Artikull Dita e Europës 2016: Ku po shkojmë?!

 Artikull Dita e Europës 2016: Ku po shkojmë?!

Sigurisht në 104 vite të ekzistencës tonë jemi luhatur sa nga “njëra pjesë e botës në tjetrën” si një anije në një det të trazuar, por që kapiteni e ka braktisur. Është evidente që nuk është vetëm faji ynë që kemi qenë dhe jemi në këtë gjendje. Situata politike në Ballkan nuk është ndër më të qetat, madje nuk ka qenë e qetë aspak. Prej momentit në të cilin Ballkani është cilësuar “një fuçi baruti” nga Churchill, situata politike është përmirësuar dhe fqinjësia në dukje është bërë më e mirë.

Le ta kthejmë vëmendjen sërish te Vendi im. Në këto 25 vjet demokraci, të nisura me shumë ëndrra dhe në mënyrën më paqësore nga të gjitha vendet e ish- lindjes, kam dëgjuar, e theksoj kam dëgjuar, shumë fjalë të bukura për momentin se kur do jemi pjesë e Europës jo vetëm gjeografikisht. Ndoshta u “ngopën” politikanët tanë me një ndryshim regjimi?! Kjo klasë politike është bërë si një magnetofon i prishur, të cilit i është prishur shiriti edhe thotë të njëjtat gjëra. Një gjë e mirë ka ndodhur, të paktën në udhëkryq nuk jemi, e kemi drejtimin nga perëndimi. Në momente të caktuara, kemi hedhur disa hapa para, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, heqja e vizave dhe hyrja në NATO. Në fakt e kemi marrë dhe statusin e vendit kandidat, por këtu fillon më e vështira. Tani ndodhemi midis sfidave të cilat në qoftë se realizohen, do shënojnë një kthesë të rëndësishme në historinë e shkurtër si Shtet. Liria, Drejtësia dhe Shteti ligjor janë kyçi për të hapur portat e Europës.

Ndër shekuj shqiptari ka treguar se është një popull liri-dashës, por mesa duket që prej momentit që larguam çdo pushtues nga vendi ynë, u vetkënaqëm dhe reshtëm së luftuari për Liri. Pikërisht në ato momente ne ndaluam së qenit një “popull i lirë”. Nuk po përpiqem ta përkufizoj se çfarë është “Liria”, dua të lejoj gjithsecilin të përkufizojë për lirinë. Ne sigurisht fituam lirinë e të qenit në drejtim të vendit, por pse na u desh të ndalemi aty, Pse? Nuk po analizoj fare periudha historike si ajo “Zogiane” apo “Hoxhiane”, edhe pse në këndvështrimin tim nga Mbretëria në Komunizëm, kemi pasur një regres përsa i përket Lirisë. Me ardhjen e Demokracisë, dhe me ëndrrat u mendua se tashmë Shqiptarët do të ishin më në fund të lirë. Dhe ne fakt ishin në disa drejtime, por harrojmë se Liria nuk është një send që e fiton në një ditë të bukur me diell, është një “filozofi”. Dhe klasa jonë politike që doli nga ’90 nuk e kishte këtë nocion, iu desh ta mësonin shpejt e shpejt duke kaluar disi faza. Për fatin tonë të keq, ata kaluan fazat më të rëndësishme dhe më kryesorja që nuk mësuan është se liria nuk kontrollohet, ajo mund të rregullohet me ligje, dhe vetëm me ligje. Për fatin tonë të keq populli ynë kishte vuajtur shumë në komunizëm dhe nuk patën fuqinë e duhur për të luftuar, përsëri u kënaqëm me atë që na dhanë. Liria e fjalës për momentin është e vetmja liri, e cila ekziston në Vendin tim. Edhe kjo në varësi të interesave të pronarëve të mediave, të cilit ashtu si klasa politike, mendojnë se kanë ekskluzivitetin e Lirisë. Liria e zgjedhjes, e të vepruarit, e të menduarit janë thjesht një fasadë.

Liria ka nevojë të garantohet dhe për sa kohë kur Shteti klasa nuk e do, atëherë jemi të destinuar të dështojmë.

Në Vendin tim ekzistojnë ligje të mira, madje disa shumë të mira. Kjo është si pasojë e ndërhyrjes së “huaj” dhe kopjimit të disa prej sistemeve më të mira në botë. Pra me pak fjalë mund të themi se kemi të paktën në letra një “Shtet ligjor”, Bashkimi Europian na i ka prishur fasadën, duke na vënë në dukje, se Shteti Ligjor duhet treguar me vepra dhe jo me fjalë të bukura. Sigurisht ka patur përpjekje për ta përirësuar kritikën. Ligji për nëpunësin civil ishte shembulli i parë, më në fund disa hapa para. Por JO! Sepse te ne zbatimi i ligjit ndryshon me ndryshimin e qeverisë, dhe ja ku klasa jonë politike e “nxori sërish kokën”. Iku kjo, sepse në Shqipëri një shprehje e vjetër thotë se çudia më e madhe tre ditë zgjat. Më në fund një bashkëpunim politik, i cili erdhi me Ligjin për dekriminalizimin. Por ligji u desh të amendohej, sepse “mendjet e ndritura” të klasës politike nuk ditën të bënin punën e tyre, duke ngelur në klasë.

Që kur filluan për herë të parë bisedimet, reforma në drejtësi u konsiderua si një “Tortë”, ku çështja kryesore ishte se kush do merte pjesën më të mirë. Dhe sigurisht kur nuk merr pjesën që do, çohesh nga tavolina e marrëveshjes.

Pra dolëm te pika e tretë, Drejtësia. Pse u dashka reforma në drejtësi? Në këto vite nuk kam parë ndonjë gjyqtar ose prokuror të pushuar, të transferuar ose qoftë të burgosur. Drejtësia jonë funksionon, pse na duhet një reformë? Sërish duhet të vijë Bashkimi Europian dhe të thotë, se ajo që ne po përjetojmë nuk është drejtësi, dhe unë si jurist, si individ që e studioj, nuk e di si ta quaj? Ka vendime që janë dhënë e që janë të sakta, por drejtësia është për popullin dhe në qoftë se një qytetar i thjeshtë ka frikë t’i drejtohet gjykatës,(nuk ka besim – ne vend te : ka frikë) Drejtësia ka marrë fund. Pse ka frikë, sepse gjyqtari mund t’i kërkojë rryshfet, sepse pala tjetër mund të jetë më e “fortë”. Drejtësia duhet të ndihet jo nga pushtetarët, për t’i shpëtuar burgut, por nga qytetarët për të qenë më të sigurt. Duhet një drejtësi për Popullin dhe nga Populli, duhet një drejtësi sipas sistemit Amerikan të së drejtës.

Në fund të fundit, “perëndimi” nuk është thjesht një pozicion apo bashkim politik, por një “frymë” të menduari, të cilën për shumë arsye ne nuk e kemi dhe aq më shumë, klasa jonë politike nuk e ka. Shpresa se Europa nuk do tregohet kaq e rreptë me ne, është drita në fund të tunelit tonë Europian.

Për sa kohë të kemi njerëz që nuk e duan Lirinë, se kanë frikë prej saj, që nuk e duan Shtetin ligjor se kanë frikë se do të humbasin pushtetin dhe që nuk e duan Drejtësinë se do të humbasin privilegjet e tyre, Bashkimi Europian do të jetë si një mirazh për Shqipërinë, mirazh i cili sa më shumë t’i afrohemi aq më shumë largohet.

                                                                                                                       Përgatiti: Heraldo Panozaqi
                                                           Artikull i përzgjedhur i Konkursit në Kuadër të Ditës së Europës 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk