Janar 2020: Boris Johnson - Kryeministri i Brexit

Janar 2020: Boris Johnson - Kryeministri i Brexit

Për këtë arsye profili i muajit janar është kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, që përfundoi me sukses atë që nuk  e arriti dot kryministrja May dhe që e votoi 52% e qytetarëve britanikë: Brexit-in.

 ***

Lindur më 19 qershor të vitit 1964, në New York City, Alexander Boris de Pfeffel Johnson, i njohur ndryshe si Boris Johnson, është një politikan, shkrimtar dhe ish-gazetar britanik, lider i partisë Konservatore britanike, ka mbajtur rolin e kryebashkiakut të Londrës, sekretarit të marrëdhënieve të jashtme dhe aktualisht udhëheqës i Mbretërisë së Bashkuar ku mban postin e  kryeministrit që prej vitit 2019.

Bazuar në burimet e Britanica.com gjatë 14 viteve të ardhshme familja Johnson u zhvendos 32 herë nëpër dy kontinente, pasi babai i tij Stanley Johnson, ndiqte një karrierë të gjerë internacionale si anëtar i Parlamentit Europian, nga ku nëna e tij Charlotte u detyrua të hiqte dorë nga diploma e saj në Oxford, për të shoqëruar burrin e saj drejt SHBA.

Fëmijërinë e tij, Johnson e kaloi në New York City, Londër dhe Bruksel përpara se të ndiqte shkollën në Angli. Ai fitoi një bursë studentore në “Eton College”,  dhe më vonë studioi klasikët në Balliol College, Oxford, ku gjithashtu ishte dhe president i Unionit të Oxfordit.

Fill pas përfundimit të universitetit, Johnson, punoi shkurtimisht si konsulent i menaxhimit, dhe filloi një karrierë në gazetari, duke nisur punën si një reporter për The Times në 1987, por u pushua nga puna për sajimin e një citati. Boris, më pas filloi të punojë për The Daily Telegraph, ku shërbeu si një korrespodent që mbulonte Komunitetin Europian (1989–94) dhe më vonë si ndihmës redaktor (1994–99). Në 1994 Johnson u  emërua si një gazetar politik për The Spectator dhe në vitin 1999 u emërua redaktori i revistës, duke vazhduar në atë rol deri në 2005.

Karriera Politike e Johnson: Nga Kryetar i Bashkisë së Londrës në Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar

Në vitin1997 Johnson u zgjodh si kandidat i partisë konservatore në Dhomën e Komunave për zonën e Clwyd South. Në kanidimin e tij i parë ai pësoi humbje të thellë ndaj Partisë Laboritste, drejtuar nga Martyn Jones. Pas eksperiencës së parë në politikë Johnson filloi të shfaqej në emisione televizive të ndryshme. Sjellja e tij, shpesh e etiketuar dhe si qesharake e ndonjëherë e papërshtatshme, e bënë atë një ndër figurat e preferuara në talk shoës britanike.

Johnson bëri një tentativë të re për të qenë pjesë e Parlamentitanglez në vitin 2001 dhe fitoi kundër Henley-on-Thames. Boris vazhdoi të shfaqej në programe televizive duke u kthyer në një ndër politikanët më të njohur të vendi. Në shumë raste ai rrezikoi edhe imazhin e tij publik. Diskutimet në vitin 2004 për një aferë jashtëmartesore midis tij dhe një gazetareje sollën largimin e tij nga posti si ministër i artit. Edhe pse pati shumë polemika, Johnson arriti të rizgjidhej si parlamentar gjatë 2005. Ai kandidoi si kryetar bashkie në Londër në korrik të 2007, me kundërshtar Ken Livingstone. Në 1 maj 2008, Johnson arriti të marrë mandatin me një diferencë të ngushtë votash. Pas marrjes së mandatit ai përmbushi premtimin e tij elektoral duke hequr dorë nga posti i tij si pjesëtar i parlamentit.

Në 2012 Johnson u rizgjidh si kryetar bashkie në Livingstone, ndër të pakta fitore të partisë konservatore gjatë zgjedhjeve. Johnson u rikthye në Parlament në 2015, duke fituar zgjedhje në Londrën perëndimore, zgjedhje në të cilat Partia Konservatore mori shumicën e votave. Gjatë mandatit të tij përflitej se ai mund të zëvendësonte kryeministrin David Cameron si udhëheqës të Partisë Konservatore. Para largimit nga detyra si kryetar bashkie Johnson u  vu në krye të fushatës "Leave" të referendumit kombëtar për daljen nga Bashkimi Europian të 23 qershorit 2016. Ky ishte pikërisht referendumi gjatë të cilit vendosej nëse Mbretëria e Bashkuar do të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian. Ai u përball me Cameron, i cili kishte pikëpamje të kundërt për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE. Gjatë votimit të referendumit, rreth 52 % e votave ishin pro largimit të vendit nga BE, duke bërë që Cameron të shpallte dorëheqjen si kryeministër sipas the Independent.

Pasi Theresa May u zgjodh në krye të Partisë Konservatore dhe si kryeministre, ajo e emëroi Johnson si sekretarin e saj të jashtëm. Johnson mbajti postin e tij në Dhomën e Komunëve në zgjedhjet e parakohshme të 2017 dhe vazhdoi të mbante postin si Sekretar i Jashtëm. Në Prill 2018 ai mbështeti mendimin e May për t'u bashkuar me Shtetet e Bashkuara dhe Francën në sulmet ajrore kundër regjimit të Sirisë. Partitë e opozitës ishin kritike për përdorimin e forcës nga qeveria e May pa një miratim paraprak nga Parlamenti.

Johnson publikisht nxiste Mayn për tu larguar nga BE edhe pa një plan strategjik. Në konceptin e tij autonomia e Britanisë nuk duhej të cenohej dhe zbehej nga tregu i përbashkët Europian. Gjatë mbledhjes së kabinetit në 2018 May u përpoq të arrijë një marrëveshje rreth Brexit por Johnson vazhdonte të këmbëngulte për largim të menjëhershëm edhe pse në fund të mbledhjes iu bashkua idesë së saj. Boris ishte kritikues ndaj metodave të May për marrëveshjen e Brexit shkruan the Guardian. Pas dështimit të saj për të arritur një marrëveshje më 7 qershor 2019, May hoqi dorë nga posti si kryeministre, dhe mbajti postin e zëvendës-ministres deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Pas largimit të saj, Johnson kandidoi për postin e kryetarit të partisë. Ai hasi 10 kundërshtarë në kandidimin e tij, por rreth 87 % e anëtarëve të partisë votuan dhe e vendosën Boris në krye të partisë (me 66% të votave) më 23 korrik 2019. Më 24 korrik Johnson u vendos zyrtarisht si kryeministër në krye të MB. Fushata e tij gjatë zgjedhjeve konsistoi në largimin e MB nga BE edhe pa marrëveshje për Brexit nëse Unioni  nuk përmbushte kërkesat e tij brena 31 tetor 2019, afat i caktuar nga May.  Kërcënuar nga votëbesimi i Corbyn dhe qëndrimet e kundërshtarëve për Brexit, Johnson më 28 gusht kërkoi nga kurora mbylljen e seancave plenare duke shtyrë kështu konferencën politike vjetore. Kjo mbledhje u caktua dy javë  para takimit për Brexit me miratim të mbretëreshës. Këto lëvizje të Johnson patën shumë kritika por ai argumentonte se dalja e shpejtë nga BE do i jepte përparësi administratës të fokusohet në punët e brendshme.

Kundërshtarët e Brexit pa marrëveshje arritën të pezullojnë vendimin e largimit në 3 shtator, pasi anëtarët e opozitës dhe 21 deputetë Konservatorë votuan pro qëndrimit të dhënies së kontrollit mbi axhendën e organit legjislativ Dhomës së Komunëve. Kjo nuk u prit mirë nga Johnson i cili u përpoq të rimarrë kontrollin duke njoftuar se ai do të kërkonte zgjedhje të parakohshme. Problematika më e madhe politike ndodhi në 4 shtator, pasi Dhoma e Komunëve votoi 327–299 për të detyruar Johnsonin të kërkojë një shtyrje afati për tërheqjen nga BE. Marrëveshja do të zhvillohej në 31 janar 2020, nëse deri më 19 tetor 2019  nuk kishte asnjë marrëveshje konkrete të paraqitur para  Parlamentit ose një aprovim nga Dhomën e Komunëve për të dale pa marrëveshje.

Në tetor Johnson arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me BE-në për një marrëveshje të rinegociuar që ngjasonte më propozimet e May, por lejonte Irlandën e Veriut të vazhdonte të ishte pjesë e BE edhe 4 vjet pas daljes së MB. Më 22 tetor Dhoma e Komunëve miratoi planin e rishikuar të Johnson, por nuk dha miratimin për zbatimin e këtij plani pa votimin në Parlament. Kështu, Johnson u detyrua të kërkojë nga BE-ja një zgjatje të afatit deri në 31 janar 2020, datë në të cilën u vendos largimi i MB nga BE.

Johnson përtej politikës

Në sitet e The New European do të gjejmë informacione të detajuara përsa i përket jetë së Alexander Boris de Pfeffel Johnson. Gjate fëmijërisë së tij, në moshën 8 vjeçare, Boris kishte probleme me dëgjimin dhe ishte një fëmijë i ndrojtur. Kur është pyetur se cfarë do të dëshironte të bëhej kur të rritej, ai është përgjigjur: "Mbreti i botës". Pas periudhave të vështirësisë që familja dhe nëna e tij Charlotte kaluan, Johnsona-ve iu desh të mësonin si të kujdeseshin për vete. Boris u zhvendos në Angli në një shkollë përgatitore, ku Boris morri një vëmendje të madhe për prejardhjen e tij turke, stërgjyshi i Johnson, Ali Kemal kishte lindur në Stamboll. Gjatë shkollës si student ai spikati, por gjithashtu zemëroi mësuesit e tij me "qëndrimin e tij prej kavalieri". Johnson shkoi në Oxford në vitin 1983, pavarësisht nga opinionet e mësuesve të tij, arriti të fitonte një bursë për të studiuar klasikët në Balliol. Përgjatë viteve të tij të Oksfordit ai mori dhe rolin si president i Unionit të Oksfordit. Sapo u diplomua me një mesatare, 2:1 (nota 10 me sistemin shqiptar), në 1987, Johnson u martua me Allegra Mostyn-Oëen .

Në 1999, menjëherë pas ditëlindjes së tij të 35-të, ai u bë redaktor i The Spectator, një gazetë angleze, me premtimin se do të linte pas ambiciet e tij politike. 2 vitet e ardhshme, Boris zgjidhet si deputet dhe arriti të mbante dhe postin e redaktorit të gazetës për 4 vitet e ardhshme.

Në prag të vitit 2007, Boris shpalli kandidaturën e tij për të konkurruar për postin e kryetarit të bashkisë së Londrës, në 2007, gjatë fushatës së tij, Johnson u zotua të heqë qafe autobusët e ngathët të Londrës dhe ky fakt mori vëmendje të gjerë nga publiku londinez. Pasi zgjidhet si kryetar i bashkisë së Londrës, Johnson rikandidon për herë të dytë në 2012 nga ku arrin të rizgjidhet. Gjatë mandatit të tij si kryebashkiak, ai priti “Lojërat Olimpike Londër 2012”.

Ndërsa ndiqte karrierën e tij politike, Johnson vazhdoi të shkruante. Shkrimet e tij si autor përfshijnë Lend Me Your Ears (2003), një përmbledhje me ese; Seventy-two Virgins (2004), një novelë; dhe The Dream of Rome (2006), një studim historik i Perandorisë Romake.

Johnson është një simpatizant i madh për aktivitetin fizik dhe i pëlqen të vrapojë dhe të bëjë xhiro me bicikletë përqark qytetit. Ai është gjithashtu një tifoz i etur i rugby, i cili lidhet mirë me natyrën e tij konkurruese dhe personalitetin e tij entuziast.

***

Pas 31 janarit Johnson do të shprehej që “vendi ka pësuar një metamorfozë, si ajo e fluturës; vendi është i lirë dhe gati për të udhëhequr arenën ndërkombëtare” Parashikimet e ekspertëve se çfarë e pret Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit, nuk janë të gjitha pozitive, e shumë prej tyre sjellin një tablo jo të mirë për ekonominë dhe politikën e ishullit britanik. Johnson nga ana tjetër e shikon këtë moment si të rëndësishëm për tu fokusuar në çështjet e brendshme të vendit dhe për të fuqizuar rolin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe sa i përket sfidave që kryeministri do të përballet,  mbetet për tu parë.

Stafi i EuroSpeak, janar 2020

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk