Shumëgjuhësia në Parlamentin Europian - shembull i diversitetit kulturor të Bashkimit Europian

Shumëgjuhësia në Parlamentin Europian - shembull i diversitetit kulturor të Bashkimit Europian

Shumëgjuhësia është reflektim i diversitetit kulturor dhe gjuhësor të Bashkimit Europian. BE  e ka parë gjithmonë diversitetin e tij të madh kulturor dhe gjuhësor si një pasuri. Shumëgjuhësia është e rrënjosur fort në traktatet europiane dhe vjen si pasqyrim i këtij diversiteti. 

Në nenin e tretë të Traktatit të Bashkimit Europian është parashikuar “Bashkimi Europian do të respektojë diversitetin kulturor e gjuhësor dhe do të sigurojë që trashëgimia kulturore e Europës të jetë e mbrojtur dhe e përmirësuar.” (Consolidated version of the Treaty on European Union, 2012).

Diversiteti gjuhësor mbrohet gjithashtu edhe nga neni 22 ‘Larmia kulturore, fetare dhe gjuhësore’ në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së, ku parashikohet: "Bashkimi Europian do të respektojë diversitetin kulturor, fetar e gjuhësor".(Chapter on Fundamental Rights of the European Union, 2000).

Kjo larmishmëri gjuhësore i bën institucionet europiane më transparente dhe të aksesueshme për të gjithë qytetarët, gjë e cila është thelbësore për suksesin e sistemit demokratik të BE-së. 

Bashkimi Europian ka 23 gjuhë zyrtare dhe kësaj liste në ditën e parë të vitit 2022 i është shtuar edhe gjuha irlandeze. (Irish recognised as official EU language, Euroactiv, 2022). Mund të rikujtojmë se në vitin 2016, pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE, u diskutua nga anëtarët e PE-së nëse anglishtja e cila ishte bërë pjesë e gjuhëve zyrtare të BE që nga 1973, do të mbetej apo jo gjuhë zyrtare. Dhe në vitin 2021 Komisioni Europian konfirmoi se kjo gjuhë do të mbetej edhe pas Brexit duke theksuar që ajo mbetej një gjuhë zyrtare për dy shtete të tjera anëtare të BE - siç janë Irlanda dhe Malta. 

Parlamenti Europian ndryshon nga institucionet e tjera të BE-së nga detyrimi i tij për të siguruar shkallën më të lartë të mundshme të shumëgjuhësisë. Çdo qytetar europian ka të drejtë të kandidojë për t'u zgjedhur në Parlamentin Europian, gjithashtu qytetarët duhet të jenë në gjendje të lexojnë legjislacionin që i prek në gjuhën e vendit të tyre. Përsa i përket cilësisë gjuhësore të ligjeve të miratuara, PE ka për detyrë që ta sigurojë atë në mënyrë të përsosur. Vetëm për të siguruar përkthimin dhe interpretimin nga Bashkimi Europian shpenzohet më shumë se një miliard euro në vit. 


Por cila është strategjia europiane për shumëgjuhësinë dhe objektivat e saj?


Rezoluta e Këshillit Europian mbi Strategjinë Europiane për Shumëgjuhësinë (ESM),  është një nga dokumentet e publikuara nga BE-ja që merret me politikën e përgjithshme gjuhësore europiane. (European Strategy for Multilingualism; benefits and costs). Ky raport është botuar në vitin 2016 dhe trajton avantazhet e disavantazhet që ka shumëgjuhësia në ekonomi, në shoqëri dhe në institucionet e Bashkimit Europian. 

Duke u mbështetur në këtë raport, tre objektivat e përgjithshëm të politikave gjuhësore europiane janë: promovimi i shumëgjuhësisë me qëllim forcimin e kohezionit social, dialogut ndërkulturor dhe ndërtimit europian; promovimin e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore në tregun e vetëm, rritjen e mundësive për punësim në Europë. Objektivi i tretë i ESM ka të bëjë me menaxhimin e komunikimit shumëgjuhësh në institucionet e BE-së.

Tregu i punës në Europë ka treguar se aftësitë shumë të mira gjuhësore shpërblehen më shumë se njohuritë e kufizuara të gjuhës. Rekomandimet e Komisionit Europian  janë të bazuara në formulën ‘mother tongue + two foreign languages’ (gjuhë amtare + dy gjuhë të huaja) me fokus të veçantë sidomos të rinjtë. Ky parim u prezantua për herë të parë në Samitin e Këshillit Europian në vitin 2002, e  ndërkohë që puna e Komisionit për të realizuar rekomandimet filloi në 2017 e deri më tani vihet re njëfarë progresi, por jo në nivelet e dëshiruara.  

Ky parim thekson se të mësuarit të më shumë se një të gjuhe të huaj është një investim i vlefshëm për individin, për shoqërinë në tërësi, si dhe ka ndikim edhe në komunikimin ndërkulturor në Europë. Objektivi i tretë është promovimi i shumëgjuhësisë në institucionet e BE-së. Shumëgjuhësia apo multilingualizmi mbetet mënyra më efektive për të përcjellë informacionin te qytetarët e BE-së që të kuptohet dhe të arrihet nga të gjithë pavarësisht gjuhës që ata flasin dhe kuptojnë.


Gesjana Halili, qershor 2022

*Gesjana Halili ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet e nivelit Bachelor, në degën Gjuhë shqipe dhe Letërsi, pranë Universitetit të Elbasanit, Fakulteti i Shkencave Humane. Sapo është diplomuar në nivelin Master në degën Gjuhësi Historike, pranë Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, si pjesë e një programi shkëmbimi, ka kryer një semestër pranë Universitetit të La Sapienzas (Itali), Fakulteti i Letersisë dhe Filozofisë. Gesjana ka marrë pjese në trajnime dhe shkolla të ndryshme verore, me fokus Gjuhësinë, shoqerinë, si edhe Intergrimin Europian. Një ndër shkollat verore që ajo ka ndjekur së fundmi me fokus në integrimin europian është “Eutopia 2002-27? Missions and visions of Europe” organizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Universitetit të Pésc (Hungari), Fakulteti i Shkencave Humane dhe Sociale, Departamenti i Studimeve Politike dhe Ndërkombëtare. Ajo flet anglisht, italisht dhe gjithashtu ka njohuri të mira të frëngjishtes e të gjermanishtes.

 


Bibliografi:

[1] Consolidated version of the Treaty on European Union, 2012, https://eur-lex.europa.eu/resource.html?uri=cellar:2bf140bf-a3f8-4ab2-b506-fd71826e6da6.0023.02/DOC_1&format=PDF

[2] Chapter on Fundamental Rights of the European Union, 2000, https://www.europarl.europa.eu/charter/pdf/text_en.pdf

[3] Irish recognised as official EU language, Euroactiv, 2022, https://www.euractiv.com/section/politics/short_news/irish-recognised-as-official-eu-language/

[4].Multilingualism in the European Parlament,

https://www.europarl.europa.eu/about-parliament/en/organisation-and-rules/multilingualism 

5 European strategy for multilingualism; benefits and costs, 2016,

https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/STUD/2016/573460/IPOL_STU(2016)573460_EN.pdf



1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk