Shëndeti mendor tek fëmijët gjatë pandemisë dhe përgjigja institucionale

Shëndeti mendor tek fëmijët gjatë pandemisë dhe përgjigja institucionale

***

 

Duke qenë se fokusi kryesor i përgjigjes së qeverive të ndryshme ka qenë ndaj pasojave të Covid-19 tek shëndeti i përgjithshëm fizik, është lënë pas dore shëndeti mendor dhe ai emocional. Po ashtu një rëndësi i është dhënë edhe pasojave ekonomike që ka sjellë Covid-19, të cilat padyshim që janë të mëdha dhe po ashtu janë një shkak ndikues tek shëndeti mendor i gjithsecilit. Por ajo që është e rëndësishme që të sillet në thelb të diskursit dhe që ky artikull do përpiqet të bëjë, është përgjigja e institucioneve shtetërore ndaj shëndetit mendor tek fëmijët dhe rëndësia e këtij të fundit.

Shëndeti i mirë mendor në hapat dhe stadet e para të jetës, mendoj se është çelësi i shëndetit të mirë mendor më vonë gjatë jetës, gjatë periudhës së rritjes dhe më tej. Vlen për t’u përmendur se problemet e shëndetit mendor shpërfaqin barrën më të madhe të sëmundjes tek fëmijët, dhe shëndeti i keq mendor është po aq i përhapur tek fëmijët sa tek të rriturit (OECD,2015).

Reagimet e fëmijëve gjatë pandemisë 

Fëmijët janë një kategori e veçantë dhe që kërkojnë një trajtim ndryshe krahasuar me të rriturit, pasi mënyra se si ata e konceptojnë realitetin në përgjithësi dhe situatën e krijuar nga pandemia në veçanti nuk është e njëjtë me të rriturit, kësisoj dhe vëmendja ndaj tyre duhet të jetë më e veçantë. Mbylljet e shkollave ndikuan në mënyrë thelbësore jetën e nxënësve dhe familjeve të tyre dhe mund të sjellin pasoja për shëndetin e fëmijëve. Kësisoj shoqatat duhet të marrin parasysh ndikimin që mbyllja e shkollave ka në mirëqenien e fëmijëve dhe çfarë mund të bëhet për të zbutur situatën.

Stresi dhe pasiguria e lidhur me shpërthimin e Covid-19 ka potencialisht efekte të konsiderueshme negative në shëndetin mendor të fëmijëve. Rritja e ankthit të përgjithshëm për shpërthimin e virusit, izolimi dhe masa të tilla si karantina totale apo e pjesshme, mbyllja e shkollës dhe pasiguria për provimet përfundimtare dhe sigurisht distancimi shoqëror, po ndikojnë në jetën e përditshme të fëmijëve në një mënyrë negative (OECD, 2020).

Ata janë duke u përballur me një situatë të panjohur duke mos ditur se si të reagojnë ndaj saj, çka shkakton tek ata stres, i cili më pas u jep dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Në lidhje me këtë fakt, psikologët shprehen se nevojitet një trajtim i kujdesshëm për fëmijët. “Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shohin në internet, televizion ose atë që dëgjojnë nga njerëz të tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe mërzitjes”, është shprehur Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e fëmijëve (Radio Europa e Lirë, 2020).

Psikiatrët për fëmijë shprehen se shpjegimi i situatës tek fëmijët duhet bërë në mënyrën më të përshtatshme, duke u treguar të vërtetën por pa i rënduar ata emocionalisht (Radio Europa e Lirë, 2020). Psikologët këshillojnë prindërit se duhet pasur kujdes që fëmijët të mos panikohen nga virusi dhe këshillojnë që aktivitetet si përshembull, larja e duarve të bëhen në mënyra sa më të këndshme. 

Përgjigja e institucioneve arsimore në Shqipëri ndaj kujdesit të Shëndetit Mendor para dhe gjatë pandemisë       

Trajtimi psiko-social është tepër i rëndësishëm e sidomos tek fëmijët gjatë çdo lloj situate. Gjatë situatave të tilla sikurse është kjo e pandemisë së Covid-19 supozohet që trajtimi dhe kujdesi psiko-social të jetë më i lartë dhe më i sofistikuar në mënyrë t’i bëhet ballë situatës. Por sa të gatshme janë institucionet arsimore në Shqipëri për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve?

Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat në Shqipëri para pandemisë, çdo ditë 3 nxënës kërkonin ndihmë personalisht për trajtim psiko-social. Por sipas psikologëve, të gjithë fëmijët duhet të kenë vizita me psikologun gjatë kësaj periudhe sepse ngarkesa emocionale që ata kanë është më e lartë. Por, një psikolog në Shqipëri mbulon 1260 nxënës, çka e bën tepër të vështirë trajtimin e duhur të fëmijëve, sidomos gjatë pandemisë (Faktoje.al). Kjo e dhënë është një indikator tejet domethënës për nivelin e ulët të vëmendjes së institucioneve shtetërore dhe opinionit publik ndaj këtij problemi.

Ministria e Arsimit në Shqipëri, para nisjes së këtij viti shkollor, premtoi se do të dyfishohej numri i psikologëve në shkolla, por përsëri sipas investigimit të Faktoje.al rezulton se kjo nuk ka ndodhur dhe shkollat janë në mungesë psikologësh. Kjo mungesë specialistësh në këtë fushë delikate cënon në mënyrë direkte aftësitë sociale dhe emocionale të njerëzve dhe fëmijëve në veçanti. Aftësitë socio-emocionale të një fëmije përfshijnë shëndetin e tij mendor, mirëqenien dhe sjelljen e tij në përgjithësi. “Frutet” e kësaj neglizhence, do të vërehen shpejt nëse nuk do të ketë një reagim dhe veprim adekuat nga ana e institucioneve përgjegjëse.

Rëndësia e investimit në Shëndetin Mendor në botë 

Teksa pamë që në Shqipëri ka pasur një mungesë të theksuar të shërbimit ndaj shëndetit mendor, Organizata Botërore e Shëndetësisë nxjerr në pah se e njëjta gjë po ndodh edhe në vende të tjera të botës, duke ngritur kështu alarmin për investime në këtë sektor, tashmë më të rrezikuar se më parë. Pandemia e COVID-19 ka reduktuar ose shpërbërë shërbimet dhe strukturat thelbësore të shëndetit mendor në 93% të vendeve të botës, ndërsa kërkesa për shërbim ndaj shëndetit mendor është në rritje (WHO, 2020). Duke pasur parasysh të gjitha këshillat e psikologëve, raportet që tregojnë rritjen e stresit gjatë kësaj periudhe, ndjeshmërinë e lartë të fëmijëve ndaj situatave të tilla, është e rëndësishme të theksojmë nevojën e investimit tek shëndeti mendor tek të rinjtë dhe fëmijët.

Por ndërkohë që ka një krizë në fushën e trajtimit psikologjik të fëmijëve, në SHBA 13% e adoleshentëve marrin trajtim për shëndetin mendor (JamaPediatrics2020). Me kohëzgjatjen e mbylljes së shkollave, 96% e fëmijëve dhe 95% e  kujdestarëve shprehnin ndjenja të rritura negative kur shkollat ​​ishin mbyllur për 17-19 javë, krahasuar me 62% të fëmijëve dhe 83% të kujdestarëve kur shkollat ​​u mbyllën për 1 deri në 4 javë. Shifra të tillë dëshmojnë rëndesën psikologjike që sjellin masa të tilla tek fëmijët.

Duke filluar nga prilli i vitit 2020, përqindja e vizitave të lidhura me shëndetin mendor të fëmijëve u rrit dhe mbeti në rritje deri në tetor. Krahasuar me vitin 2019, përqindja e vizitave të lidhura me shëndetin mendor për fëmijët e moshës 5–11 dhe 12–17 vjeç u rrit afërsisht 24% dhe 31% (Save the Children2020).

Por teksa pamë që gjatë periudhës së pandemisë si në Shqipëri ashtu edhe në botë ka pasur mungesë të investimit për trajtimin e shëndetit mendor të fëmijëve, gjejmë edhe raste ku janë bërë përpjekje për një investim të tillë. UNICEF në bashkëpunim me qeveri të ndryshme kanë bërë përpjekje për të trajtuar psikologjikisht fëmijët.

Në partneritet me qeverinë, UNICEF Malajzia përpiloi këshilla për prindërit rreth Covid-19 dhe i lançoi ato në mediat sociale më 18 maj 2020. Ato morën rreth 4.4 milion klikime në kanale të ndryshme të mediave sociale. Një rast tjetër është ai i UNICEF Mongoli, e cila punoi me kompaninë VMLY & R dhe Institutin e Psikologjisë së Zbatuar për të siguruar këshilla për shëndetin mendor për adoleshentët gjatë kufizimeve të Covid-19 (UNICEF 2020). Ata bënë një fushatë në mediat sociale me një seri prej 11 videosh të cilat morën 340,000 shikime nga maji deri në korrik 2020. 

Psikologët e kanë theksuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë së familja luan një rol tepër të rëndësishëm tek fëmijët. Investimi në edukimin e prindërve për mënyrën e qasjes tek fëmijët gjatë pandemisë ka një rëndësi të veçantë.

Rekomandime për institucionet shqiptare 

 Sikurse u pa, vende si Malajzia dhe Mongolia në bashkëpunim me UNICEF kanë investuar në trajtimit e shëndetit mendor tek fëmijët.  Duke parë situatën e shëndetit mendor tek fëmijët dhe shifrat që tregojë një nevojë në rritje për trajtim psikologjik, lind nevoja për të apeluar institucionet qeveritare si dhe organizatat jo fitimprurëse apo edhe ato vullnetare, që të shtojnë vëmendjen e tyre ndaj kësaj problematike. Këto shembuj duhet të shërbejnë si indikator edhe për Shqipërinë, që ta problematizojnë çështjen e trajtimit të shëndetit mendor.

Së pari, mendoj se institucionet arsimore, duhet të jenë pararendëse në trajtimin e fëmijëve dhe të rinjve gjatë pandemisë. Ajo që duhet të bëjnë institucionet gjatë pandemisë, e cila duhet të vlejë edhe si momentum për të reflektuar në këtë aspekt edhe më vonë, është që të rrisin fillimisht numrin e psikologëve në shkolla. Në vijm, duhet të shtohen orët mësimore posaçërisht për shëndetin mendor të fëmijëve,  ku të flitet për Covid-19 nga një optikë e ndryshme, duke u përpjekur të ulet paniku që fëmijët mund të kenë si pasojë e lajmeve që dëgjojnë në media dhe rrjete sociale. Rrjetet sociale, përveç elementëve pozitivë tashmë të njohur, mund të paraqesin një rrezik për ekuilibrin mendor të grupeve shoqërore, ku veçohen fëmijët dhe adoleshentët. Studime të ndryshme kanë treguar se ekziston një raport mes përdorimit të tepruar të rrjeteve të ndryshme sociale dhe rritjes së depresionit dhe ankthit (Health of Children and Adolescents). 

Së dyti, mediat, përmes emisioneve informative dhe edukative, mund të zgjerojnë hapësirën gjatë pandemisë në këtë aspekt, duke u fokusuar tek fëmijët si kategori, pasi siç theksova edhe në krye të artikullit ata po e përjetojnë më keq stresin nga pandemia.

Një rol akoma dhe më të rëndësishëm luan institucioni i familjes. Prindërit padyshim që luajnë rolin e tyre në edukimin e fëmijëve, dhe do duhet të jenë më të kujdesshëm në këtë periudhë, duke u përpjekur që t’i sqarojnë fëmijëve pandeminë pa ndikuar negativisht tek ta, duke u shtuar panikun apo duke i shkaktuar stres dhe ankth. Kjo krizë shëndetësore mund të shërbejë edhe për mundësi të reja bashkëpunimi prindër-fëmijë, në mënyrë që lidhja e tyre të forcohet. Prindërit dhe fëmijët, janë të ndodhur tashmë në një situatë sfiduese, nën ankthin e krijuar nga virusi, nga mbiprodhimi i panikut nga mediat dhe vështirësitë ekonomike. Një ndihmesë kanë dhënë organizata të ndryshme si OBSH dhe Unicef, të cilat kanë bashkëpunuar për të publikuar burime në internet gjatë kësaj periudhe ku jepen këshilla të hollësishme për një prindërim sa më të shëndetshëm (Parenting in a time of Covid-19).

Rastet e mësipërme vlejnë të përmenden si shembuj për Shqipërinë, e cila ka një mungesë serioze në këtë aspekt. Nuk asnjë fushatë domethënëse dhe aktive informuese që prindërit në Shqipëri të jenë të ndërgjegjshëm rreth qasjes së duhur drejt kësaj problematike.

Kjo pandemi nxori në pah kalbëzimin dhe mosfunksionimin e shumë strukturave tejet të rëndësishme. Mendoj se një nivel i lartë ndërgjegjësimi kolektiv dhe institucional, mund të shërbejë si një shtysë drejt veprimit në kohë për të parandaluar kriza edhe më të rënda ekzistenciale sesa pandemia në vetvete.

Arbjona Çibuku, janar 2021

*Arbjona Çibuku, ka mbaruar studimet në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës. Eksperiencat e saj përfshijnë gazetare politike në shtypin e shkruar dhe po ashtu gazetare web-i. Aktualisht punon si gazetare në platformën mediatike Exit.al. Prej tre vitesh angazhohet si aktiviste në çështjet studentore dhe për të drejtat në punë. 

 

Referenca

https://www.evropaelire.org/a/femijet-koronavirusi-psikologet-/30504618.html

https://youtu.be/wXczqPC7dfw

https://faktoje.al/a-u-dyfishua-numri-i-psikologeve-dhe-punonjesve-sociale-ne-shkolla/

https://www.who.int/news/item/05-10-2020-covid-19-disrupting-mental-health-services-in-most-countries-who-survey

https://jamanetwsork.com/journals/jamapediatrics/fullarticle/2764730

https://www.savethechildren.net/blog/hidden-impacts-covid-19-children%E2%80%99s-mental-health

https://www.unicef.org/eap/media/6786/file/Mental%20health%20advocacy%20brief.pdf

https://www.researchgate.net/publication/335946775_The_impact_of_social_media_on_the_children_mental_health

https://doi.org/10.1016/S0140-6736(20)30736-4

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk