Facebook nën hetim nga Bashkimi Europian

Facebook nën hetim nga Bashkimi Europian


Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani në një postim në Twitter deklaroi se kompania e të dhënave Cambridge Analitica me bazë në Londër, kishte grumbulluar të dhëna masive me anë të Facebook, për të nxitur referendumin e Brexit dhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2016. Kjo përbën një shkelje të papranueshme të privatësisë së përdoruesve së rrjetit social Facebook. Presidenti i Parlamentit Europian në fjalën e tij u shpreh se do të ketë një angazhim për të kryer një hetim të plotë dhe efektiv ndaj kësaj çështjeje. Ai u shpreh: "Ky incident është më shumë se një shkelje e të dhënave, është një shkelje e besimit që mund të kërcënojë vetë funksionimin e demokracisë".

Claude Moraes, kryetarja e Komitetit të Lirive Civile të Parlamentit (LIBE), dërgoi një letër në Facebook të hënën (më datë 19 mars) duke i kërkuar kompanisë që të marrë pjesë në një seancë lidhur me këto akuza më 26 ose 27 mars, 9 ose 12 prill. "Praktika të tilla janë shqetësuese dhe ngrenë pyetje serioze rreth respektimit të të drejtave themelore të privatësisë, mbrojtjes së të dhënave dhe lirisë së shprehjes së përdoruesve të prekur", shkroi Moraes në letrën e saj drejtuar Facebook. Zyra e saj gjithashtu i dërgoi letër autoriteteve kombëtare të mbrojtjes së të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë

Gazetat “The Observer” dhe “The New York Times” njoftuan më datë 17 mars se Cambridge Analytica mund të ketë marrë informacion të paligjshwm nga 50 milionë profilet e Facebook dhe i ka përdorur ato për të ndikuar në dy fushatat politike pa njoftuar përdoruesit.

Autoritetet zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës gjithashtu po e hetojnë këtë çështje. Shefja e mbrojtjes së të dhënave britanike, Elizabeth Denham, në një intervistë deklaroi: "Një kuptim i plotë i fakteve, rrjedhave të të dhënave dhe përdorimit të të dhënave është imperativ për hetimin tim në vazhdim. Kjo përfshin çdo informacion të ri, deklarata apo prova që kanë dalë në dritë në ditët e fundit. "

Facebook nga ana tjetër i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj kompanisë së saj. Ajo deklaroi se i kishte pezulluar llogaritë e Cambridge Analitica. Ndërsa vetë kompania Cambridge Analitica mohoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj saj duke deklaruar se është në përputhje me të gjitha rregullat e privatësisë së Facebook dhe as nuk ka keqpërdoruar të dhënat e tyre.

Komisionerja e Drejtësisë së Bashkimit Europian Vera Jourova do të takohet me përfaqësuesit e Facebook gjatë një vizite në Uashington në fund të marsit. Udhëtimi i saj tashmë kishte planifikuar takime me zyrtarët e qeverisë amerikane duke përfshirë Sekretarin e Tregtisë WIlbur Ross dhe Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, por Jourova nxitoi të organizonte takimin me Facebook me tu shfaqur akuzat rreth njohurive të firmës për keqpërdorim të të dhënave.

Mbrojtësit kombëtar të të dhënave personale duhet që të bashkëveprojnë me institucionet e Bashkimit Europian për të ruajtur të dhënat personale sipas ligjit të BE-së dhe për të dënuar të gjitha shkeljet e mundshme.

Në maj Bashkimi Europian pritet të nxjerrë një ligj të ri më strikt dhe që i jep më shumë kompetenca autoriteteve kombëtare për të luftuar këtë fenomen. Ata do të jenë në gjendje të fillojnë hetimet në mbarë BE-në për shkeljet e mbrojtjes së të dhënave dhe të rrisin gjobat rekord deri në 20 milionë euro ose 4% të qarkullimit global të një kompanie.

                                                                                                                                      Euractiv, mars 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk