Annegret Kramp-Karrenbauer, pasuesja e Dinastisë Merkel

Annegret Kramp-Karrenbauer, pasuesja e Dinastisë Merkel


Kryetarja e re e CDU pritet të jetë në këtë post së paku deri në vitin 2021. Sfida e saj e parë është të zbusë përçarjet në parti pas kësaj fushatë, mes përkrahësve të saj dhe përkrahësve të zhgënjyer të kundërshtarit. Kramp-Karrenbauer vjen nga një sfond kulturor krejtësisht tjetër nga Merkel, e cila ka lindur në Hamburg por u rrit pas Perdes së Hekurt në Gjermaninë Lindore. Udhëheqësja e re ka lindur dhe është rritur në një qytet që herë i ka përkitur Francës e herë Gjermanisë gjatë shekujve. Pritet që të vijë një ere e re në marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve për shkak të afeksionit që ka liderja e re për francezët. Gjithashtu me kalimin e kohës duke nisur nga largimi i zonjës Merkel, znj. Kramp-Karrenbauer padyshim do të përqëndrohet në një administratë funksionale dhe stabël në Bruksel, si një prioritet.

Annegret Kramp-Karrenbauer ishte zgjedhja e preferuar e kancelares Angela Merkel, sipas së përditshmes Spieg, e cila u paraqit si dikush, ashtu si edhe Merkel, që preferon të përballet me argumente të matura dhe temperament të qetë. Nga ana tjetër, Friedrich Merz kërkonte që CDU të ndjekë një "strategji të re" dhe që edhe një herë të ofrojë diçka për votuesit më konservatorë të partisë. Ai donte që partia të zhvendosej edhe më shumë djathtas. Kramp-Karrenbauer nuk dëshironte të thyente trajektoren e hartuar nga Angela Merkel. Në të vërtetë, ajo u bazua ne filozofinë e ish- kancelarit gjerman Gerhard Schröder (1998 në 2005), i cili në fund të epokës së Helmut Kohl (ish-drejtues i CDU para Merkel) premtoi se nuk donte të sillte ndryshim në gjithçka, por synonte të përmirësonte disa gjëra. Në një parti që tradicionalisht ka prirur të rrëzohet nga marrja e rreziqeve dhe nisja e eksperimenteve politike, mesazhi i saj rezultoi më tërheqës sesa ai i rivalit të saj.

Rezultati i zgjedhjeve me fituese Kramp-Karrenbaues, ishte një lajm i mirë për Merkel-in. Tashmë ajo ka luksin të punojë së bashku me një grua që ajo e ka njohur për një kohë të gjatë. Fakti se një grua është zgjedhur për të zëvendësuar një grua tjetër si udhëheqësen e një partie që ishte drejtuar nga burrat për një gjysmë shekulli, tregon se sa thellësisht Merkel ka modernizuar CDU. Annegret tani do ti duhet të luftojë me ata që pretendojnë se ajo përfaqëson vazhdimin e “dinastisë Merkel”, shpeshherë e etiketuar dhe si Mini-Merkel.

Tashmë CDU po përballet me një problem të rëndësishëm në Gjermaninë Lindore, ku AfD, partia e ekstremit të djathtë është rritur dhe po tërheq pranë vetes simpatizantë dhe nga partitë e qendrës si CDU. Kjo ka bërë që kristian-demokratët në këtë anë të Gjermanisë të marrin në konsideratë idenë e bashkëpunimit ose madje formimin e një koalicioni me AfD-në, kryesisht duke ndjekur të njëjtën rrugë që kanë marrë konservatorët austriakë. Kjo, megjithatë, është një rrugë që do të ishte e papranueshme për shumë njerëz në CDU dhe do ta zhyste në pasiguri, ndërkohë që duket nuk do të ishte rruga që do të ndiqte vetë kryetarja e re e partisë.

Po kush është Annegret Kramp – Karrenbauer?

Annegret Kramp-Karrenbauer - ose e njohur ndryshe gjerësisht si AKK (për shkak të vështirësisë që hasin gjermanët në shqipërimin e emrit të saj) - tashmë shihet si një kancelare e ardhshme potenciale nëse CDU fiton zgjedhjet e ardhshme në vitin 2021.

Lindur në Saarland, një vend i vogël malor në kufi me territorin francez, AKK jetoi në një familje të madhe katolike në të cilën ajo u rrit me parimet e forta të një besimtareje katolike duke e vetëshpallur veten e saj si një katolike të rreptë. Ajo i ka mbetur gjithmonë besnike qytetit të saj të vogël të lindjes në Gjermaninë Perëndimore në të cilin dhe jeton aktualisht( ku ka qenë dhe kryetare bashkie). Sipas EurActiv, njerëzit të cilët e njohin atë personalisht shprehen se lidhja e saj me këtë qytet është arsyeja pse ajo ka një natyrë me këmbë në tokë dhe pse ajo të ofron një ndjenjë të fortë besueshmërie. Annegret e përshkruan veten e saj si një person të apasionuar mbas leximit dhe shprehet se gjatë viteve të saj të shkollimit nuk ka humbur asnjë orë mësimi. Në vitin 1984, ajo u martua me Helmut Karrenbauer, inxhinier minierash me të cilin ka 3 fëmijë. Po në të njëjtin vit ajo filloi studimet e saj në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Politike dhe pas përfundimit të studimeve bashkëshorti i saj vendosi të ishte një baba shtëpiak për 3 fëmijët e tyre në mënyrë që ajo të ngjiste shkallët e karrierës së saj.

Si nënë e tre fëmijëve, përmes bisedave miqësore ka treguar se ndarja e punës në jetën private të grave mund të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet tyre dhe partnerëve. Pas lindjes së fëmijës së parë, ajo pranon me burrin e saj se: "Kushdo që fiton më shumë të ardhura në një kohë të caktuar do të punojë me kohë të plotë", ndërkohë që tjetri do të kujdeset për fëmijët e punët e shtëpisë.

Gjatë gjithë karrierës së saj profesionale, ajo ka punuar pa ndërprerje për të mbështetur të drejtat e grave. Çështjet e barazisë gjinore, dhe shfuqizimi i çdo forme diskriminimi janë fushat kyçe të punës së saj. Angazhimet e saj profesionale dhe vullnetare përqendrohen veçanërisht në fushat e tregut të punës, pjesëmarrjes politike dhe dhunës me bazë gjinore. Ajo ka qenë e angazhuar ndaj problematikave të tilla si dhuna seksuale ndaj grave. Po ashtu ka nisur edhe fushatën e ndërgjegjësimit "Thuaji jo - martesave të detyruara". Si një nga politikanet e para femra në Gjermani, ajo këmbënguli për një kuotë të detyrueshme për gratë në pozita drejtuese nëpër kompanitë publike dhe ato private.

Annegret Kramp-Karrenbauer beson se vendimet më të mira në politikë, industri, shkencë dhe sektorë të tjerë të tregut të punës vijnë nga grupe të përziera - më të reja dhe më të vjetra, burra dhe gra. Kjo është arsyeja pse ajo kampionon "gratë në profesionet MINT" (MINT - Matematikë, Informatikë, Shkenca Natyrore dhe Teknologji). Si kurrë më parë sot në Gjermani, kërkesa për punësimin nga vajzat dhe gratë e reja në profesione të cilat cilësohen për meshkuj është shumë herë më e lartë . Kjo pasqyrohet në përqindjen e nxënësve femra në semestrin e parë të Inxhinierisë Mekanike, që është rritur nga 17.5% (2005) në 18.6% (2009), gjë që tregon gjithëpërfshirjen e femrave në këto profesione.

Megjithëse ajo mbështeti politikën e emigracionit të Merkel në vitin 2015 Annegret është në favor të marrjes së masave të migrimit, ajo është kundër martesës së të njëjtit seks dhe ka argumentuar për më shumë kufizime të vendosura mbi mjekët që kryejnë abortin, kjo ndikuar dhe nga devotshmëria e saj ndaj besimit të krishterë katolik. Për disa ajo shihet si Mini-Merkel dhe për disa të tjerë shihet si një forcë e pazbuluar për aq kohë sa veprimtaria e saj politike ka qenë gjithmonë e shtrirë brenda qytetit të saj të zemrës, Saarland.

Mbi 1,000 delegatë partiakë kishin të drejtën të votonin për atë që ishte përshkruar si vendimi më i rëndësishëm për partinë në gati 50 vjet dhe vota e tyre do të vendoste drejtimin e ardhshëm jo vetëm të CDU, por edhe të vendit dhe BE-së. Partia u përball me dilemën ose të vazhdonte në kursin e vendosur nga Merkel ose ti drejtonte politikat e saj më shumë nga e djathta në një përpjekje për të fituar përsëri votuesit e humbur në Alternativen für Deutschland (AfD). Fitorja e Kramp-Karrenbauer është shenja se CDU-ja dëshiron të vazhdojë në rrugën e vendosur nga Merkel.

                                                                                                                     Stafi i EuroSpeak, dhjetor 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk