Komuniteti Politik Europian: ambiciet pan-europiane të një projekti francez

Komuniteti Politik Europian: ambiciet pan-europiane të një projekti francez

Komuniteti Politik Europian (EPC) tashmë ka filluar të ketë historikun e vet të samiteve dhe po dëshmon disa ambicie të forta politike europiane. I kritikuar si një alternativë gjysmë e fshehtë ndaj zgjerimit dhe përballur me shumë rezerva nga ekspertët gjithsesi EPC ka arritur të krijojë hapësira dhe mundësi për bisedime të rëndësishme në kontekstin aktual të gjendjes së sigurisë në Europë. A do të shndërrohet EPC në OSBE-në e së ardhmes nëse kjo e fundit dështon? Apo do të mbetet një platformë fluide ku dakordësohen qëndrimet simbolike midis 44 vendeve në kontinentin e vjetër?


Komuniteti Politik Europian (European Political Community- EPC) tashmë është bërë një realitet në kalendarët diplomatikë të qeverive në 44 vende të Europës. Pas Samitit të parë të zhvilluar në Pragë në tetor të 2022 si dhe Samitit në Chisinau në 1 qershor të këtij viti (2023) përgatitjet tashmë kanë filluar për Samitin e radhës ne tetor të organizuar në kuadër të presidencës spanjolle të Këshillit të Bashkimit Europian. Po ashtu Franca ka përcaktuar një të emëruar të posaçëm (Special Envoyee) për të koordinuar këtë projekt, një hap që pritet të ndiqet dhe nga vende të tjera.

Një ide e propozuar nga presidenti francez Macron në përmbyllje të Konferencës për të ardhmen e Europës, Komuniteti Politik Evropian (EPC) në nisje u përball me doza të forta skepticizmi. Shumë ekspertë e komentatorë sidomos ata me eksperiencë në analizën e proceseve të integrimit, argumentuan se kjo ishte gjetja e radhës për të vonuar çdo lloj hapi drejt zgjerimit dhe anëtarësimit të vendeve të reja në BE. Disa nga këto rezerva vazhdojnë edhe sot.

Kjo ide në të vërtetë i ka rrënjët në vitet 1989-91 ku një tjetër lider i Francës, Francois Mitterrand propozoi Konfederatën Europiane. Asokohe ajo nuk funksionoi, por kjo nuk e pengoi Macron si dhe të tjerë entuziastë të idesë përfshirë Charles Michel apo Enrico Letta të promovojnë EPC si një forum panevropian.  

Me gjithë rezervat dhe pikëpyetjet që e kanë shoqëruar, në këto muaj dhe pas dy samiteve disa ambicie të këtij projekti të EPC kanë filluar të ravijëzohen më qartë duke i lejuar ekspertët të kapërcejnë disa nga pikëpyetjet mbi transparencën apo përmbajtjen e saj.

Së pari, Komuniteti Politik Europian ka pasur sukses në dhënien e mesazheve të forta politike për unitetin europian, përtej BE-së, për sa i përket dënimit në vijimësi të agresionit rus dhe për shprehjen e solidaritetit të plotë me Ukrainën. Prezenca në këtë samit e Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë midis të tjerave, ka sjellë në një tryezë dy vende që edhe pse tashmë nuk rrugëtojnë më për në Bruksel kanë një peshë të jashtëzakonshme në zhvillimet e sigurisë, politikës dhe ekonomisë në të gjithë kontinentin.

Samiti në Chisinau i dha krahë Moldavisë, duke treguar një prezencë të fortë europiane në një vend ku rreziku rus ka qenë shume serioz dhe i prekshëm. Së bashku me dhënien e statusit të vendit kandidat, ky Samit i EPC e ankoroi Moldavinë në kornizën europiane dhe i tregoi Rusisë një front të bashkuar kundër synimeve dhe projekteve të saj destabilizuese në vend.

Së dyti, Samitet kanë shërbyer edhe si platforma me fleksibilitet për të diskutuar çështje dypalëshe të nxehta si në rastin e marrëdhënies ende konfliktuale midis Armenisë dhe Azerbajxhanit përsa i përket rajonit të Nagorno-Karabakh. Në Moldavi po ashtu disa tryeza informale u përdorën për të diskutuar zgjidhje për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë pas situatës së krijuar në veri.

Së treti, formati tematik i takimeve ku fokusi ka qenë në çështje me sensitivitet të lartë gjeopolitik por dhe me potencial të lartë inovacioni si siguria energjitike apo lufta kundër kërcënimeve hibride, i jep hapësirë gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe sistematike. Kjo është një vlerë e shtuar për EPC, por dhe një nevojë për të ndjekur në vijimësi zbatimin e dakordësimeve.

Së fundmi edhe pse vetëm si një hipotezë me probabilitet të ulët, ekziston mundësia që EPC të jetë një nga alternativat nëse OSBE dështon të vijojë në misionin dhe funksionimin e saj. Arkitektura e sigurisë në Europë në thelb të saj ka pasur dualitetin NATO dhe OSBE. OSBE ndodhet në një krizë të plotë institucionale që pas pezullimit të anëtarësisë së Rusisë. Ky ngërç ka bërë që buxheti i vitit pasardhës të mos jetë miratuar, si dhe të mos ketë dakordësi për emërimin e figurave kyçe në poste drejtuese brenda organizatës.

Në kushtet e dështimit të pakthyeshëm të kësaj të fundit, EPC mund të shndërrohet në një mundësi por vetëm nëse kalon në institucionalizim të plotë me struktura dhe procese vendim-marrjeje të përcaktuara qartë. Ky mbetet një skenar i largët dhe hipotetik. Ndërkohë ka disa elemente më praktike ku EPC mund të kontribuojë në sigurinë dhe kohezionin e kontinentit.

Në periudhën afatshkurtër EPC mund të qartësojë më shumë profilin dhe ambicien e vet duke e distancuar veten nga përshkrimi si “një alternative ndaj zgjerimit”. Zyrtarët francezë të përballur shpesh me këtë lloj kritike kanë përsëritur tashmë që bëhet fjalë për procese komplementare dhe jo-zëvendësuese. Megjithatë një qasje më pozitive ndaj zgjerimit në Samitin e ardhshëm, sidomos në simbolikën që presidenca spanjolle përfaqëson, do të vinte pikat mbi ‘i’ në këtë rast duke qetësuar frikërat e justifikuara nga vendet kandidate. Kjo mund të ishte pjesë e një deklarate formale të eventit apo qoftë dhe një prononcim publik i koordinuar për median.

Ndërlidhja e EPC me synimet strategjike dhe planet afatgjata të vetë Bashkimit Europian mbetet një sfidë madhore për zhvillimet e iniciativës në të ardhmen.  Të gjitha strategjitë sektoriale të Unionit që nga Axhenda e Gjelbër, te planet e veprimit ndaj emigracionit apo e sigurisë kibernetike, janë të tilla që kapërcejnë kufijtë zyrtarë të BE-së dhe përfshijnë vendet e tjera europiane. Kjo është një mundësi për EPC që të zgjerojë fushën e veprimit dhe të pasurojë listën e arritjeve nëpërmjet koordinimit më gjithëpërfshirës. Ajo duhet të kalojë përtej një projekti francez drejt një projekti të mirëfilltë mbarë-europian.

Alba Çela, gusht 2023

 

*Alba Cela është Drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë si dhe anëtare e Western Balkans Strategy Group (HBS). Alba Çela mban një diplomë në Shkenca Politike/Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Bullgarisë si dhe një diplomë Master në Studimet për Nacionalizmin në Universitetin Qendror Europian. Fushat kryesore të hulumtimit për Albën janë: demokratizimi, partitë politike, integrimi europian dhe bashkëpunimi rajonal. Ndër të tjera, Alba është një eksperte e pavarur e përfshirë në hulumtimin, monitorimin dhe vlerësimin e projekteve, si dhe në politikat advokuese për një numër organizatash ndërkombëtare.   

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk