Të jesh i papunë në kohëra pandemie

Të jesh i papunë në kohëra pandemie

***


Në qoftë se në SHBA mbi 14.5% e qytetarëve kanë humbur vendet e tyre të punës, në Europë situata rezulton të jetë më nën kontroll ku sipas statistikave, përqindja e papunësisë ka pësuar ndryshim duke arritur në 6.6% në Bashkimin Europian dhe në 7.3% në zonën euro (Eurostat, 2020). Pretendohej që shifrat të ishin më të ashpra, por përqindja e papunësisë në Europë ka qenë më e stabilizuar si pasojë e pamundësisë për të kërkuar për punë ose dorëzimit përballë izolimit dhe masave të rrepta të lëvizjes, pra këta individë që vazhdojnë të jenë të papunë gjatë Covid-19, duhet të konsiderohen në status jo-aktiv ose pasivë sesa të papunë, shprehen disa ekonimistë, të cilët përpiqen ta shpjegojnë këtë fenomen të lidhur ngushtësisht me rënien e përqindjes së punësimit, e cila ka qënë më e lartë sesa ajo e papunësisë, duke i trajtuar si procese të ndara. Individët që përfshihen në kategorinë e pasivitetit në tregun e punës janë ata individë të cilët mund të jenë ose jo të punësuar, por nuk janë pjesë e sistemit të punës së paguar. Pra, mund të jenë fëmijë, studentë, të moshuar apo individë të cilët nuk kërkojnë për punë momentalisht. Sigurisht ky do ishte shpjegimi më i thjeshtë, por në statusin jo-aktiv të punës, përfshihen të gjithë individët të cilët nuk janë të siguruar nëse kryejnë aktivitete me anë të të cilave mund të nxjerrin përfitime ose si quhet ndryshe puna në të zezë. Për ta kuptuar konkretisht ku qëndron diferenca le të marrim shembullin e Italisë. Punësimi në Itali ra me 274 000 punonjës midis marsit dhe prillit, ndërkohë që përqindja e papunësisë ra nga 8% në 6.3%. Kjo situatë solli rritjen e punëmarrësve pasivë në tregun e punës me 746 000, duke rritur kështu përqindjen e pasivitetit të vendit nga 36.1% në 38.1%.


As në Spanjë situata nuk duket pozitive, ndërkohë që papunësia ka arritur në 14.1% në tre muajt e parë të këtij viti. Si një nga vendet më të prekura në botë për sa i përket numrit të të infektuarve, izolimi i ashpër pasoi me një total prej 5.2 milionë qytetarësh që kërkojnë të përfitojnë prej asistencës sociale si të papunë, e cila e tejkaloi me 207% shumën e përgjithshme të përfitimit social të vitit të kaluar.


Ndërkohë që vendet e Europës Jugore po hasen me vështirësi në planin ekonomik, Gjermania qëndron e sigurt se plani i saj Kurzabeit, do të shpëtojë shumë vende pune dhe ka tërhequr vëmendjen e vendeve të tjera të Bashkimit Europian si Franca, Belgjika, Hollanda të cilat kërkojnë të adoptojnë masa të ngjashme. Plani Kurzarbeit ose i përkthyer si "punë me kohë të shkurtër", pretendon që bizneset të cilat janë duke u hasur me rënie të kërkesave në mënyrë të përkohshme dhe të paevitueshme për shkak të pandemisë, mund të aplikojnë për subvencionime shtetërore për punonjësit e tyre, ndërkohë që aktiviteti i tyre është në pritje të lehtësimit të masave. Ky plan që është i parashikueshëm për çdo situatë krize (pra jo vetëm si pasojë e Covid-19) përfshin 60% të pagës neto të humbur, e cila shkon në 67% për individët që kanë fëmijë. Sigurisht që kompanitë mbeten ende përgjegjëse për pagesat e punonjësve dhe duhet të aplikojnë për të përfituar këtë rimbursim nga shteti. Një numër i madh kompanish, 470 000, kanë aplikuar në mars për të përfituar nga subvencionet që tregon faktin se 20% e forcës së punës në Gjermani ka qenë e prekur nga kjo situatë.


Izolimi, paqartësia e së ardhmes, frika nga infektimi, përballja me moritë e lajmeve të rreme është paralizuese për pjesën dërrmuese të njerëzve. Shtoji këtyre distancimin social, pamundësinë për kontakt fizik, sinjalet e alarmit të ambulancave, makinave të policisë dhe eleminimin e aktiviteteve të jetës që përfshinin takime me njerëz të tjerë. Tani përpos këtyre shtoji edhe mungesën e të ardhurave, pasigurinë ekonomike apo ndoshta edhe urinë. Në shoqërinë e konsumit, ku pasiguria është fjala e ditës, puna rrjedhimisht bëhet qëllimi i jetës. Por, në rastin e pandemisë dhe izolimit, pasiguria godet në mënyrë të trefishtë: njëherë me infektimin, herën e dytë me papunësinë, herën e tretë me të ardhmen e paqartë. Domosdoshmërisht, në këtë rast ankthi gjen lehtësisht vend prehjeje dhe avancimi po ashtu si virusi vdekjeprurës. Sidoqoftë, papunësia nuk mbetet më një problem i lidhur ngushtësisht me pandeminë, pra nuk është ciklike, që shfaqet në raste krizash dhe zhduket si pluhur më pas. Papunësia është një problem strukturor, që prek pjesën dërrmuese të klasës punëtore të varfër apo minoritetet e shtypura raciale,dhe përbën sot një nga rreziqet më të mëdha sociale në Europë.


Bashkimi Europian ka një traditë të gjatë lidhur me tentativat për të luftuar papunësinë dhe përjashtimin social me anë të Fondit Social Europian, por edhe me iniciativa të tjera që i shtohen asaj, të cilat bëhen të mundura në sajë të aktiviteteve me natyrë sistemuese dhe rregullatore midis institucioneve europiane të përfituara nga dialogu social midis atyre që përfaqësojnë kapitalin dhe atyre që bëjnë punën, si dhe pjesëmarrjen e gjerë të organizatave jo-qeveritare dhe grupeve të interesit që përfaqësojnë komunitetet e margjinalizuara (veçuara) dhe janë aktivë në forumet dhe shërbimet sociale. Lufta kundër papunësisë në Europë lidhet me dy objektiva kyç (Giugni 2009):


• Nxitjen e punësimit dhe reduktimin e numrit të të papunëve në vendet anëtare të BE-së.

• Limitimin dhe mundësisht evitimin e pasojave negative të papunësisë në terma varfërie, pasigurie, përjashtimi social apo mungesë të bashkërendimit social.


Këto objektiva lidhen qartazi me zhvillimin dhe efiçiencën e shtetit të mirëqenies, pa të cilin individët e gjendur në situata pasigurie nuk do të mund të gjenin kompensim për dëmin që mund t'iu jetë shkaktuar nga papunësia. Mënyrat dhe sasia e përgjigjeve të shtetit të mirëqenies ndaj kërkesave të këtyre qytetarëve është i ndryshëm nga shteti në shtet, në varësi të karakteristikave mbi të cilat është themeluar shteti i mirëqenies në vendin përkatës. Prandaj edhe në disa vende të Bashkimit Europian plani për përballimin e situatës së pandemisë rezulton më efikas sesa në vende të tjera. Shteti i mirëqenies (Schubert, Hegelich, Bazant, 2009) njihet thjeshtësisht si ndërhyrja e shtetit në fuqinë e tregut për t'u siguruar kundër rreziqeve sociale siç janë: papunësia, sëmundjet dhe mosha e thyer. Me zgjerimin dhe përforcimin e Bashkimit Europian, shteti i mirëqenies ka filluar të transformohet në një proces shumë kompleks si pasojë e përplasjes me tregun e vetëm europian ku politikat shtetërore sfidohen nga politikat europiane dhe anasjelltas.


Sidoqoftë, përveç masave që çdo shtet anëtar i BE-së ka marrë kundër papunësisë "pandemike" Bashkimi Europian do të asistojë me ndihma financiare shtesë për të mbrojtur qytetarët nga humbja e punës. Komisioni Europian (European Commission, 2020) ka propozuar vendosjen e një instrumenti tip-huaje të përkohshme si ndihmë financiare për shtetet anëtare mbi bazën e Nenit 122 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian. Instrumenti i ri i quajtur SURE (Support to mitigate Unemployment Risks in an Emergency) përmban ndihma mbi 100 billion euro për vendet e prekura nga pandemia dhe do të shërbejë me qëllimin për të luftuar pasojat negative ekonomike dhe sociale që priten të shfaqen akoma edhe më shumë në vijueshmëri. Në asistencë të shteteve anëtare të cilat i kanë rritur tashmë përtej normës vjetore shpenzimet publike për ruajtjen e vendeve të punës, SURE do funksionojë "në linjën e dytë mbrojtëse" duke mbështetur skemat e punës me kohë të shkurtër (ashtu si në rastin e Gjermanisë), duke respektuar njëkohësisht kompetencat dhe sovranitetin e shteteve anëtare në lidhje me sistemin e sigurisë sociale dhe masat e shëndetësisë.


Pavarësisht skemave dhe planeve financiare të hartuara si nga vendet anëtare të BE-së po ashtu edhe nga vetë instancat e larta të BE, problemi i papunësisë mund të mbetet ende një dilemë duke pasur parasysh polarizimin e shoqërisë. Zgjidhja që shumë ekspertë të ekonomisë japin, është propozimi i të ardhurave standarde për të gjithë (UBI), për të evituar thellimin e mëtejshëm të pabarazive shoqërore që pandemia i ka nxjerrë në sipërfaqe. Në një kohë pasigurie dhe destabiliteti politik, ekonomik dhe shoqëror, paraqitja e UBI (Universal Basic Income) do ishte siguria që të gjithë kërkojnë, e cila mund t'iu garantojë qytetarëve një shumë të ardhurash sadopak modeste që do i bënte të ndiheshin të sigurt dhe të mbrojtur nga varfëria apo uria. Bota pas pandemisë nuk pritet të jetë më e njëjta si më parë dhe ndoshta ky do ishte momenti i duhur i qasjes ndaj një politike më egalitare dhe gjithëpërfshirëse për çdo qytetar europian.

Xhenis Shehu, Stafi i EuroSpeak, qershor 2020

Referenca:


Carreño, B. (2020, Maj 5). Spain's jobless rate slows, but record number of people claim benefits. Retrieved Qershor 17, 2020, from Reuters: https://www.reuters.com/article/us-spain-economy-unemployed/spains-jobless-rate-slows-but-record-number-of-people-claim-benefits-idUSKBN22H0MR


Commission, E. (2020). SURE (Supporting Member States to help protect people in work and jobs).


Eurogroup. (2020, Prill 09). Report on the comprehensive economic policy response to the COVID-19 pandemic. Retrieved Qershor 17, 2020, from https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2020/04/09/report-on-the-comprehensive-economic-policy-response-to-the-covid-19-pandemic/?fbclid=IwAR1Xrds-L0WwzqhH6BEy-UHl18cYxWm33KOIstPNFPphYzR-nKerzc9lvuA


Eurostat. (2020). Unemployment statistics. https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php/Unemployment_statistics#Unemployment_in_the_EU_and_the_euro_area.


Giugni, M. (2009). State and Civil Society Responses to Unemployment: Welfare, Conditionality and Collective Action. In M. Giugni, The Politics of Unemployment in Europe. Policy Responses and Collective Action (pp. 1-16). Surrey: Ashgate.


Klaus Schubert, Simon Hegelich, Ursula Bazant. (2009). European Welfare Systems: current state of research and some theoretical considerations. In S. H. Klaus Schubert, The Handbook of European Welfare Systems (pp. 3-29). New York: Routledge.


Look, C. (2020, Prill 03). Explaining Kurzarbeit, or Saving Jobs the German Way. Retrieved Qershor 17, 2020, from Bloomberg: https://www.bloomberg.com/news/articles/2020-04-03/how-germany-pays-workers-when-their-work-dries-up-quicktake


Martin Arnold, Valentina Romei. (2020, Qershor 03). Unemployment rises in Europe as coronavirus ends labour market recovery. Retrieved Qershor 17, 2020, from Financial Times: https://www.ft.com/content/b26beabf-fd2f-4712-8f0a-633df335672b

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk