Ballkani Perëndimor gjatë pandemisë - si po shkon rimëkëmbja?

Ballkani Perëndimor gjatë pandemisë - si po shkon rimëkëmbja?

Data 11 mars 2020 shënon ditën që Organizata Botërore e Shëndetit shpalli COVID-19 si një pandemi. Që nga ky moment, por edhe më herët gjatë fazave vlerësuese, ky virus i ri u kthye në fjalën kryesore në diskutimet e niveleve më të larta (OBSH, 2020). Çfarë kërcënimi paraqiste pandemia për jetën social-ekonomike të kombeve të ndryshme? Me çfarë pasojash të pashmangshme do të përballeshin shoqëritë tona? Këto ishin disa nga pyetjet që dukshëm me kalimin e kohës u shpalosën dhe u qartësuan. Reagimi i BE-së ishte në porporcion me rrezikun e paraqitur dhe Ballkani Perëndimor nuk u la pas.


Mobilizimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor

Për ti paraprirë samitit të radhës, më 29 maj 2020, në Komunikimin e Komisionit për “Mbështetjen për Ballkanin Perëndimor në trajtimin e COVID-19 dhe rimëkëmbjen pas pandemisë” thuhej qartë se BE-ja ka mobilizuar një paketë prej mbi 3.3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor ndaj përpjekjeve për përballimin e  COVID-19 dhe rimëkëmbjen pas pandemisë. Paketa ofron mbështetje për sektorin e shëndetësisë dhe për zhvillimin social-ekonomik të vendeve partnere. Përveç kësaj BE-ja arriti të ofrojë në kohë shumë të shpejtë 750 milionë euro të ndihmës makro-financiare dhe një 1.7  miliardë euro paketë ndihme nga Banka Europiane e Investimeve (Komisioni Europian, 2020). 


Si pasqyrim i angazhimit të BE-së ndaj rajonit si dhe si vazhdimësi e Procesit të Berlinit më 6 maj 2020, u mbajt Samiti BE - Ballkani Perëndimor, në Zagreb. Natyrshëm, duke marrë parasysh situatën, pika fokale ishin lufta ndaj pandemisë, pasojat në shoqëri dhe ekonomi dhe rimëkëmbja pas pandemisë. Deklarata e Zagrebit si rezultat i prekshëm i samitit i referohet ndihmës financiare të dhënë nga BE-ja dhe Komunikimit të Komisionit, si veprime konkrete të ndërmarra ndaj angazhimit drejt zgjerimit të Unionit dhe Integrimit Europian të rajonit. 


Deklarata përmbante dhe një ftesë ndaj Komisionit Europian që të sillte një plan të fuqishëm ekonomik dhe investues për rajonin për të nxitur ekonomitë duke përmirësuar konkurrueshmërinë e tyre për t'i lidhur më mirë ato brenda rajonit dhe me BE-në. Kjo u dëgjua nga liderët e BE-së dhe pas deklaratës së Zagrebit, Komisioni Europian prezantoi një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor që synon rimëkëmbjen afatgjatë të rajonit si përgjigje ndaj krizës globale që nuk ishte vetëm shëndetësore. 


Pika qëndrore e këtij plani e gjen bazën në një strategji thelbësore të tranzicionit të gjelbër dhe dixhital të mbështetur nga një mobilizim prej 9 miliardë euro të financimit të Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) III për periudhën 2021-2027 për Ballkanin Perëndimor. Plani mbështet lidhëshmërinë e qëndrueshme, kapitalin njerëzor, konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, dhe tranzicionin e njëkohshëm të gjelbër dhe atë dixhital. Gjatë prezantimit të Planit, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi ndër të tjera u shpreh “... Plani ofron gjithashtu një rrugë për një integrim të suksesshëm ekonomik rajonal për të ndihmuar në realizimin e konvergjencës me BE-në dhe mbylljen e hendekut të zhvillimit midis rajoneve tona, duke përshpejtuar përfundimisht procesin e integrimit në BE. Ky plan duhet të ndihmojë në transformimin e Ballkanit Perëndimor në një nga rajonet më tërheqëse për investime në botë. Zbatimi sigurisht që do të duhet të shkojë paralelisht me reformat” (DG-Near, Komisioni Europian, 2020). Zbatimi i këtyre reformave, sidomos në fushën e shtetit të së drejtës do të luajnë një rol vendimtar në suksesin e këtij plani dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. 


Ku qëndron shteti i së drejtës?

Shteti i së drejtës dhe qeverisja e mirë (Fundamentals first) mbeten baza të panegociueshme të procesit të Integrimit Europian të vendeve kandidate. Plani Ekonomik dhe i Investimeve është pjesë përbërëse e udhëtimit të kahershëm të procesit të anëtarësimit dhe synon që të kontribuojë në tejçimin e zhvillimit ekonomik dhe njëkohësisht në zbatimin e reformave themelore. Kjo përfshin zbatimin e reformave të shtetit të së drejtës dhe reformave strukturore ekonomike, sidomos ato që jane të identifikuara në programet e reformës ekonomike, duke bërë kështu që të maksimizohet ndikimi i kësaj pakete investimi (Komisioni Europian, 2020). Siç u përmend më lart, Plani Ekonomik dhe i Investimeve është ndërtuar mbi grantet e IPA III, pra për përiudhën 2021-2027, si dhe mbi huatë e dhëna që pritet të takojnë shifrën e 20 miliardë euro brenda kësaj dekade. Mbetet ende të bëhet bilanci në fund të kësaj periudhe për të identifikuar nëse reformat kyçe kanë qënë të sukseshme dhe kështu vlerësimin e suksesit të këtij plani. 


Në retrospektivë, për të bërë një analizë të shkurtër, bilanci i rrugëtimit të reformave që forcojnë shtetin e së drejtës në Ballkanin Perëndimor nuk ka qënë pozitiv. Gjykata Europiane e Auditorëve në fillim të vitit 2022 publikoi raportin “Mbështetja e BE-së për shtetin e së drejtës në Ballkanin Perëndimor: pavarësisht përpjekjeve, problemet themelore vazhdojnë”. Ky raport vlerësonte se investimi i Unionit prej 700 milionë euro ndërmjet viteve 2014-2020, fonde të cilat janë alokuar nën IPA II nuk ka prodhuar efekte domethënëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 


Raporti sjell në vëmendje që disa reforma teknike dhe operacionale janë ndërmarrë, por vullneti i pamjaftueshëm politik ka bërë që veprimtaria  e BE-së të këtë një impakt të kufizuar në reforma themelore. Ndërkohë vërehen probleme të vazhdueshme të cilat kanë çuar në mungesën e  pavarësisë e gjyqësorit, përqendrimin e pushtetit, ndërhyrje politike dhe korrupsion. Nga ana tjetër, raporti thekson qasjen e butë të BE-së për financimin e projekteve duke deklaruar që ka pasur nje aplikim jo konsistent të parakushteve për këto financime si dhe thekson që BE-ja e ka shfrytëzuar shumë rrallë mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një përfitues nuk respekton parimet themelore të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, si dhe lë pas reformat në dobi të shtetit të së drejtës (Gjykata Europiane e Auditorëve, 2022).  Ky është një ilustrim i qartë sesi nëse investimet ekonomike nuk shoqërohen nga reformat, janë të destinuara të jenë të pasuksesshme. 


Por si po shkon kjo rimëkëmbje?


Ndërkohë që qëndrojmë në pritje për të parë rezultatet e prekshme të fondeve të dhëna në sajë të rimëkëmbjes së rajonit, Raporti i Bankës Botërore “Raporti i Rregullt Ekonomik i Ballkanit Perëndimor: Vjeshtë 2021” ofron një pamje pozitive. Sipas këtij raporti në vitin 2021 rajoni ka pasur një rimëkëmbje nga recesioni i shkaktuar si rezultat i COVID-19 ku raportohet një rritje e PPB prej 5.9% në 2021, krahasimisht me rritjen 3.1% të PPB në 2020. Kjo rimëkëmbje ka ardhur si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm si rezultat i lehtësimit të masave kufizuese të pandemisë të cilat krijuan kushtet për rritjen e eksporteve, turizmit dhe rihapjen e tregut të brendshëm. 

Megjithatë, duket që kjo rimëkëmbje është ende e brishtë. Rritja e shkallës së papunësisë dhe problematikat e tregut të punës në gjysmën e parë të vitit 2021 mund të përbëjnë një sfidë për qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik të rajonit. Dukshëm, humbja e vendeve të punës nga recesioni në mënyrë disproporcionale ka prekur gratë dhe të rinjtë që padyshim mund të ndikojë negativisht nivelin e tyre të pjesëmarrjes në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor (World Bank, 2021). 

Ky vlerësim ishte i ngjashëm më atë të bërë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e cila në nëntor 2021 botoi raportin e Perspektivave Ekonomike Rajonale duke parashikuar një rritje ekonomike të rajonit prej 6.4% në 2021. Sipas këtij raporti, prodhimi industrial, eksportet në rritje dhe sektori i turizmit ndër të tjera kanë qënë kontribues kryesor në këtë rritje. Nërkohë qytetarët e rajonit janë përballur me çmime më të larta të konsumit që nga fillimi i vitit 2021 për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë. Edhe pse politikat fiskale kanë qëndruar në nivelet e duhura për të akomoduar këtë rritje, inflacioni dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve në eurozonë përbejnë rrezik për zhvillimin ekonomik të rajonit. 


Pavarësisht zhvillimeve ekonomike pozitive në rajon gjatë vitit 2021, shenjat e rimëkëmbjës ekonomike ka gjasa të zbehen me ndryshimin e faktorëve të jashtëm si dhe nga zhvillimi i pandemisë. Këto pasiguri mund të shumëfishohen me politikat e gabuara fiskale si dhe rritjen e kostove të huamarrjes (BERZH, 2021). Ballkani Perëndimor dhe rruga drejt rimëkëmbjes do të shoqërohet me hapa të pasigurt. 


Gladiola Lleshi, staf i EuroSpeak, shkurt 2022

Referencat:


https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/news/western-balkans-economic-and-investment-plan-support-economic-recovery-and-convergence-2020-10-06_en.

https://www.ebrd.com/news/2021/western-balkans-economies-recover-faster-than-expected-.html#:~:text=The%20European%20Bank%20for%20Reconstruction,REP.


1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk