Çfarë po ndodh me refugjatët sirianë në kampet greke?

Çfarë po ndodh me refugjatët sirianë në kampet greke?


Foto dhe video të postuara nga “Doctors of the World” tregojnë sesa e rënduar është situata dhe sesi refugjatët kalojnë natën nën çadra të mbuluara nga dëbora dhe pa ushqime. Organizata “Save the Children” ka deklaruar që kjo lënie e refugjatëve duke ngrirë për vdekje në dyert e Europës vjen nga mungesa e vullnetit politik që ka për ti zhvendosur këto persona në një vend tjetër të BE-së.

Por pavarësisht kësaj duket se BE-ja me një deklaratë të bërë së fundmi bën përgjegjëse për situatën e krijuar Greqinë. Zëdhënësja e BE Natasha Bertaud deklaroi se Unioni po bënte çdo gjë për të ndihmuar në situatën e krijuar, por “menaxhimi i kampeve dhe dhënia e ndihmave eshte në radhë të parë përgjegjësi e autoriteteve Greke”. Deri më tani nuk ka patur asnjë përgjigje nga pala Greke.

Kjo “akuzë” ndaj Greqisë deri diku nuk është e pabazuar. Statistikat e lëshuara nga vetë autoritetet greke të lënë të kuptosh që Greqia nuk po menaxhon siç duhet situatën e krijuar. Ndërkohë që kampet në ishujt Lesbos, Kos dhe Samos i kanë kaluar kuotat maksimale, kampet në brendësi të Greqisë si Polykastro, Orayokastro apo Softex janë në gjendje të akomodojnë një numër të konsiderueshëm personash. Vetë kryebashkiaku i Lesbos ka deklaruar për The Guardian që “një pjesë e refugjatëve duhen të zhvendosen ne kampet e tjera brenda në Greqi”.

Organizatat ndërkombëtare e shohin situatën e krijuar si një rezultat i politikave jo të mira të Unionit. Panos Navrozidis nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit në Greqi deklaron “Ajo çka po shohim në këto ishuj është një manifestim i mënyrës sesi Unioni po dështon në mbrojten e dinjitetit të atyre që janë më të rrezikuar, ne kemi muaj që kemi paralajmëruar për një situatë të tillë por përsëri po përballemi me një situatë jetë a vdekje”.

Në shtator të 2015-ës, në të njëjtën kohë me paktin BE-Turqi, Unioni u zotua që të pranonte rreth 66 000 refugjatë nga Greqia që të shpërndaheshin nëpër vendet e tjera anëtare. Por sipas Komisionit, deri më sot vetëm 7,280 janë zhvendosur. Ky fakt mbase është një indicie që Unioni me politikat që po ndjek është dhe “faktori” kryesor për situatën e krijuar.

Ndërkohë që “armiku” numër një i refugjatëve për momëntin është i ftohti dhe dëbora, ata duhet të shqetësohen dhe për probleme të tjera. Përplasjet mes grupeve etnike, sulme nga ksenofobë të së djthtës ekstreme siç ishte rasti i sulmeve të mbështetësve të Agimit të Artë në shtator, dhe frustrimi brenda kampeve sjell tension akoma më të madh. Marrja e masave të menjëhershme si nga Greqia por kresisht nga BE-ja është një domosdoshmëri dhe çdo vonesë e mëtejshme do të ishte e pajustifikuar.


                                                                                                                   Stafi i EuroSpeak, janar 2017

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk