Përshtypjet e të rinjve nga Shqipëria, pjesëmarrës në Youth Committee for the Future, Napoli, mars 2018

Përshtypjet e të rinjve nga Shqipëria, pjesëmarrës në Youth Committee for the Future, Napoli, mars 2018

Hapi i fundit ishte simulimi i seancës plenare në të cilën u vumë në pozicionin e anëtarëve të parlamentit dhe votuam e negociuam mbi amendimet dhe kalimet e rezolutave në veçanti e në tërësi.
Veprimtaria praktike është thjesht një nga aspektet e aktivitetit. Të ndarit hapësirën e të punuarit dhe të jetuarit me të rinj nga vende të ndryshme të Europës është një ndër aspektet më të veçanta, pasi të jepet mundësia të mësosh dhe përjetosh aty për aty ndryshimet kulturore mes vendet të ndryshme dhe të bën të shohësh se si të qenit europian nuk është një përkatësi e mirëpërcaktuar, por një frymë që të lejon të kuptosh dhe të kuptohesh.
Simulimi që zhvilluam të jep të kuptosh atë që zhvillohet në një shkallë shumë herë më të madhe në institucionet europiane. Duke zhvilluar ato aktivitete praktike përjetohet se si të pasurit një qëllim të përbashkët për realizimin e një objektivi të jep mundësinë të krijosh një hapësirë ku ndryshimet kulturore fillimisht zbehen, për tu bërë një vlerë e shtuar kur shikon se pavarsisht identiteteve të ndryshme, ajo hapësirë e përbashkët që krijohet bën të mundur që objektivi të realizohet. Takimi me Europën, qoftë si hapësirë fizike, qoftë si frymë, është gjithmonë një eksperiencë e këndshme.
                                                                                                                                                  Andi Gjetani

Unë jam Arbora Aliaj nga Shqipëria dhe më është akorduar një bursë nga ERASMUS +, Komiteti i Të Rinjve për të Ardhmen, i ndodhur në Napoli të Italisë. Kjo përvojë plotësoi zgjedhjet e mia aktuale të karrierës dhe më lejoi të që të fokusoja dhe rrisja potencialin tim. Unë besoj se kjo mundësi më ka siguruar mjedisin ideal për t’ja arritur këtij qëllimi. Kam fituar një këndvështrim tjetër mbi këtë çështje dhe kuptime të ndryshme deri në një farë mase. Duhet të theksoj se fusha e temave dhe çështjeve të trajtuara në sesione të ndryshme ishin më shumë se progresive, profesionale dhe inovative. Për mua, ishte një përvojë mahnitëse për të marrë sa më shumë informacion dhe njohuri.

Gjithashtu, përmes rekomandimeve të çdo prezantimi, kemi shkëmbyer jo vetëm përvojat më të mira, por edhe përvojat jo të mira, si një shembull jo efikas që nuk duhet ndjekur. Fusha e temave ishte kaq e gjerë, kështu që çdo student, profesionist i ri, studiues, akademik kishte mundësi për t'u prezantuar dhe për të fituar qasje të reja dhe perspektiva të ndryshme për argumentet. Për mua, disa nga temat, ishin të panjohura më parë, kështu që më duhej më shumë kohë për të marrë pjesë në të gjitha sesionet. Unë isha pjesmarrëse e Komitetit për Emigrantët dhe ne bëmë një diskutim konstruktiv për të kaluarën, aktualitetin dhe të ardhmen e situatës.
                                                                                                                                                     Arbora Aliaj

Youth Committee for the Future Naples 2018 pa asnjë dyshim mund ta quaj si një ndër eksperiencat më të bukura të jetës time studentore. Një simulim thuajse real i procesit të propozimit të rezolutave në Parlamentit Europian më ka shoqëruar për një javë të tërë në këtë eksperiencë të paharrueshme.

Më shume se 50 studentë nga e gjithë Europa u ndanë në 5 grupe mbi sfidat e të ardhmes në Europë. Në aspektin profesional ishte një kënaqësi për mua të diskutoja mbi çështjet politike të BE-së pikërisht në zemër të këtij projekti në formatin e Parlamentit Europian. Një mundësi e shkëlqyer për të parë në praktikë procesin e komplikuar të vendimmarrjes në BE.

Eksperienca ime personale, si përfaqësues i grupit propozues në Sfidat ndaj Demografisë më bëri të testoj aftësitë e mia të mendimit kritik dhe negociues.  Ky simulim të jep mundësinë për të kuptuar se si politika evropiane vërtet funksionon dhe çfarë përpjekje dhe këmbëngulje duhet për të përgatitur shoqërinë Europiane për të ardhmen që na pret.

Në aspektin personal, ishte kënaqësi për mua të njoh dhe të ndaj një javë me të rinj nga e gjithë Europa dhe të krijoja shoqëri që jam i sigurtë që do i rezistojnë kohës dhe largësisë. Përtej të gjithave ajo çfarë e bën vërtetë diferencën është që pikërisht në atë javë ti ndihesh asgjë më pak se "a citizen of the world".

Me të vërtet që YCF është një eksperiencë e paharrueshme dhe do të këshilloja këdo që është i interesuar vitet e ardhshme të aplikojë.
                                                                                                                                                 Arlind Kullolli

Një mendje e zgjeruar nga një eksperiencë e re nuk mund të kthehet më në dimensionet fillestare. Me këtë fjali do ta përmblidhja eksperiencën time në Napoli.

Nga njerëzit mund të mësosh shumë nëse di çfarë të marrësh prej tyre. Ishte kënaqësi e veçantë të rrethoheshe nga persona që duan të përmirësohen dhe që besojnë te ndryshimi duke e parë veten si katalizatorë te tij. Ndihem më e motivuar për tu përmirësuar dhe për të shtuar vlerë me gjërat që bëj. Kjo është shija që unë kërkoj të kem në fund të eksperiencave të ngjashme prandaj mund të them me shumë bindje se ia vlejti.
                                                                                                                                              Denisa Dervishi

“Youth Committee for the Future” ishte për mua një eksperiencë unike në llojin e saj. Megjithëse ishte hera e parë që merrja pjesë në një aktivitet interkulturor të përmasave të tilla, YCF arriti të kthehej në një eksperiencë tejet pozitive dhe padyshim mbresëlënese. Gjatë një jave marsi, Napoli u kthye në qytetin ku ne ndërtuam një rutinë ditore larg asaj të përditshmes. Ditët ishin të mbushura me aktivitete frytdhënëse, ku bashkë me delegatët nga Belgjika, Spanja, Lituania dhe Italia shkëmbyem njohuritë, idetë, si dhe aspiratat tona për një të ardhme të përbashkët Europiane e cila përputhet me ëndrrat tona për një komunitet ndërkombëtar që bashkëjeton në harmoni.

Të ndarë në pesë grupe pune ku secili delegacion përfaqësohej nga dy pjesëtarë, ne punuam fort për të hartuar draft-rezoluta për tema si: ndryshimi i sistemeve demokratike në epokën dixhitale, rritja e automatizimit në tregun e punës, sfidat e migrimeve, nevoja për një literaturë mediatike në sistemet arsimore, si dhe për të ardhmen e mirëqënies së shteteve në një kohë plakjeje progressive të popullsisë. Personalisht, pata dëshirën dhe nderin të punoj me Grupin e Shoqërisë Dixhitale, nisur dhe nga profili im si studente e Computer Engineering. Nisur nga nevoja për një përfshirje më të madhe të rinisë në vendimmarrje, ne propozuam prezantimin e aksesit në internet si nje e drejtë themelore e çdo qytetari, implementimin e online-voting si dhe optimizimin e e-Government. Për më tepër, duke marrë shkak nga ngjarjet më të fundit në rajon dhe në botë, vumë theksin mbi sigurinë kibernetike (Cybersecurity) dhe krijimin e një legjislacioni dhe institucioni përkatës fokusuar mbi të ashtëquajturin “fake news”, por që është përgjegjës dhe për sigurimin e privatësisë së individëve, organizatave apo kompanive, për sa i përket shpërndarjes së të dhënave që ata vendosin online.

Mundësia për të dëgjuar ekspertë të flasin për sfidat, problematikat apo dhe avancimet në fushat përkatëse, ishte një ndihmesë e madhe për shkrimin e këtyre rezolutave pasi na dha një vështrim nga brenda ne secilën nga temat. Më e veçanta ishte dita e fundit e aktivitetit, gjatë së cilës u bë simulimi i një seance plenare të Parlamentit Europian, ku fillimisht secili grup prezantoi draft-rezolutën e tij. Pasuar nga sesionet pyetje-përgjigje dhe më vonë nga sesioni ku çdo delegat mund të propozonte ndryshime në secilën nga draft-rezolutat, të 50 delegatët kontribuan për të dhënë punimet më të mira të mundshme. Dita u finalizua me prezantimin e rezolutave në prani të disa Europarlamentarëve, ku pata dhe vetë nderin të prezantoj rezolutën e grupit në të cilin isha pjesë: Digital Society.

Përtej aspektit formal, “Youth Committee for the Future” na dha dhe mundësinë për të eksploruar kultura të ndryshme. Gjatë mbasditeve dhe pushimeve të drekës vizituam monumente historike napoletane si dhe ecëm rrugëve të qytetit duke u bërë njësh me kulturën vendase. Jo vetëm gjatë sesioneve të punës, por dhe në kohën e lirë, ndërveprimi me delegatët e shteteve të ndryshme na mundësoi të njiheshim nga afër me ta dhe elemente nga kultura e secilit. Java u mbyll me Intercultural Dinner, ku cdo delegacion kishte sjellë ushqime apo pije nga shteti që perfaqësonin. Ditën e shtunë, të lirë nga preokupacionet, bashkë me gjithë kolegët, tashmë shokë, të grupit nga Shqipëria shkuam të vizitonim dhe qytetin e lashtë të Pompeit. Java u mbyll në një mënyrë të paharrueshme.

Pjesëmarrja në “Youth Committee for the Future” është padyshim diçka që do të mbetet gjatë në memorien time. Duke falenderuar organizatën “Lëvizja Europiane në Shqipëri” për mundësinë e dhënë, do i sugjeroja kujtdo të merrte iniciativën për tu bërë pjesë e aktiviteteve të ngjashme. Nuk do të pendoheni!
                                                                                                                                                     Erida Nurçe

Më 19 mars mu dha mundësia për të qenë pjesë e aktivitetit një-javor “ Youth Committee for the future” në Napoli, Itali organizuar nga Instituti Italian për të Ardhmen në kuadër të Erasmus. Pjesëmarrës ishin rreth 50 të rinj nga Belgjika, Lituania, Italia dhe Spanja me të cilët pata mundësi të bashkëbisedoja dhe të shkëmbeja ide dhe mendime mbi fusha të ndryshme.

Ditën e parë të aktivitetit ishte parashikuar ndarja në 5 grupe tematike ku unë zgjodha të isha pjesë e grupit I ,i cili do të diskutonte mbi temën e “Job Automation” pra Automatizimi i Tregut të Punës. Pas diskutimit mbi këtë çështje , unë bashkë me grupin prej 10 vetash në të cilin beja pjesë përpiluam një draft- rezolutë e cila më pas u votua pro në simulimin e seancës plenare të zhvilluar ditën e fundit të aktivitetit. Për mua ishte eksperienca e parë në një aktivitet të tillë dhe mund të them se i përmbushi të gjitha pritshmëritë e mia.

Mu dha mundësia për të marrë informacione të reja dhe të dobishme për sa i përket tematikave si : Media Literacy, Automatizimi i Punës, Shoqëria Digjitale, Migrimi dhe Sfidat e ndryshimeve Demografike në Epokën Dixhitale. Vështrova më nga afër se si funksionojnë procedurat e organeve vendimmarrëse të Bashkimit Europian. Mësova se si vendimet politike ndikojnë në të ardhmen tonë dhe se si të shndërrohemi në qytetarë europianë me të drejta të plota. Gjithashtu personalisht kjo eksperiencë më ka ndihmuar të kem një vetëvlerësim më të madh dhe se si të përballem me sfidat që më presin në të ardhmen.

                                                                                                                                                       Kira Miraj

Këtë fund marsi, kisha mundësinë të bëhesha pjesë tek Aktiviteti Simulues “Youth Committee for the Future i organizuar nga Italian Institute for the Future në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri. Në këtë trajnim simulues të procedurave të Parlamentit Evropian (PE), ku morëm pjesë 50 të rinj nga 5 shtete të ndryshme, por në realitet nga më shumë se kaq(!), grupi shqiptar u përfaqësua nga 5 djem dhe 5 vajza. Personalisht e vlerësoj shumë iniciativën e organizatorëve për të patur nje farë lloj barazie gjinore midis pjesëmarrësëve gjatë përzgjedhjes së tyre.

Trajnimi përmbante 5 tematika të ndryshme. Si një profesionist i ri i angazhuar mbi çështjet e zhvillimit dhe arsimit u bëra pjese tek grupi i punës mbi Arsimin për të Ardhmen. Grupi përbehej prej 10 anëtarësh, 2 nga çdo delegacion përfaqësues. Pas nje pune mjaft sfiduese në grup ku ndamë detyrat sipas përvojës të secilit, jam i bindur që ia arritëm qëllimit të përgatisim ato amendamente dhe ndryshime të cilat përputheshin me vizionin tonë sesi do zhvillohet fusha e arsimit në të ardhmen. Kjo u pasqyrua dhe nga fakti që shumica dërmuese e propozimeve që ne parashtruam u konfirmua dhe u votua nga grupet e tjera.

Disa nga përfitimet e këtij trajnimi që dua të theksoj janë: shoqëria që krijova me perfaqësuesit e tjerë të grupit shqiptar por edhe me pjesemarrësit nga shtetet e tjera, njohuritë e reja mbi mënyren sesi funksionon PE, leksionet frymëzuese nga personazhe të njohura nga rajoni i Napolit ku u mbajt trajnimi, dhe që i përkisnin fushave të ndryshme si akademia, politika, shoqëria civile, dhe biznesi.

Shpresoj që në të ardhmen dhe të rinj të tjerë shqiptar të angazhohen dhe të bëhen pjesë e nismave të ngjashme për të përfituar nga një eksperienc akademike dhe sociale e cila rrit angazhimin qytetar dhe zhvillon aftësi të ndryshme si puna në grup apo ndëgjegjësimi mbi kulturat e huaja.
                                                                                                                                             Klaudjo Kavaja

Gjithnjë ka qenë në interesin tim përfshirja e të rinjve në vendimmarrje dhe angazhimi i tyre në politikat e qeverisjes. Pata fatin të marr pjesë në aktivitetin Youth Committee for the Future në Napoli për rreth një javë. Pjesëmarrës ishin të rinj të angazhur në politikat e Bashkimit Europian nga pesë shtete, Shqipëria, Italia, Lituania, Spanja dhe Belgjika. Ky aktivitet sillte në diskutim tema mjaft të rëndësishme dhe me mjaft interes për mua. Tema si rritja e automatizimit në tregun e punës, ndryshimi i proceseve demokratike në epokën dixhitale, sfidat e migrimeve, e ardhmja e shteteve në një epoke të plakjes progresive, nevoja e literatures dixhitale në sistemet arsimore etj.

Gjatë aktivitetit u ndamë në grupe ku secili grup do të përgatiste një rezolutë me rreth 10 amendamente, e cila më pas do të duhej të miratohej nga delegatët. Zgjodha temën "Shoqëria Dixhitale" si një temë tepër aktuale dhe futuristike në të njëjtën kohë. Rrahja e mendimeve nga pjesëmarrës nga shtete dhe background-e të ndryshme ishte shumë frytdhënëse. Pata mundësine të mësoj gjera të reja si dhe të ndaj idetë dhe mendimet e mia me pjësëmarrësit e tjerë.

Grupet përpiluan rezoluta dhe amendamente mjaft serioze dhe shumë të nevojshme. Edhe pse një simulim i praktikave te Bashkimit Europian ishte mjaft fitimprurëse të merrje pjesë në këtë aktivitet, më shërbeu për të rritur njohuritë e mia lidhur me politikat e BE-së si dhe për tu ballafaquar me qëndrimet që rinia europiane ka lidhur me zhvillimet aktuale.
                                                                                                                                                     Olen Dashi

Të kuptosh rëndësinë, rolin dhe dinamikën e Bashkimit Evropian, nuk mjafton vetëm të studiosh në këtë fushë, apo dhe ta prekësh atë në rrugëtimin tënd profesional. Stacioni i rradhës, i cili më njohu më konkretisht për marrëdhënien mes të rinjve dhe Bashkimit Evropian ishte aktiviteti njëjavor i zhvilluar në Napoli (19-24 Mars 2018) në kuadrin e projektit “Youth Committee for the Future”. Ky projekt, i hartuar dhe menaxhuar nën logon e Erasmus +, ndërtohej në përbërje të tij nga 5 organizata joqeveritare të Shqipërisë, Belgjikës, Spanjës, Lituanisë dhe Italisë. European Movement Albania, si organizata shqiptare pjesëmarrëse në këtë projekt, shërbeu për 10 pjesëmarrës të rinj shqiptarë si ura lidhëse që mundësoi rrugëtimin tonë drejt kësaj eksperience.

Unë jam Olta Qejvani, një nga këta të rinj, e cila u bë pjesë e këtij aktiviteti. E radhitur mes 4 shteteve që janë anëtare të Bashkimit Evropian, që në momentin e aplikimit, e vesha veten me përgjegjësinë që përfaqësimi i të rinjve shqiptarë duhet të ecte dhe prezantohej me të njëjtin ritëm produktiv sa të rinjtë e vendeve të tjera.
Ndër aktivitete të shumta të zhvilluara nën ombrellën e Bashkimit Evropian, kjo ndalesë e rradhës shënon disa aspekte specifike për mua. U pozicionova në grupin i cili do të nxirrte rezolutën për të ardhmen e Bashkimit Evropian sa i përket “Media literacy in education”. Informacioni i marrë në kuadër të kësaj pune në grup, më ndihmoi që t’i vendosja njohuritë e mia në në një fushë jo shumë të hulumtuar. Shkëmbimi i praktikave me të rinj të vendeve të tjera, prezantimi me materialet më ndihmoi të kuptoj konkretisht se si është aktualiteti i ‘media literacy’, sidomos në fushën e arsimimit. Aplikacionet e ndërtuara deri tani në kuadër të këtij dimensioni, më shërbyen si një horizont i ri në atë që mund të zhvilloj në ambientin akademik shqiptar duke punuar me studentët.

Një vlerë e shtuar për mua mbetet veçanërisht aftësimi në kompetenca vendimmarrëse përmes simulimit, i cili përbënte sfidë më vete për faktin se u realizua në termat e ‘intercultural simmulation’. Ky aktivitet e dimensioni shkëmbimin e eksperiencave mes të rinjve jo vetëm në terma diskutimi apo studimi, por njëkohësisht dhe në terma të vendimmarrjes së përbashkët përmes simulimit.

Kjo eksperiencë konkrete mbetet unike, jo vetëm për natyrën e veçantë të organizimit, por njëkohësisht më ka shërbyer që ta vendos veten time në rolin e një të riu shqiptar, për të kuptuar që e tashmja dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian është rezultat i vendimmarrjeve të përbashkëta, i gjetjes së emëruesit të përbashkët në mes të diversitetit. Të rinjtë shqiptarë, mund dhe duhet të kontribuojnë shumë për mbërritjen e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Për mua, kjo eksperiencë do të shërbejë në terma motivimi dhe praktike se çfarë mund të bëj në përditshmërinë time profesionale ‘me’ dhe ‘për’ të rinjtë, në mënyrë që të rinjtë të jenë udhëtarë të denjë të stacioneve që na duhen për të mbërritur në destinacione të suksesshme.
                                                                                                                                                   Olta Qejvani

Përherë kam aspiruar të isha pjesë e një aktiviteti të përkrahur nga programi Erasmus + dhe vetëm pak ditë më parë munda të realizoj ëndrrën time të kahershme, pasi pata privilegjin që të isha një prej përfaqësuesve të Shqipërisë në simulimin e Youth Committee for the Future që u mbajt në Napoli, Itali.

Në këtë aktivitet ndërthureshin dy prej tematikave të mija të preferuara: politikat e Bashkimit Evropian për të cilat kam kryer studimet universitare si dhe politikat rinore për të cilat kam vite që aktivizohem. Ishte fantastike të shihje të rinj nga 5 shtete të Evropës të diskutonin dhe propozonin zgjidhje për sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht unioni.

Thelbi i këtij programi ishte simulimi i Parlamentit Evropian dhe u realizua me përzgjedhjen e një tematikë për diskutim që në rastin tim ishin sfidat e emigracioni, një prej çështjeve më kritike anë e mbanë Evropës sidomos këto vitet e fundit. Më pas përmes një “brainstorming” u analizua emigracioni në të shkuarën parë në disa komponentë si ato politike, ekonomike, social, mjedisore etj. Në mbyllje grupi i punës së sfidave të emigracionit do të përcaktonte dy skenarë futuristë se si kjo çështje do të ishte 10 vite më vonë.

Në axhendën e programit përveç aktivitetit simulues ishin të përfshira bashkëbisedime me personalitete të ftuara. Do të veçoja dy prej tyre, i pari ishte Profesor Bruno Siçiliano i cili në prezantimin e tij foli për rolin e tekonologjisë në jetët tona si dhe Elena di Filippo e cila ndau eksperiencën e saj për çështjet e emigracionit në Evropë sidomos referuar viteve të fundit.

Në sesionin përfundimtar delegatët e pranishëm praqitën për diskutim rezolutën e paraqitur dhe hodhën për votim amendamentet shtesë. Në grupin e punës së sfidave të emigracionit pati një qasje optimiste për vijueshmërinë e kësaj teme, konkretisht u rekomandua reformimi i FRONTEX në mënyrë që të evitohen shumë burokracitë apo defektet e së shkurarës si dhe një bashkëpunim në unison të vendeve të Bashkimit Evropian me ndarjen e përgjegjësive për secilin anëtar.

Në mbyllje do e veçoja këtë eksperiencë si një prej më të frytshmeve të jetës sime, si në aspektin personal me krijimin e kontakteve të reja me bashkëmorshatarë të vendeve të ndryshme dhe në atë profesional nga konceptet e përftuara gjatë këtyre ditëve.

                                                                                                                                                 Resul Resulaj

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk