Emigrantët dhe azilkërkuesit shqiptarë

Emigrantët dhe azilkërkuesit shqiptarë


Lind pyetja, pse këta grup njerëzish po largohen nga vendi ynë dhe jo ata në nevojë? Përgjigja është shumë e thjeshtë: jeta në Shqipëri është bërë shumë e vështirë, kështu që edhe një njeri me ekonomi të mirë nuk e përballon dot. Të imagjinojmë se çfarë heqin ata njerëz të papunë, të varfër. Kjo do të thotë se ata duan të ikin nga Shqipëria, por nuk kanë mundësi financiare të ikin. Prandaj shumica e popullit shqiptar shprehin dëshirën e tyre pa hezituar që të largohen sa më parë nga ky vend. 

Në ditët e sotme, po flitet jashtëzakonisht shumë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, e si do të realizohet kjo? Në një kohë kur shqiptarët duan të ikin jashtë. Kjo është një çështje shumë delikate dhe që duhet trajtuar me kujdes nga qeveria shqiptare për të ulur, jo vetëm numrin e emigrantëve azilkërkues, por të largojë idenë e popullit që të marrë rrugën e migrimit. Sigurisht që kjo e fundit realizohet duke mundësur jetesën më të mirë dhe punë të sigurt, sepse me premtime asgjë nuk realizohet.

Diçka shqetësuese që shihet shumë qartë është rritja e numrit të azilkërkuesve vitin e fundit. Edhe pse është viti 2018, dhe është qetësuar vala e madhe e emigrimit të shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian, sidomos Gjermanisë të ndodhur tre vite më parë, sërish edhe sot numri i tyre mbetet i lartë. Siç e përmenda më lart, ata që po ikin më tepër janë të rinj të sapo diplomuar.

Vendi ynë nuk po i siguron aspak një vend pune për të rinjtë që diplomohen vitet e fundit. Madje edhe për ata studentë që mbarojnë një shkollë profesionale sërish nuk ka vende të mjaftueshme pune për të gjithë. Mirëpo ku do të shkojnë të rinjtë, kur ata nuk kanë asnjë vend pune ku të punojnë për të siguruar jetën e tyre? Zgjidhja e vetme është emigrimi drejt vendeve të huaja që ia mundëson këtë jetë. Për të gjithë të rinjtë e arsimuar është një punë shumë e keqe pastrimi i tualeteve, apo puna në azil, e deri pastrues tek një qytetar: nuk është një punë e mirë për një shqiptar të arsimuar ku ai shumë mirë mund të punojë në vendin tonë në fushën e tij ku është diplomur apo, edhe në zanatin e tij në rastet e shkollave profesionale.

Jemi shumë dobët në fushën e punësimit. Kjo duhet rregulluar shumë shpejt se në fund do të marrë përmasa tepër të mëdha ku nuk do të mund të ndalohet dot. Një mundësi e mirë dhe kryesore për rregulluar punësimin në Shqipëri është ulja e moshës së daljes në pension. Me daljen më herët në pension, rritet numri i vendeve të lira për të rinjtë. Po ashtu duhet të rriten të ardhurat për frymë nga qeveria që populli të përballojë të gjithë shpenzimet minimale për jetesën e tij. Gjithashtu Shqipëria duhet të kërkojë një marrëveshje për migrimin e menaxhuar të të aftëve, gjithmonë duke mbajtur parasysh rreziqet e rrjedhjes së trurit dhe afësive. Duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar dhe zgjeruar strukturën e punësimit dhe mundësive të biznesit në Shqipëri, në mënyrë që më pak njerëz të jenë pesimistë për të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe ta shohin migrimin si rrugë të vetme.

Nëse të gjithë shqiptarët e arsimuar ikin në mërgim jashtë, në vendet e Bashkimit Europian, atëherë çfarë do të ndodhë me punët që kërkojnë të kualifikuar këtu brenda në Shqipëri? Këto vende atëherë do të jenë në mëshirë të fatit. Një person i pakualifikuar nuk mund ta ushtrojë detyrën ashtu siç duhet, por do të lërë shumë për të dëshiruar.

Marrim një shembull konkret. Nëse në një fabrikë, punëtori i kualifikuar si inxhinier elektronike të pajisjes largohet nga Shqipëria, vendin e tij do ta zërë një i pakualifikuar. Ky i fundit duke mos u shkolluar në këtë fushë, nuk di ta menaxhojë si duhet pajisjen. Dhe si do të proçedohet e gjithë puna nëse pjesa më e madhe e të kualifikuarve ikin nga Shqipëria e punët e tyre i zënë të pakualifikuarit?

Po ashtu, marr shkas nga lajmërimet e fundit që qeveria gjermane ka nxjerrë për të gjithë infermierët shqiptarë të diplomuar, ku ata mund të fillojnë punë duke ushtruar zanatin e tyre në Gjermani. Këtu në Shqipëri çfarë do të ndodhë në një kohë kur të mos ketë më infermierë për të ushtruar porofesionin e tyre në spitalet shqiptare? Cilët do të jenë ata që do të punësohen si infermierë për të shërbyer në shërbimin spitalor? Ky do të jetë një kolaps i madh jo vetëm për punën e kryer dhe për njerëzit, por edhe për të gjithë ekonominë e vendit tonë. Një njeri i pakualifikuar dhe paarsimuar nuk do të arrijë kurrë të kryejë apo të zëvendësojë një punë që mund ta bëjë shumë mirë një i specializuar për fushën e saj.

Atëherë, për çfarë i nevojitet integrimi Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur nuk mund ta konkurrojë atë dhe të plotësojë nevojat e Europës, kur nuk mbizotëron asnjë i arsimuar? Një shteti i shërben vetëm një i arsimuar dhe i kualifikuar. Vetëm një person i tillë mund të arrijë të ngrejë apo të krijojë një shtet me një ekonomi të mirë dhe të zhvilluar.

Nëse kthehemi sërish pas në kohë, ishin të arsimuarit si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, e shumë të tjerë ata që krijuan shtetin e sotëm me gjuhën dhe alfabetin që kemi sot. Kështu që të arsimuarit duhet të qendrojnë në Shqipëri për ta rrregulluar dhe jo ta lënë e ta braktisin, ndërkohë që të pashkolluarit festojnë duke e shijuar dhe lirinë dhe njëkohësisht duke e shkatërruar plotësisht Shqipërinë.

Në fakt nuk është faji i askujt, pasi të arsimuarit nuk kanë fuqi të ngrenë krye për të ecur përpara dhe ta rregullojnë Shqipërinë dhe nga ana tjetër edhe të paarsimuarit nuk kanë faj pasi ata përfituan nga liria që ia dhanë. Këta të fundit kështu janë mësuar të jetojnë nuk dinë të rregullojnë, por dinë vetëm të shkatërrojnë. Qeveritarët nuk duhet ta lejojnë këtë që po ndodh.

Është koha që të ngrihemi dhe të punojmë për të rregulluar vendin tonë. Jo vetëm për të ulur numrin e azilkërkueve shqiptarë, por edhe për të përmirësuar jetesën e popullit. Protesta e studentëve është një hap madhor që tregon se studentët shqiptarë janë lodhur nga kjo epokë shaktërruese e arsimit dhe të ardhmes së tyre. Më në fund ata kanë reflektuar dhe janë bashkuar për të përmbushur dëshirat dhe plotësimin e kushteve për një jetesë më të mirë. Këtë gjë duhet të bëjnë të gjithë shqiptarët pa përjashtim.

Mirëpo nuk mendoj se kjo mënyrë (protesta), është zgjidhja e vetme. Gjithçka fillon nga ndryshimet që duhet të bëjë qeveria shqiptare për të përmirësuar kushtet e jetesës. Siç e përmenda edhe më sipër, një hap është ulja e moshës së pensionit. Së dyti: Shqipëria është një vend që ka hapsira të shumta për të investuar në fusha të ndryshme. Një fushë është turizmi. Nga turizmi shumë vende edhe pse të vogla kanë arritur të kenë një ekonomi të zhvilluar. Një hap tjetër kryesor është ulja e taksave, sepse me uljen e taksave hap rrugën e ardhjes së investitorëve të huaj.

Për ta përmbyllur, një fjalë e urtë popullore thotë: shpresa vdes e fundit. Kështu që shpresa për të rregulluar Shqipërinë nuk është shuar ende. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të ketë një ndikim të madh në ecurinë e zhvillimit të Shqipërise për të luftuar varfërinë dhe funksionimin e një shteti të mirëqeverisur.

                                                                                       Sadik Çollaku, pjesëmarrës në Konkursin e Artikujve

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk