Faza e Dytë e Brexit- Pyetje Përgjigje

Faza e Dytë e Brexit- Pyetje Përgjigje


Parlamenti Europian do të duhet të miratojë çdo marrëveshje të Brexit, edhe pse mocioni i saj më 13 dhjetor 2017, mbështetur nga 556 vota pro e vetëm 62 kundër, nuk ishte e detyrueshme. Në një deklaratë, presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, tha se rezoluta e miratuar është një hap i rëndësishëm përpara dhe do të na lejojë të shkojmë në fazën e dytë.

"Unë dua të përgëzoj negociatorin tonë Michel Barnier për këtë arritje dhe theksoj se 27 shtetet anëtare dhe tre institucione kanë shfaqur unitet, transparencë dhe kuptim të qëllimit në këtë fazë të parë delikate", tha Tajani. "Ndërsa jam optimist sa i përket fazës së dytë, ne duhet të sigurojmë që raporti i përbashkët është në përputhje me formulimin e Traktatit të Daljes", shtoi ai. "Asnjë diskutim mbi marrëdhëniet e ardhshme nuk do të zhvillohet nëse parimet e përmbajtura nuk zbatohen".

Sipas Tajanit, arritja e "përparimit të mjaftueshëm" nuk do të thotë që të gjitha problemet janë zgjidhur. "Rezoluta që kaloi sot shfaq shqetësimet tona më të fundit. Ne do të ndjekim nga afër, në veçanti, çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve - përfshirë procedurën administrative të vendosur në Mbretërinë e Bashkuar për të mbrojtur statusin e tyre të veçantë - dhe zgjidhjen e propozuar për çështjen e Irlandës së Veriut.” Tani që udhëheqësit e BE kanë deklaruar "progres të mjaftueshëm" në bisedimet e Brexit, fokusi i negociatave ndryshon mbi kushtet e ndarjes në marrëdhëniet e ardhshme midis Britanisë dhe Brukselit.

Gjithsesi para fillimit të fazës së dytë të bisedimeve, janë shfaqur dallimet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Teksti ligjor që rregullon tërheqjen e një vendi nga blloku sipas Nenit 50, parashikon se negociatorët duhet të marrin parasysh "kuadrin e një marrëdhënieje të ardhshme". BE-ja është fokusuar në "strukturën e marrëveshjes", ndërsa ishulli britanik vë theksin te "marrëdhëniet e ardhshme". Nga ana tjetër ka akoma pyetje dhe paqartësi që do e shoqërojnë këtë fazë të dytë. Me anë të këtij artikulli do t’u përgjigjemi disa nga pyetjeve kryesore.

1. Kur mund të arrihet një marrëveshje provizore?

Marrëveshja provizore është një angazhim i përbashkët ndërmjet negociatorëve të Bashkimit Europian dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Ky angazhim i përbashkët i palëve do të reflektohet me detaje në marrëveshjen e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Kjo marrëveshje nuk përjashton shtesa të cilat mund të jenë të nevojshme në rastin e marrëveshjeve kalimtare që mund të arrihen në fazën e dytë të negociatave, si dhe nuk përjashton diskutime që mund të bëhen në kuadër të marrëdhënies së ardhshme ndërmjet BE dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në fjalimin e saj në Firence në shtator, kryeministrja Theresa May tregoi se ajo dëshiron një periudhë tranzicioni (ose periudhë zbatimi, siç qeveria britanike preferon ta quajë) prej rreth dy vjetësh. Në marrëveshjen provizore të arritur ndërmjet kryeministres May dhe Presidentit të Komisionit Jean-Claude Juncker kërkohet që të bien dakord sa më shpejt gjatë vitit 2018 mbi marrëveshjet e tjera provizore.

Negociatori i BE, Michel Barnier vendosi një datë në tetorin e vitit të ardhshëm, 2018 për të formalizuar bisedimet mbi një marrëveshje provizore. Kjo datë konsiderohet e largët për Mbretërinë e Bashkuar, të cilët janë të dëshpëruar për qartësimin e rregullave tregtare dhe rregulloreve në tërësi në lidhje me BE në periudhën post-Brexit, (pra pas tërheqjes së tyre. )

Dhe në Parlamentin Europian jo të gjithë duken se janë dakord me këtë, kështu eurodeputeti gjerman Manfred Weber Lider i Partisë Popullore Europiane ka deklaruar se nuk mendon se BE duhet të bëjë një marrëveshje provizore derisa të tregohet më shumë përparim në fazën e dytë të bisedimeve.

2. A paraqet marrëveshja provizore ndonjë problem me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT)?

Problematika qëndron se OBT nuk mund të ketë standarde të dyfishta, pra të kryejë marrëveshje favorizuese për një partner, në rastin konkret Britania pa ua dhënë këtë mundësi partnerëve të tjerë.

Mbrojtja e madhe për UK dhe BE është Neni 24 i Marrëveshjes së Përgjithshme të OBT-së për Tarifat dhe Tregtinë. Kjo u lejon vendeve të kenë një periudhë "të arsyeshme" kohore për të zgjidhur një marrëveshje tregtare mes tyre pa u penguar nga anëtarët e tjerë të OBT-së.

3. Pastaj vijnë bisedimet tregtare, apo jo?

Barnier ka thënë se beson se një marrëveshje e plotë tregtare është e pamundur para daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE në mars 2019. Mbretëria e Bashkuar thekson se nuk do të paguajë faturën finale të Brexit nëse BE nuk i mundëson një marrëveshje tregtare përfundimtare. Në anën tjetër BE ka deklaruar se një marrëveshje mbi faturën përfundimtare të daljes do të shfaqet në një dokument ligjor detyrues, i cili është krejtësisht i pavarur nga çdo marrëveshje e mundshme tregtare. Ndërkohë Sekretari i Brexit, britaniku David Davis, beson se negociatat për një "marrëveshje tregtare thelbësore" janë të mundshme në kohën që është lënë në dispozicion.

4. Pra, çfarë lloj bisedimesh tregtare kërkojnë palët?

Ishulli britanik dëshiron të fillojë bisedimet e plota tregtare sa më shpejt që të jetë e mundur. Dy diplomatë të BE të cilët ndjekin bisedimet e Brexit në Bruksel shprehen se nuk mund të negociojnë zyrtarisht me U.K. në një marrëveshje tregtare si një palë e tretë për sa kohë Britania është një vend anëtar. Vetëm më pas, në një periudhë tranzitore do të mund të fillonin bisedimet konkrete tregtare.

Neni i mirënjohur 50 bëri të mundur procesin e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE, por ekspertët mbi legjislacionin europian thonë se një marrëveshje mbi marrëdhëniet e ardhshme midis dy palëve mund të ndërmjetësohet vetëm në bazë të Nenit 218, pasi Britania të kthehet në statusin e vendit të tretë. Duhet pasur kujdes sepse çdo marrëveshje e tërheqjes së Britanisë që shkel kushtet e traktateve të BE do të jetë subjekt i pavlefshmërisë, që shqyrtohet nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.

5. Çfarë lloj marrëdhënie tregtare do të ketë BE-ja dhe Britania e Madhe pas Brexit?

Negociatori i BE-së, Michel Barnier, e konsideron marrëveshjen e tregtisë së lirë të nënshkruar së fundmi me Kanadanë, si një model konkret për tregtinë pas Brexit me Mbretërinë e Bashkuar (një marrëdhënie më e afërt, si ajo e Norvegjisë është e përjashtuar si mundësi, sepse Britania e ka përjashtuar veten nga tregu i vetëm europian).

Nga ana tjetër, sekretari i Brexit David Davis i tha BBC se ai dëshiron "një marrëveshje tregtare gjithëpërfshirëse e cila nuk ka tarifa dhe taksa doganore", si dhe një marrëveshje mbi shërbimet që shkon përtej dhe marrëveshjes shumë të famshme mes BE dhe Kanadasë (CETA), duke e quajtur “Canada +++”
Brukseli gjithashtu sugjeron se U.K mund të bëhet përkohësisht anëtare e Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA).

6. Çfarë ndikimi do të ketë marrëveshja e fazës së parë në bisedimet e tregtisë?

May dhe Juncker njoftuan se bisedimet e Brexit mund të shkonin në Fazën e dytë pas arritjes së një marrëveshjeje mbi tre çështje kyçe: të drejtat e qytetarëve, fatura e Brexit dhe kufiri midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut.

a. Për çështjen e të drejtave për tre milionë qytetarët e BE-së në Britani, Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakord që ata që tashmë kanë vendbanim të përhershëm nuk do të duhet të paguajnë për të aplikuar për statusin e tyre. Ata që bëjnë një kërkesë për herë të parë për të drejtën për të qëndruar pas Brexit, megjithatë, do të përballen me një tarifë, të ngjashme me koston e aplikimit për një pasaportë.

b. Në faturën e tërheqjes së saj nga BE, Britania e Madhe kuptohet që kohët e fundit ka rritur ofertën e saj, e cila mund të jetë me vlerë deri në €50bn.

c. Nevoja e një marrëveshjeje të veçantë për Irlandën e Veriut ka qenë e qartë për të gjithë të interesuarit që nga dita e parë. Çelësi i marrëveshjes për kufirin e Irlandës Veriore ishte një deklaratë që U.K do të ruante "shtrirjen e unifikuar" me Republikën e Irlandës në disa sektorë, në mënyrë që të mënjanonte nevojën për kontrolle kufitare.

Një projekt i tekstit të një deklarate të përbashkët prej 15 faqesh ndërmjet Komisionit dhe qeverisë britanike përfshihet një angazhim në paragrafin 48 se "në mungesë të zgjidhjeve të dakordsuara, Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë që vazhdon të jetë në zbatim një “shtrirje e unifikuar " me tregun e brendshëm dhe bashkimin doganor, çka nënkupton që një pjesë e UK, në këtë rast Irlana e Veriut do të vazhdojë të jetë në tregun e vetë europian dhe të respektojërregullat e këtij tregu.”

Ministria skoceze Nicola Sturgeon tha se "nuk kishte asnjë arsye të mirë praktike" pse pjesët e tjera të Britanisë së Madhe nuk mund të bënin të njëjtën gjë. Ajo tha, "Nëse një pjesë e Britanisë së Madhe mund të mbajë shtrirjen e unifikuar me BE dhe të qëndrojë efektivisht në tregun e vetëm (që është zgjidhja e duhur për Irlandën e Veriut), sigurisht që nuk ka ndonjë arsye të mirë praktike pse të tjerët nuk munden".

7. A ka të papritura?

Zyrtarët e BE kanë thënë se Brukseli mund të jetë mbrojtës ndaj klauzolave të "vendi më i favorizuar" (MFN) në marrëveshjet ekzistuese tregtare, siç është marrëveshja që BE ka me Korenë e Jugut. Këto klauzola nënkuptojnë se Seuli mund të pretendonte të njëjtat përfitime të ofruara Britanisë. Gjatë negociatave me Londrën, Brukseli do të ketë parasysh klauzolat e MFN-së që ka në marrëveshjet ekzistuese në mbarë botën.

E ardhmja e marrëveshjeve post-Brexit paraqet shumë paqartësi e të papritura, si një proces i paprecedentë faza e dytë do të shihet dhe vlerësohet me kujdes dhe interes jo vetëm nga dy palët e interesuara, por edhe të tjerë që janë tanimë dëshmitarë të faktit- Brexit.

                                                                                                    Stafi i EuroSpeak dhe Politico, dhjetor 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk