Salvini apo di Maio, dy politikanë jo-konvencionalë që aspirojnë të udhëheqin Italinë

Salvini apo di Maio, dy politikanë jo-konvencionalë që aspirojnë të udhëheqin Italinë


Në këtë situatë të dy këta udhëheqës të rinj partish, Salvini dhe di Maio kërkojnë të qeverisin Italinë e duket që do bëjnë çdo gjë për të arritur këtij qëllimi. Ndërkohë përpjekjet e Presidentit Italian, Mattarella për ti vendosur në diskutime në mënyrë që të arrihet një marrëveshje kanë rezultuar pa sukses. Situata është e ndërlikuar: M5S duket me e hapur për koalicion, por Partia Demokratike e majtë e Renzit ka refuzuar një koalicion me ta; ndërkohë Di Maio është gati të futet në koalicion me Salvinin me kushtin e vetëm që Silvio Berlusconi mos të jetë pjesë e qeverisë. Ndërkohë tre partitë e koalicionit të djathtë po përgatisin një deklaratë të përbashkët ku arsyetojnë që ata meritojnë të qeverisin vendin. Nga ana tjetër Salvini nuk e ka mohuar një bashkëpunim të mundshëm me M5S duke e cilësuar atë ‘si një përpjekje që mund të bëhet’. Nga shumë analistë, si aleancë më e natyrshme cilësohet ajo midis ‘Lega Nord’ dhe Lëvizjes ‘Cinque Stelle’, të cilët kanë fituar shumicën e votave dhe ndajnë mendime thuajse të njëjta për globalizimin dhe forcimin e rrjetit të sigurisë në Itali.

Matteo Salvini, udhëheqësi i Lega Nord që e konsideron BE-në një ‘monstër’

Matteo Salvini, drejtuesi i ‘Lega Nord’, përfaqësues i një të ‘djathte në rritje’, ekstreme, kundër politikave të BE-së, kundër emigrantëve dhe me tipare populiste, është një prej kandidatëve të mundshëm në pozicionin e kryeministrit të Italisë. ‘Lega Nord’ është një parti italiane që në të kaluarën është shoqëruar me kërkesat e saj për pavarësinë e rajoneve në Italinë veriore, duke përfshirë Lombardinë, Piemontin dhe Venedikun. Që nga dorëheqja e ish-udhëheqësit të saj Umberto Bossi, pas një skandali korrupsioni dhe performance të dobët në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, partia ka luajtur një rol të vogël në skenën politike. Sipas gazetës italiane ‘The Local’, Salvini është pjesë e një brezi të ri të udhëheqësve të ekstremit të djathtë, që ka marrë përparësi në të gjithë Europën. Ndryshe nga Marine Le Pen të Francës dhe Geert Wilders të Holandës, ai mund të jetë udhëheqësi i parë i ekstremit të djathtë që mund të qeverisë në Europën Perëndimore që nga viti 1945. Ashtu si dhe liderë të tjerë euroskeptikë si Le Pen apo Farage i UKIP në Londër, ai ka shërbyer si anëtar i Parlamentit Europian kundër Europës dhe ka marrë gjithashtu një lëvizje të ekstremit të djathtë, me synimin për ta vendosur atë në rrjedhën kryesore.

Lindur më 1973 në Milano, Matteo Salvini ka ndjekur Universitetin e Milanos për degën Shkenca Historike, për të cilën nuk u diplomua. Përpara se të bëhej përfaqësuesi kryesor i Lega Nord, Salvini nuk ka qenë gjithmonë në të djathtën ekstreme. Në rininë e tij, ai ka qenë anëtar i Qendrës së Majtë Sociale ‘Leoncavallo’, e cila ndikoi në orientimin e tij politik. Në zgjedhjet Padaniane të 1997-ës ishte kandidat i listës së Komunistëve. Sipas EuroNews, zhvendosja e tij nga parti e ekstremit të majtë në atë të ekstremit të djathtë erdhi sepse emigracioni u bë një çështje e debatit politik Italian në fillim të viteve 2000 dhe Salvinit iu shfaq një mundësi politike. Ai mendonte se çështja ishte veçanërisht e rëndësishme për partinë e tij, dhe kështu bëri një kalim të tillë duke përzier besimet, mundësitë dhe strategjitë.

Nga viti 1993 deri në vitin 2012, për rreth 20 vite ka shërbyer dhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Milanos. Në 2004, në moshën 31 vjeçare, Salvini zgjidhet anëtar i Parlamentit Europian për rajonin Veri-Perëndimor të Italisë dhe merr pjesë në Parlamentin Europian si pjesë e ‘Non-Inscrits’, ata të cilët nuk ulen në një nga grupet e njohura partiake. Në qershor të 2015, ai ishte pjesë e krijimit të një grupi të ri, Europa e Kombeve dhe e Lirisë, me partitë si Fronti Kombëtar Francez dhe Partia Holandeze për Liri, kur në të njëjtën kohë ishte dhe nënkryetar i delegacionit Italian në BE. Ai qëndroi në Parlamentin Europian deri në nëntor 2006, pasi u rizgjodh në vitin 2009 si deputet, në Komisionin për Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorit. Që prej 2014 e deri më sot është anëtar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Indinë dhe i Delegacionit për Marrëdhëniet me Gadishullin Korean.

Më 7 dhjetor 2013, Salvini fitoi zgjedhjet si kryetar i ‘Lega Nord’ dhe në zgjedhjet e 2015-ës, partia e tij arriti të fitojë 20% të votave në Toskanë, zonë që është e njohur të ketë votuar gjithmonë për të majtët, apo në Veneto, ku fitoi një pjesë të konsiderueshme të votave gjithashtu. Nën drejtimin e tij partia përqafoi një pikëpamje shumë kritike ndaj Bashkimit Europian, të cilin e ka konsideruar si ‘monstër që duhet vrarë’, dhe është shprehur gjithmonë kundër monedhës Euro, të cilën ai e ka përshkruar si një ‘krim kundër njerëzimit’. Përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në 2014, Salvini filloi të bashkëpunojë me Marine Le Pen, udhëheqësen e Frontit Francez Kombëtar dhe Geert Wilders, kreun e Partisë Holandeze për Liri. Në prill të 2014, Salvini paraqiti logon e partisë ‘Basta Euro’ (‘Jo më Euro’) për zgjedhjet e Parlamentit Europian, duke theksuar tendencën e re politike, të përqendruar në euroskepticizmin dhe daljen nga eurozona. Ai shpesh ka zhvilluar dhe bisedime të ashpra rreth ‘Italexit’ ose ‘Quitaly’ dhe ka shprehur mbështetje për votimin e britanikëve për të dalë nga BE, duke thënë se Italia mund të jetë vendi i ardhshëm që do të largohet.

Përsa i përket pikëpamjeve të tij, EuroNews shkruan se ai përpiqet ta portretizojë veten si një person të thjeshtë, pak si Nigel Farage në Mbretërinë e Bashkuar dhe pak si Donald Trump, me përzierjen e mesazheve anti-emigrante dhe me një retorikë shoqërore-progresive. Në maj 2013 ai akuzoi ministren e Integrimit, Cécile Kyenge, pse donte të rregullonte emigrantët e paligjshëm, duke nënkuptuar rrezikun e kryerjes së krimeve prej tyre. Në 2015 Salvini udhëhoqi një tubim në Romë duke protestuar kundër emigracionit të paligjshëm. Ai mban një qëndrim politik të ngjashëm me atë të Presidentit Donald Trump dhe Viktor Orban, kryeministrit të Hungarisë, pasi Italia ka pranuar më shumë se 630,000 emigrantë nga Mesdheu gjatë katër viteve të fundit. Salvini gjithashtu ka përqafuar një qëndrim ‘mbrojtës’, duke reflektuar rritjen e zemërimit popullor mbi globalizimin. Edhe pse Italia ka një suficit tregtar dhe kompani që mbështeten gjithnjë e më shumë në eksporte ai u shpreh në një takim në Padova se: "Ne preferojmë produktet nga toka jonë, sesa produktet e importuara." Ai vlerëson Presidentin rus Vladimir Putin për promovimin e vlerave tradicionale të familjes dhe shpreh se dëshiron të mbyllë xhamitë, të forcojë kufijtë e Italisë dhe të marrë sovranitetin nga Bashkimi Europian.

Slogani i Lega Nord për zgjedhjet e përgjithshme të 2018 ishte ‘Salvini për Kryeministër’. Që prej zgjedhjeve të marsit, partia mban emrin ‘Lega Salvini Premier’ dhe bëhet partia e parë fituese e koalicionit të qendrës së djathtë. Partia e Salvinit, bashkë me ‘Forza Italia’ dhe ‘Fratelli d’Italia’ fitojnë dhe në zgjedhjet për presidencën e rajonit Lombardia. Retorika anti-emigrante & anti-islamike e Salvinit vendosi tonin për një fushatë të dominuar nga populizmi dhe ksenofobia.

Luigi Di Maio - 31 vjeçari ‘anti-establishment’ që mund të udhëheqë Italinë

Luigi Di Maio është një politikan italian i lindur më 6 korrik të vitit 1986. Ai ka shërbyer si zëvendës president i Dhomës së Deputetëve në parlamentin italian gjatë legjislaturës së XVII. Luigi është lideri i ‘Movimento 5 Stelle’ një parti anti-establishment e krijuar nga Beppe Grillo pothuaj 10 vite më parë.

Sipas the Local, ai ka lindur në Avellino të Italisë dhe është vëllai më i madh i tre vëllezërve. Babai i tij Antonio ka qenë një sipërmarrës i vogël i pasurive të paluajtshme dhe këshilltari lokal i Lëvizjes Sociale Europiane, një parti neo-fashiste, ndërsa e ëma punon si mësuese Italishteje dhe Latinishteje. Di Maio ndoqi liceun klasik dhe më pas u regjistrua në Universitetin e Napolit ‘Federico II’ për të studiuar inxhinieri, të cilën më vonë e ndryshoi në jurisprudencë. Ndërsa nuk u diplomua kurrë nga asnjë nga studimet e tij, ai ishte ndër themeluesit e organizatave të studentëve në të dy fakultetet. Në vitin 2007 nisi të punonte si një gazetar, e më vonë si webmaster, si dhe si administrator i Stadiumit ‘San Paoli’ në Napoli.

Në vitin 2007 Di Maio ishte ndër themeluesit e grupit politik ‘Miqtë e Beppe Grillo’, paraardhëse e Lëvizjes Pesë Yje (M5S), e themeluar nga komediani popullor dhe populist italian në tetor të vitit 2009. Kur u zgjodh në vitin 2013, në moshën 26 vjeçare si zëvendës president i Dhomës së Deputetëve, ai ishte zëvendës presidenti më i ri në moshë i zgjedhur ndonjëherë nga Parlamenti Italian, shkruan the Washington Post.

Më 12 korrik 2017 Di Maio u hetua zyrtarisht për shpifje pas një kallëzimi në polici të paraqitur nga Marika Cassimatis, ish-kandidate për kryetare bashkie e Movimento 5 Stelle në Genoa. Ndërsa më 28 korrik 2017 gazetarja Elena Polidori bëri një kallëzim tjetër kundër tij për shpifje. Ai vendosi në të dyja rastet të përdorë imunitetin parlamentar, edhe pse kishte kritikuar më parë privilegjet që rrjedhin nga ky status e madje kishte premtuar që nuk do të përfitonte asnjë herë nga kjo gjë.

Beppe Grillo themelues dhe presidenti i partisë, më 2017 njoftoi se do të bënte fushatë në zgjedhjet e 2018, por ai nuk do të ishte kandidati për postin e Kryeministrit, edhe pse shumë kritikë e akuzuan atë se në rast të një fitoreje të mundshme ai do të ishte, kreu de facto i qeverisë. Menjëherë, Di Maio u konsiderua kandidati më i mundshëm për kryeministrinë e Italisë. Di Maio ishte akuzuar shpesh si politikan pragmatik dhe ‘institucional’, por edhe më pak populist. Asnjë anëtar tjetër udhëheqës i Movimento 5 Stelle (M5S), si Alessandro Di Battista (një politikan dhe mik personal i Di Maio) ose Roberto Fico (kreu i fraksionit të majtë të M5S dhe rivali i Di Maio dhe Di Battista), nuk vendosi që të kandidonte për postin e Kryeministrit. Kundërshtarë të vetëm për të brenda partisë dolën disa emra të panjohur këshilltarësh, e nga partitë e tjera rivale u konsiderua si zgjedhje fiktive pasi Di Maio e kishte të sigurt se do të dilte në frontin e kësaj partie. Në shtator të 2017 ai u zgjodh si kandidat për kryeministër nga partia e tij me 82% të votave.

Di Maio simbolizon populizmin italian, si një fytyrë e Italisë anti - establishment. Edhe pse në deklaratat e tij është shprehur si pro Europian, duhet theksuar fakti se qëndrimet e tij ndaj BE-së jo shpesh herë kanë qenë mbështetëse, saqë nga gazetarët është konsideruar edhe si ‘Euroskeptik’. Profili i tij është tepër i ngjashëm me atë të Beppe Grillos, komedianit dhe themeluesit të M5S.

Deklaratat e ashpra ndaj BE-së datojnë që nga viti 2009, ku kërkonin më shumë demokraci, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit nga BE-ja dhe jo të rralla ishin dhe në zgjedhjet e 2018, duke i kritikuar mjaft ashpër financat publike të BE-së. Partia ku ai aderon shpesh herë ka bërë deklarata që kërkonin daljen nga Bashkimi Europian dhe të mos përdorimit të monedhës Euro. Një nga deklaratat që zgjoi shumë interes, ishte kërkesa e zhvillimit të një referendumi për të dalë nga BE, si një alternativë të fundit, të cilën ai padyshim do ta votonte për t’u larguar. Në kohët e fundit vihet re se retorika e tij ndaj BE-së është bërë më e përmbajtur duke treguar se qëndrimi i Italisë në Bllokun Europian do të vazhdojë edhe pas formimit të qeverisë së re, kur ndër të tjera është shprehur që partia e tij: “nuk ka asnjë synim që ta izolojë Italinë dhe të proklamojë ndjesitë nacionaliste. Ne e mohojmë plotësisht të quhemi e të karakterizohemi si një ‘parti populiste’”. Sa i përket çështjes aq të ndjeshme sa migracioni me nota ankese Di Maio shprehet që Italia po mban në shpatulla një barrë të rëndë në mënyrë të padrejtë: “Nuk i pranojmë muret fizike të vërtetë, por nuk mbështesim as ato muret e padukshme që në fakt ekzistojnë” –duke nënkuptuar rregullat e BE-së dhe Rregulloren e Dublinit.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018, M5S u bë partia me numrin më të madh të votave dhe vendeve parlamentare. Luigi Di Maio njihet si një figurë Euroskeptike dhe jo shumë ‘i dashur’ nga familja europiane. Di Maio apo Salvini, konsiderohen si kandidatët më të mundshëm për tu bërë kryeministri i ardhshëm italian. Ndërkohë lëvizje të reja strategjike dhe politike priten të ndodhin mes partive politike italiane për të mundësuar shumicën e votave për krijimin e qeverisë ose për të shkuar në zgjedhje të tjera të përgjithshme.

                                                                                                                         Stafi i EuroSpeak, mars 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk