Kriza e emigrantëve shkakton krizë të brendshme politike në Austri

Kriza e emigrantëve shkakton krizë të brendshme politike në Austri

Ndërkohë që austriakët vendosën për presidentin më datë 22 maj 2016, qeveria nuk vonoi që pak ditë pas raundit të parë të bënte disa lëvizje sa të papritura aq edhe të kritikuara nga vendet e BE-së, por edhe organizata jo qeveritare ndërkombëtare dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Ligji për azilin, që pa frikë u konsiderua si një nga ligjet më të egër në Europë i aprovuar më 27 prill nga ligjbërësit austriakë është një tjetër veprim që shqetëson Europën.

Ligji për azilin

I jep mundësi qeverisë federale të deklarojë gjendjen e emergjencës nëse numri i refugjatëve rritet, duke ndaluar hyrjen e tyre ne vend. Ligji pritet të hyj në fuqi në qershor, dhe pas miratimit nga dhoma e ulët pritet dhe ai nga Dhoma e Lartë. Sipas Euractiv Ligji kaloi me 98 vota pro dhe 67 kundër. Policia kufitare do të ketë autoritetin për të kthyer mbrapsht azilkërkuesit duke përfshirë dhe sirianët duke u mohuar dhe lirinë për të apeluar rastin e tyre. Vetëm ata persona që janë në gjendje të vërtetojnë përpara policisë që jeta e tyre është vërtetë në rrezik apo se rrezikojnë një trajtim jo dinjitoz në vendet fqinje do t’iu jepet mundësia të aplikojnë për azil. Të tjerët kthehen menjëherë mbrapsht. Edhe familjet e azilkërkuesve që janë tashmë në sistem mund të bashkohen me të afërmit e tyre për tre vjet. Pavarësisht reagimeve të forta kundër, ministri i brendshëm i Austrisë i ka qëndruar fort këtij vendimi, duke e justifikuar si të vetmen zgjedhje që mund të bënte qeveria “s’mund ta mbajmë ne të gjithë barrën e botës, për sa kohë që vende të tjera të BE-së nuk arrijnë të bëjnë pjesën e tyre.”

Sipas The Guardian përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme madje janë shprehur që personat që aplikojnë për azil në kufij më Italinë, Hungarinë apo Slloveninë nuk do të lejohen të hyjnë në territorin austriak, duke nënkuptuar që këto vende janë të sigurta dhe nuk ka pse refugjatët të aplikojnë në Austri. Pyetja që lind është, pse tani? Ku pas marrëveshjes Turqi –BE dhe mbylljes së kufirit maqedonas numri i aplikimeve ka rënë 150 në ditë, shumë herë më e ulët se shifrat në vjeshtë që arrinin me disa mijëra. Austria që deri më tani ka pritur mbi 80 mijë azilkërkues, është e frikësuar për prurjen e refugjatëve nga Italia,me fillimin e sezonit të trafikimit nga Libia në Itali. Sipas burimeve shtetërore austriake numri i refugjatëve nga Italia mund të dyfishohet këtë vit deri në 300 mijë persona dhe për këtë arsye sipas Ministrisë së Brendshme , ata duhet të jenë të përgatitur dhe pavarësisht numrit të vogël të aplikimeve tani, ligji duhet të vendoset në zbatim duke mos harruar të papriturat në të ardhmen.

Me ligjin vjen dhe muri...

Ligji përcakton jo vetëm kufizim të kërkesave për azil dhe refuzim të aplikantëve por edhe ndërtimin e një muri prej 400 metrash dhe shtrëngim të kontrollit kufitar me Italinë, në zonën që njihet si Kalimi Brenner. Qëndrimi i ndryshuar i qeverisë austriake nga mbështetës të politikës së Merkelit me ’dyer të hapura’ tani Austria po ndërton një mur që do të mbyllte përfundimisht rrugën e Ballkanit Perëndimor, duke i detyruar që të gjejnë një tjetër mundësi. Ky vendim mund të përkeqësojë marrëdhëniet me Italinë, dhe duket qartazi që kryeministrit italian nuk i ka pëlqyer kjo gjë. Austria nga ana tjetër nuk i ka shmangur kritikat dhe këshillat që Italia duhet t’i menaxhojë më mirë refugjatët që arrijnë brigjet italiane në sajë të detit Mesdhe. Muri të përfundohet në fillim të qershorit dhe ndërkohë do të shoqërohet me kontrolle që do të fillojnë më datë 1 qershor sidomos për mjetet e rënda të transportit. Kjo mund të sjellë vonesa dhe trafik që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tregtare mes Gjermanisë dhe Italisë, pasi dihet që Kalimi Brenner është korridori më i rëndësishëm që i lidh këto dy vende. Tyroli vendi ku do të ndërtohet muri është një pjesë e rëndësishme e historisë, i përbërë nga popullsi italiane dhe austriake. Kundërshti kanë ardhur dhe nga shumë protestues italianë të cilët ishin kundër kontrolleve në këtë kalim. Nga ana tjetër policia austriake nuk ka kursyer përdorimin e mjeteve të ndryshme për të qetësuar demonstruesit e acaruar.

Reagime dhe kritika

“Ligji i ri i Austrisë për azilin është një mur ligjor, njësoj i dëmshëm si ai që po ndërtohet”- është reagimi që vjen nga Organizata Ndërkombëtare Human Rights Watch. “ Njerëzit duhet të kenë mundësi të mbrohen dhe Austria duhet të bashkëpunojë me vendet e tjera të BE-së në këtë drejtim, pa u nxituar të marrë vendime individuale. Përfaqësues të UNHCR në Austri, kryetari Christoph Pinter sipas Euractiv është shprehur se ligji i ri do të shkatërronte sistemin e mirë koordinuar austriak që ka arritur të mbijetojë për rreth 60 vite, sa i përket procesit të azilit dhe refugjatëve si dhe mbrojtjes së tyre.

Jo vetëm shoqëria civile por edhe vende si Italia janë shprehur kundër ligjit të Austrisë. Kryeministri Renzi i ka përshkruar kufizimet dhe vendosjen e kufirit si ‘turpërisht kundër rregullave europiane, kundër historisë, kundër arsyes dhe kundër së ardhmes’. Italia është një nga vendet që preket drejtpërdrejtë nga rregullat e reja të vendosura nga Austria në lidhje me kufirin dhe ndërtimin e murit. Ndërsa ministri i Jashtëm italian është shprehur se vendosja e kufizimeve nuk është zgjidhja dhe që nëse plani vazhdon atëherë miqësia italo-austriake vihet në rrezik.

As Bashkimi Europian, nuk ka qëndruar pa reaguar ku Komisioneri Europian për Migrimin, Dimitris Avramopoulos i ka rikujtuar qeverisë austriake detyrimet që ka ajo për të pranuar çdo kërkesë për azil që bëhet brenda kufijve të shtetit austriak. Gjithashtu ai ka paralajmëruar që veprimet e ndërmarra duhet të jenë të arsyetuara mirë dhe në proporcion me vlerat europiane. Komisioni ka cilësuar këto plane si çështje që duhen shqyrtuar seriozisht pasi Kalimi i Brenner mbetet thelbësor sa i përket parimit të lëvizjes së lirë brenda BE-së.

Edhe një numër i madh eurodeputetësh i kërkuan Presidentit të Komisionit të mbajë një qëndrim ndaj planeve të Austrisë. Deputeti italian, kryetari i Partisë Europiane S&D Gianni Pitella është shprehur për Euractiv që lëvizja e Austrisë ishte një gabim i madh. Grupi parlamentar që Pitella udhëheq i cilëson veprimet e shtetit të Austrisë si kundër vlerave dhe rregullave të BE-së dhe për këtë Komisioni Europian duhet të marrë një vendim për të vlerësuar respektimin e rregullave të Schengen dhe BE-së të Austrisë.

Pavarësisht zërave kundër në Austri sipas disa sondazheve në vend rreth 76% e popullit austriak mbështet kufizimin e kufijve dhe rritjen e kontrolleve, edhe pse shfaqet skeptik dhe jo shumë mbështetës për sa i përket mënyrës se si qeveria e ka menaxhuar situatën e refugjatëve.


Ikën Kryeministri, vjen Presidenti...

Ndërkohë që me 22 maj u zhvillua raundi i dytë dhe final për Presidentin e Austrisë, në një konkurrim mes kandidatit të krahut të djathtë radikal Norbert Hoffer, fitues i raundit të parë me 36% të votave dhe përfaqësuesit të pavarur Alexander van Der Bellen, i mbështetur jo formalisht nga të gjelbrit. Ndërkohë që gjithë vëmendja ishte përqendruar tek zgjedhja e Presidentit, ku një fitore e mundshme e Norbert Hoffer nga Freedom Party do të shqetësonte shumë Europën dhe aleatët e tjerë të Austrisë, pasi edhe pse roli i Presidentit mbetet më shumë simbolik, Hofer në një nga deklaratat e tij është shprehur se njerëzit do të çuditeshin kur të mësojnë se çfarë është i zoti të bëj një president, duke theksuar se ai vetë do të shpërbente qeverinë. Një lëvizje e pamenduar vjen nga Kryeministri austriak Werner Faymann, i cili jep dorëheqjen më 9 maj 2016, 13 ditë para zgjedhjeve presidenciale. Pakënaqësia ishte rritur kjo u vu re edhe nga turmat e zhgënjyera që gjatë fjalimeve të kryeministrit kërkonin tërheqjen e tij nga politika, pasi nuk kishte ditur të menaxhonte krizën e emigrantëve por edhe papunësinë në rritje.

Faymann jep dorëheqjen jo vetëm si kryeministër i Austrisë por edhe si Kryetar i Partisë së tij, duke deklaruar që udhëheqës duhet të jetë një person që mbështetet nga e gjithë Partia e tij. Humbja në zgjedhjet presidenciale, kriza e papunësisë dhe ajo e refugjatëve kishin rritur pakënaqësitë edhe vetë brenda partisë së tij, Partia Demokratike Sociale (SPO). Tanimë kryetar i ri i Partisë dhe kryeministri i ri i Austrisë është Cristian Kern, drejtor i hekurudhës shtetërore i cili njihet dhe si një aktor që ka ndihmuar shumë refugjatë të kalojnë kufirin nga Hungaria për në Gjermani me anë të trenave të hekurudhës.

Me kryeministrin e dorëhequr dhe me zgjedhjet presidenciale më datë 22 maj e ardhmja e politikës dhe situatës në Austri mbetet akoma e papërcaktuar. Fitorja e papritur e 72 vjeçarit ekonomist të pavarur por të mbështetur jo formalisht nga të gjelbrit ishte e papritur por edhe më e dëshirueshme se sa e kandidatit tjetër të djathtë. Me një fitore të ngushtë sipas CNN vetëm me 61 mijë vota më shumë, presidenti Van der Bellen premtoi që pavarësisht dallimeve politike ai do të ishte presidenti i të gjithëve, një president gjithëpërfshirës. Konkurrimi ishte mes dy ekstremeve, Hofer kundër migrimit dhe Van der Bellen mbështetës i politikave liberale migratore. Ndryshim kishte edhe për sa i përket rolit të presidentit ndërkohe që Van Der Bellen kërkonte të ishte gjithëpërfshirës, Hofer parashikonte ndërhyrje në qeveri duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në qeveri. Humbja e Hofer ishte një ndërprerje e revanit të partive të djathta radikale që po lulëzojnë rreth vendeve të ndryshme të BE-së. Mbetet për t’u parë si do të vazhdojnë politikat e migrimit në Austri dhe cili do të jetë ndikimi i presidentit të ardhshëm në këtë drejtim.

                                                                                                                     Stafi i EuroSpeak, maj 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk