All in Europe

All in Europe

Të gjitha këto shfaqeshin në pajisje hi-tech ku secili mund të kontrollonte GDP-n e vendit, popullsinë, të dhëna të tjera socio-ekonomike apo thjesht të ulej në poltronat e imituara të Parlamentit Evropian. Më besoni. Hollet e këtyre prezantimeve gëlonin po njësoj si korridoret e hostelit ku qëndroja. Me të njëjtën larmishmëri njerëzish. Provova të kërkoja për Shqipërinë dhe pas të dhënave zyrtare mbi shtetin tim ishte një dritare e vogël opsionale me mbishkrimin “Kush e përfiton statusin e azilantit”? Ndërsa në Tiranë kisha hasur vetëm një kënd informimi mbi Bashkimin Evropian. U ktheva nga Berlini i mbushur me shpresë për një Evropë të bashkuar duke e parë si një mundësi të madhe. Fundja a s’jemi të gjithë Evropa?!

Tanimë u bënë tre vjetë që kam përfunduar studimet dhe më së shumti për arsye fati sesa meritokracie ushtroj profesionin e juristit në fushën e sigurimeve. Sot në një orar të ngarkuar pune dëgjuam lajmin mbi rekomandimin pozitiv të çeljes së negociatave me BE-në. Lajm më shumë se i gëzueshëm për mua përkundrejt injorimit të kolegëve të zyrës që njëzëri bërtisnin:“Kujt i intereson Evropa? Shqiptarët nuk kanë bukë mjaftueshëm në tavolinat e tyre.”

Mua më intereson Evropa.

Dhjetë vite më parë edhe pse studioja në gjimnazin më të mirë të Tiranës kisha zero informacion mbi shkëmbimet kulturore në Berlin, Milano apo Lisbonë. Informacioni depërtonte nëpër kanale aq të ngushta miqësish dhe jo të gjithë e merrnin vesh mundësinë. Mungesë totale aksesi. Sot, çdo mundësi shpallet formalisht në auditor, madje mund ta gjesh edhe në posterat e afishuar në muret e shkollës apo në rrjetet sociale. E sigurisht që forcimi i marrëdhënieve me familjen evropiane ka ndikuar për një qasje të tillë të hapur.

Pastaj bujqësia…Me aq shumë potencial në Shqipëri. Por kush i përfitonte grantet e bujqësisë më përpara? Disa fshatarë me fat apo kryetarë komunash me përkrahje politike të brendshme. Të tjerët as nuk integroheshin me skemat e ndërlikuara të subvencioneve për të cilat duheshin trajnime pas trajnimi. Sot, përtej ngjyrimeve politike situata është më ndryshe për hir të së vërtetës. Sepse Evropa nuk ka dallime shumëngjyrëshe, por vetëm ngjyrën e shpresës.

Evropa jemi ne. Anëtarë të kësaj familje janë të gjithë nga pak. Ndjenja e të qënit evropian është ngulitur te populli shqiptar që në gjenezë. Dua të them, në zemër të Mesdheut, kufi tokësor me Greqinë dhe atë detar me Italinë, si mund të mos jemi e ndihemi evropianë?

Por të qenit pjesë e bashkësisë së madhe është diçka tjetër. Sepse Evropë do të thotë:

-një i ri shqiptar që ndjek studimet për marketing në Berlin me të njëjtat tarifa si një gjerman

-një fshatar që plotëson një formular të thjeshtë subvencionimi dhe rimbursohet shpejt për rrënjët e mbjella të ullirit

-një çift të moshuarish që gëzojnë një pension të shëndetshëm e për pasojë pushime në çdo cep të kontinentit

-një standard i lartë cilësie që nga shishja e qumështit e deri te rrjetat e peshkimit

-një shoqëri e hapur dhe jo kundërshtuese kundrejt çdo fenomeni të “ri e jo të pranueshëm”.

E pranoj. E dua Evropën. E për pasojë dua më shumë vendin tim. Nuk jam euro skeptik që mendoj çdo ditë argumenta kundër aderimit në BE apo fundit të saj të afërt. Për mua Evropa i ngjan një lokomotive të fuqishme politiko-ekonomiko-sociale që tërheq përpara çdo vagon të saj. Pastaj, nuk është se po kërkojmë më shumë seç jemi e kemi qenë gjithmonë- EVROPIANË. Nuk jam i sigurt se kush ka më shumë nevojë për tjetrin Shqipëria apo Evropa. Por në fund fitojnë të gjithë. Sepse Evropë do të thotë një mundësi e barabartë për të gjithë.

                                                                                                   Antonio Sulaj, jurist në fushën e sigurimeve

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk