Pse fituan ekstremistët në zgjedhjet e Italisë?

Pse fituan ekstremistët në zgjedhjet e Italisë?

Dy vite pasi Britania e madhe votoi për të lënë Bashkimin Europian, në Itali këto zgjedhje shprehën refuzimin ndaj Brukselit. Ndryshe nga votuesit britanikë, italianët nuk do të mbështesin një referendum për largim nga eurozona, por mbështetja e tyre për partitë populiste, të cilat më parë kanë qenë të hapura për një referendum mbi euron, që ligjërisht do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për t’u bërë, ishte një tregues i humorit të vendit.
Votimi i së dielës shënoi ngritjen e dy partive relativisht të reja politike, të cilat deri kohët e fundit ishin konsideruar të dobëta. Partia anti-establishment Movimento 5 Stelle, e cila është partia më e votuar nga italianët duke siguruar 235 vende në Dhomën e Deputetëve dhe 114 në Senat (afërsisht 31% të votave), dhe partia euroskeptike anti-imigracion, Lega Nord, e cila performoi shumë më mirë se sa pritej, me 17% të votave. Ish-Kryeministri Silvio Berlusconi, që shihej si udhëheqësi i koalicionit të qendrës së djathtë, u mund nga Matteo Salvini i Lega-s, pas një fushate ku Salvini theksoi mbështetjen për politikat radikale të emigracionit, duke përfshirë largimin në masë të emigrantëve ilegalë.

Salvini, i njohur për retorikën e tij bombastike, dhe shpesh raciste, tha se rezultati i koalicionit të tij nënkuptonte se votuesit i kishin dhënë të drejtën e mandatit qeverisës. “Unë e mbaj fjalën, dhe po angazhohemi që të formojmë një koalicion të qendrës së djathtë, që fitoi, dhe që mund të qeverisë” u shpreh Salvini duke iu referuar një ‘marrëveshjeje xhentëllmenësh’ mes tij dhe Berlusconit, se nëse qendra e djathtë do të fitonte shumicën, cilado parti që do të merrte më shumë vota brenda koalicionit, do të emëronte Kryeministrin. Salvini shtoi se nuk do të formonte një koalicion me Movimento 5 Stelle. Për kreun e Lega-s, euro është një monedhë që është e destinuar të dështojë, edhe pse përjashtoi idenë e një referendumi mbi këtë monedhë.

Koalicioni i qendrës së majtë, i kryesuar nga Matteo Renzi, doli më keq nga sa pritej, duke fituar 19% të votave, duke marrë 107 Deputetë dhe 45 Senatorë. Ndërsa e besuara e Renzit, Maria Elena Boschi, fitoi një vend në parlament në Tirolin e Jugut, në Italinë veriore, dy Ministra të tjerë të shquar, i Brendshmi, Marco Minniti, dhe i Kulturës, Dario Franceschini, nuk ia dolën. Rezultati i dobët e detyroi Matteo Renzin, i cili ishte Kryeministër nga shkurti i vitit 2014, deri në dhjetor të vitit 2016, të japë dorëheqjen si Kreu i Partito Democratico. “Me Renzin ndodhi ajo që ndoshta mund të quhet cikli më i shkurtër i historisë së politikanëve të Italisë. Rezultati i zgjedhjeve është më pak se gjysma e atij që mori në zgjedhjet e 2014-ës. Për pak kohë, lëvizjet anti-Renzi brenda të majtës do t’i hidhen këtij të fundit në qafë”, u shpreh Francesco Galietti, analist politik në Romë. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë deri diku të jashtëzakonshme pasi kundërshtojnë diçka për të cilën shumica e analistëve do të binin dakort, se qeveria e Renzit ishte kompetente dhe arriti të përmirësojë ndjeshëm ekonominë e vendit, sikurse adaptoi politika që kufizuan numrin e emigrantëve që vinin në Europë.

Nga ana tjetër, qeverisja e dobët e Movimento 5 Stelle në disa Bashki, si në Romë nuk duket se i pengoi italianët ta votonin. Partia populiste kishte miratuar kohët e fundit një referendum për euron, por e zbuti këtë retorikë në prag të zgjedhjeve kombëtare. Edhe pse nuk janë mbështetës të largimit nga eurozona, italianët janë shumë kritikë ndaj Brukselit. Rezultatet gjithashtu treguan se Siçilia, një bastion i fortë i Forza Italia-s së Bersluconit, ra përfundimisht në duart e Movimento 5 Stelle.

Analistët u shprehën se është ende e paqartë se si partitë do të punojnë me njëra-tjetrën për të formuar një shumicë, e cila kërkon 318 vende në Dhomën e Deputetëve dhe 158 në Senat, të cilat askush nuk i ka. Asnjë koalicion apo parti nuk ka arrituar kouotën e 40% të votave të cilat do të mundësonin formimin e një qeverie. Bisedimet për të formuar një shumicë qeverisëse do të drejtohen nga Presidenti italian, Sergio Matarella. Pritet vendimi i tij që t’i japë mandatin për formimin e qeverisë Kreut të Koalicionit të Djathtë Salvinit apo atij të Movimeto 5 Stelle, Luigi Di Maio dhe më pas do të shihen eksperimentet e mundshme të koalicioneve që deri dje konsideroheshin si gati të pamundura. Koalicionet më të mundshme duket se do të jetë mes Movimento 5 Stelle dhe Partito Democratico, ose mes Movimento 5 Stelle dhe Lega-s. Një zgjidhje alternative do të ishte mbajtja e zgjedhjeve të reja, të cilat do të prodhonin një rezultat më vendimtar, por nuk ka garanci që një gjë e tillë mund të ndodhë. Edhe pse asnjë forcë politike nuk mund të qeverisë e vetme, të paktën nga sa tregojnë rezultatet paraprake, rritja e mbështetjes për populistët në Itali është krahasuar me Brexit dhe fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Pyetja që ngrihet në përfundim të këtyre zgjedhjeve është kjo: Sa të zhgënjyer dhe të revoltuar do të jenë ndjerë italianët me stilin e rezultatet qeverisjes në Itali që të gjejnë strehë tani tek populistët që premtojnë gjithçka, luajnë me frikën e qytetarëve dhe që me shumë gjasa do të realizojnë shumë pak nga ato që kanë premtuar?

                                                                                                                           The Guardian, mars 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk