Një Europë e Bashkuar ?!

Një Europë e Bashkuar ?!


Por tani më 29 Mars 2017 Mbretëria e Bashkuar paraqiti para Parlamentit Europian hapjen e procedurave për të dalë nga BE, duke “aktivizuar” të famshmin nenin 50 të Traktatit të themelimit të BE. Edhe pse kjo është periudha më e gjatë e paqes që kontinenti i vjetër ka njohur, situata nuk është më e njëjtë dhe Europës po i “dridhen këmbët”. Schuman do thoshte që në fillimet e themelimit të BE-së, Mbretëria e Bashkuar do të pranojë të integrohet në BE vetëm e detyruar nga ngjarjet. Personalisht mendoj se MB nuk ka pasur kurrë dëshirën e plotë për të qenë në BE. Krenaria e tyre dhe dëshira e tyre për të qenë ndryshe i ka dhënë shenjat përherë në histori,duke filluar që nga të pasurit e një Kishe të veçantë, te krijimi i CommonWealth e deri te mënyra e të ecurit të makinës në rrugë.

- Dyndjet migratore të personave me besim mysliman,
- Të kontrolluarit vetëm të vetes
- Kthimi i tregtisë vetëm me vendet koloniale
- Mbretëri e Bashkuar më e fortë

Këto janë disa nga arsyet që kanë shtyrë gati 52% të qytetarëve të jenë pro daljes nga BE.
Dalje nga ky komunitet apo treg i përbashkët, nuk është thjesht “një hapje e derës dhe në momentin që kalon pragun, je jashtë.” JO. Janë firmosur traktate, janë marrë përsipër detyrime ndaj shteteve të tjera. Shumë njerëz që punojnë në MB, shumë biznese që kanë aktivitet në MB ose e kundërta do të penalizohen nga kjo lëvizje. Ekonomia europiane mund të pësojë një kolaps, shenjat e para janë dhënë. Monedha Britanike ka përjetuar rënie. Kjo nuk është një situatë normale, sepse “plagët” e lëna nga kriza ekonomike e 2008 nuk janë larguar ende, madje shumë shtete anëtare janë ende duke u përpjekur të shpëtojnë.

Por BE është më tepër se një treg i përbashkët, është një bashkim politik dhe ushtarak. Në të gjitha këto vite MB ka qenë një shtet shumë i rëndësishëm si në politikën e brendshme të BE dhe në ata të jashtme. Barazia midis shteteve anëtare është një nga parimet themelore, parim i cili mund të cenohet, duke pasur në vëmendje rëndësinë e MB. Duke i shtuar këtij largimi një Itali të dobët si ekonomikisht dhe politikisht, dhe një Francë që nuk është në ditët e saj më të mira mund të vijë si pasojë një përforcim i udhëheqjes së BE nga një shtet shumë i fortë si Gjermania. Por kurrsesi nuk duhet të harrojmë faktin se në arenën ndërkombëtare kemi një përforcim të Kinës, që është sot ekonomia e dytë në botë, vetëm pas ShBA si dhe një Rusi më agresive se në vitet e fundit.

Pavarësisht problemeve të parashtruara më sipër, unë mendoj se problemi më i madh është një: krijimi i një “precedenti” për të dalë nga unioni sa herë që çdo shtet mendon se politikat e tij të brendshme nuk janë 100% të përputhshme me ato të BE. Kjo është një frikë reale, e bazuar në të dhëna paraprake. Mos të harrojmë që sot në botë, por dhe në Europë po fillon ngadalë dhe si në fshehtësi një frymë nacionalizmi. Në fillim Rusia anekson Krimenë, se ajo mendon se është një territor me etni ruse, më pas MB voton pro daljes nga BE për të qenë sa më e fortë, në Francë forcat nacionaliste të Le Pen mund të zhvillohen dhe madje të votohen, dhe deri tek super-nacionalizmi i Trump i cili fiton zgjedhjet për ta bërë Amerikën të madhe sërish. Të gjitha këto shenja, me në krye largimin e MB, po krijojnë një ide që BE nuk është me aq solide sa disi vite më parë dhe ka filluar të dobësohet.

Në fillesat e saj si projekt ëndërrohej se BE mund të shkonte drejt një solidarizimi, drejt një federate, drejt unitetit, por sigurisht që BE nuk “bëhet me një ditë”, do të shprehej ideatori i saj Robert Schuman. Tashmë kanë kaluar thuajse 70 vjet dhe më duket se po kthehemi aty ku e nisëm, sepse procedurat për “divorc” nisën. Le të shpresojmë që do të jetë një divorc i paqtë dhe pa dhimbje për të dyja palët.


Punoi: Heraldo Panozaqi
Konkursi i Artikullit: Si do të jetë BE në 2025?
EU Day 2017

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk