracisë. Ne, trashigimtarët e armëve të dijes dhe lirisë, votës dhe demokracisë, arsimit dhe idealit të barazisë, duhet të përgatitemi për luftën më të ashpër me injorancën, radikalizmin dhe ekstremizimin e dasisë, keqinterpretimin e fesë, krizën e idesë, nacionalizmit dhe shovinizmit, luftë e cila zhvillohet më afër seç mendojmë. Ajo do të zhvillohet në universitete dhe në rrugë, në arena të debatit dhe në media, në përfaqësi politike dhe takime diplomatike. Ajo do jetë një luftë e së ardhmes kundër të shkuarës që na kanoset në të tashmen. Në të, ne nuk jemi vetëm. Krah nesh është fryma e bashkimit, vlera e paçmueshme e lirisë dhe shumë qytetarë europianë dhe amerikanë, peruanë dhe filipinas, kanadezë dhe rusë qe e shohin globalizmin dhe bashkimin e përfitimit të përbashkët si rrugën e vetme drejt një jete më të delirë.

                                                                         Punoi: Bjorn Kamberi,student i Shkencave politike dhe                                                                               Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit Epoka                                                                                                            Pjesë e Rrjetit Mbështetës të EMA-s

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk