Prirja e opinionit publik europian versus atij shqiptar mbi Integrimin Europian

Prirja e opinionit publik europian versus atij shqiptar mbi Integrimin Europian

Kur ne flasim për opinionin publik europian, jemi të prirur ta lidhim me atë që është bërë praktikisht një institucion: Eurobarometri. Kjo sepse që nga krijimi i tij, në fillim të viteve 1970, Komisioni Europian ka mbajtur frenat e këtij sistemi për të kryer dhe për të analizuar sondazhet e opinionit publik, me objektivin e qartë për të siguruar rezultate rigoroze shkencore. Në Eurobarometrin 79 (maj 2013), janë studiuar prirjet e publikut europian mbi çështje të rëndësishme si imazhi i BE-së, qytetaria europiane, besimi mbi institucionet e Unionit, etj. Shumica absolute e europianëve e ndjejnë veten si qytetarë të BE-së dhe ky mendim është i qëndrueshëm (62 %, me -1 % diferencë që nga vjeshta 2012). Më shumë se një e treta nuk pajtohen me këtë deklaratë (37 % +1). Që nga pranvera 2010 (EB73), kjo ndjenjë e të qenit një qytetar europian ka ndryshuar pak, duke variuar mes 61% dhe 63%. Më shumë se dy të tretat e europianëve thonë se zëri i tyre nuk llogaritet në BE (67%, me 3 pikë rritje), duke arritur në nivelin e saj më të lartë që nga vjeshta e vitit 2004 (EB62), kur kjo pyetje u bë për herë të parë. Kjo përqindje është rritur pothuajse vazhdimisht që prej pranverës së vitit 2009 (EB71), nga 53% deri në 67%. Pak më shumë se një e katërta e të anketuarve (28 %, -3) ​​janë dakort me pohimin që zëri i tyre ka vlerë për Unionin, (Standard Eurobarometer 79, 2013, fq. 5-12).

Nga rezultatet e matura në Eurobarometrin Standard 93, (verë 2020), 48% e evropianëve nuk kanë besim tek Bashkimi Europian (+1 përqind që nga vjeshta 2019, +2% krahasuar me EU27) dhe vetëm 43% e tyre kanë besim tek BE-ja (-2 % krahasuar me EU27), si dhe 9% (-1, krahasuar me EU27) thanë se nuk kishin asnjë opinion lidhur me çështjen. Indeksi i besimit ka rënë me një pikë që nga vjeshta e vitit 2019 dhe me pesë pikë që nga pranvera 2017. Në 15 nga vendet anëtare, shumica e të pyeturve tregojnë besim tek Bashkimi Europian, me nivele të larta besimi në Irlandë (73%) dhe Danimarkë (63%). Në mesin e atyre vendeve, ku mazhoranca e të anketuarve shprehin mosbesim tek BE-ja, janë Greqia (66% nuk kanë besim dhe vetëm 32% janë besimplotë), Italia (61% mosbesues me 28% mbështetës), Franca (57% me 30%) dhe Çekia (56% me 35%). Nga ana tjetër, diferencat janë minimale në Luksemburg (51% mosbesues me 49% besimplotë), Finlanda (51% me 49%), Sllovenia (48% me 47%) dhe Sllovakia (46% me 45%), (Standard Eurobarometer 93, 2020).

E ardhmja e Bashkimit Europian, tejkalimi i krizave ekonomiko-financiare, proceset integruese dhe të zgjerimit, përcaktohen dhe nga mbështetja e opinionit publik në Vendet Anëtare. Siç tregojnë dhe sondazhet e Eurobarometrit Standard, mbështetja publike për integrimin dhe zgjerimin e Bashkimit Europian ka rënie nga periudha në periudhë. Opinionet në favor / kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së zbulojnë se europianët janë më pak optimistë në lidhje me këtë politikë të Unionit. Deri në fund të vitit 2008, rreth 36% e njerëzve u shprehën se ishin kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Kjo përqindje rritet në 40% që nga viti 2009, duke kulmuar me 45% në maj 2010 dhe me 50% në nëntor 2011. Në të njëjtën kohë, që nga viti 2009, përqindja e njerëzve në favor të zgjerimit të mëtejshëm ka rënë nën 50% (Di Mauro & Fraile, 2012). Analiza e të dhënave nga sondazhet periodike tregon se opinioni publik i Vendeve Anëtare nuk është entuziast për zgjerimin e Bashkimit Europian. Sipas Eurobarometrit 78, opinioni publik europian është pothuajse i pandryshueshëm. Në vitin 2012, 52% e europianëve (-1% krahasuar me Eurobarometrin paraardhës) u shprehën kundër kësaj politike, ndërsa vetëm 38% (+2%) janë në favor dhe 10% e të anketuarve janë neutralë (Standard Eurobarometer 78, 2012).

Përsa i përket qëndrimet ndaj "kandidatëve" të veçantë për anëtarësim, si dhe kandidatëve potencialë, në disa nga Eurobarometrat, janë përfshirë disa pyetje rreth anëtarësimit të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate. Në varësi të vendit të përcaktuar si kandidat potencial, përqindja e njerëzve në favor ose kundër ndryshon me një amplitudë të madhe: Gati 80% e europianëve kanë një konsensus për Zvicrën dhe Norvegjinë, duke i parë ato si shtete të reja anëtare, ndërsa anëtarësimet e shteteve të tjera janë mbështetur vetëm nga 30% e të anketuarve. Mbështetja më e ulët është për vende si Turqia, Shqipëria dhe Kosova, të cilat nuk janë ‘të preferuara për opinionin publik të Vendeve Anëtare (Di Mauro & Fraile, 2012).

Eurobarometri 93 (verë 2020), ashtu si sondazhi i Eurobarometrit vjeshtë 2019 (EB92), përsa i përket opinionit publik në vendet kandidate për anëtarësim, tregoi se mbështetja për anëtarësimin në BE është shumë e lartë në Shqipëri, ku rreth nëntë në dhjetë veta (86%, -2 %) e të pyeturve mendojnë se anëtarësimi në BE do të jetë diçka e mirë për vendin. Pothuajse e njëjta mbështetje është edhe në Maqedoninë e Veriut (69%, +8) dhe në Mal të Zi (54%, -15), edhe pse në këtë të fundit, mbështetja ka rënë ndjeshëm nga sondazhet e kaluara. Mbështetja për anëtarësim është reduktuar në Serbi (40%, -4), edhe pse nuk ka qenë e lartë edhe në vitet e shkuara. Në Turqi, mbështjetja për anëtarësim në BE ka një rritje të ndjeshme nga sondazhi i kaluar (39%, +12). Si në Serbi dhe në Turqi, një numër i konsiderueshëm i të anketuarve (34%) e konsiderojnë anëtarësimin e vendit të tyre në BE si “diçka as e mirë e as e keqe” (Standard Eurobarometer 93, 2020).

 

Sfera publike shqiptare: prirjet e opinionit publik mbi anëtarësimin në BE.

Edhe në Shqipëri nuk mungon një sferëpublike, që edhe pse në forma modeste dhe të moderuara është krijuar që me shembjen e diktaturës në fillim të viteve 1990. Hapësira publike mundëson shkëmbimin e lirë të ideve, media të lira dhe të përgjegjshme, krijimin e grupeve të interesit dhe mbi të gjitha ekzistencën e një opinioni publik aktiv. Edhe pse mund të konsiderojmë që sfera publike shqiptare është akoma në konsolidim e sipër dhe opinioni publik shqiptar nuk ka akses në politikëbërje apo në debatimin e politikëbërjes siç ka publiku europian, nuk mund të anashkalojmë ndikimin që publiku shqiptar ka në proceset reformuese që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të integrimit europian.

Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ka qenë dhe vazhdon të jetë e lartë. Gjatë një dekade, gjatë së cilës Shqipëria arriti të siguronte një stabilitet zhvillimi, duke lënë prapa një cikël krizash kronike, mbështetja e qytetarëve të saj për projektin europian ka qenë popullore në mënyrë spektakolare dhe e pakrahasueshme me vende të tjera. Kështu, që nga matja e parë e perceptimeve dhe opinionit që shqiptarët kanë për integrimin në BE, në vitin 2003, mbështetja për anëtarësim asnjëherë nuk është ulur nën 80 për qind, një nivel mbështetjeje që nuk është arritur asnjëherë në asnjë vend anëtar ose jo anëtar të BE-së (Perspektiva Europiane e Shqipërisë, 2012).

Pikën më të ulët të mbështetjes, opinioni publik shqiptar e ka arritur në vitin 2011, ku rezultoi se vetëm 80.7 për qind e shqiptarëve e mbështesin integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane, krahasuar me 93.4% një vit më pare (Perspektiva Europiane e Shqipërisë, 2011). Megjithatë, është mjaft interesante të konstatohet se edhe në kushtet e rritjes se euroskepticizmit anembanë Europës, kjo edhe për shkak të krizës ekonomike, në veçanti krizës së eurozonës që tronditi besimin në të ardhmen e projektit europian, qytetarët shqiptarë janë entuziastë dhe mbështetës të flaktë të anëtarësimit të vendit të tyre në BE.

Në sondazhin e zhvilluar në vjeshtën e vitit 2012, rezultoi se 86.5 për qind e shqiptarëve do të votonin në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa vetëm 7 % do të votonin kundër. Për më tepër, për 57.5 për qind e atyre që u përgjigjën, integrimi europian është shumë i rëndësishëm në dimensionin personal, ndërsa për 1/3-ën e kampionit integrimi është goxha i rëndësishëm, por jo një prioritet. Vetëm 6 për qind nuk i japin asnjë lloj rëndësie procesit, duke përfaqësuar kështu një kategori të vogël. Me sondazhin e vitit 2012 vjen konfirmimi i plotë se mbështetja për anëtarësim në BE është popullore, unike, gati “totalitare” (Perspektiva Europiane e Shqipërisë, 2012).

Sipas analizës së të dhënave raportuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, kjo mbështetje popullore dhe pothuajse jo-realiste e opinionit shqiptar për anëtarësimin në BE, vjen nga disa arsye (Perspektiva Europiane e Shqipërisë, 2012): Së pari, dhe më kryesorja, spektri politik shqiptar nuk përfshin asnjë parti, organizatë, apo individ me influencë që ka qenë kundër projektit të anëtarësimit, edhe pse vitet e fundit janë shfaqur zëra kritikë. Kritika ka pasur më shumë të bëjë me procesin e integrimit sesa me BE-në apo vetë perspektivën e hyrjes në BE. Së dyti, shpjegimet mbi përfitimet që shqiptarët i atribuojnë anëtarësimit në BE janë shumë të larta dhe shpesh joreale. Gjithsesi, ato përbëjnë shtysa të fuqishme për mbështetje. Për më tepër, vetë anëtarësimi në BE do të nënkuptonte fundin e tranzicionit postkomunist nga pikëpamja sociale.

Edhe në raportin e Balkan Barometër 2020, që mat qëndrimet e opinionit publik në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi çështje të rëndësishme si bashkëpunimi rajonal apo integrimi europian, doli në pah mbështetja entuziaste e qytetarëve shqiptarë ndaj anëtarësimit në BE. Përsa i përket zhvillimit dhe bashkëpunimit rajonal, Shqipëria ka një qasje optimiste me 60% të atyre që janë pyetur, të cilët u treguan besimplotë për integrimin dhe zhvillimin rajonal, duke u ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 49%. Serbia mbetet ekonomia e vetme e rajonit, ku anëtarësimi në BE mbështetet nga më pak se një e treta e të pyeturve. Shqipëria dhe Kosova janë mbështetëset më të zjarrta të BE-së në rajon, me respektivisht 87% dhe 75%, duke e parë anëtarësimin si një zhvillim tejet pozitiv (Balkan Barometer 2020).

 

Konkluzione

Matja e prirjeve të opinionit publik është e rëndësishme, sepse vetë funksionimi i demokracisë varet nga njohja dhe respektimi i qëndrimeve të anëtarëve të shoqërisë. Në rastin e Bashkimit Europian, zëri i opinionit publik merret në konsideratë me seriozitetin e nevojshëm. Refendume të ndryshme, të realizuara për Traktatet e Unionit apo për ndryshime të rëndësishme si psh në rastin e Brexit, kanë treguar forcën e opinionit publik. Eurobarometri, është mjeti përmes të cilit institucionet e Unionit masin në mënyrë periodike prirjet e opinionit publik. Nga analiza krahasuese e Eurobarometrit në vitet e fundit, vihet re një luhatje e besueshmërisë së qytetarëve europianë tek politikat e Unionit. P.sh. në Eurobarometrin 79 (maj 2013), më shumë se dy të tretat e europianëve thonë se zëri i tyre nuk llogaritet në BE (67%). Përsa i përket politikës së zgjerimit, analiza e të dhënave nga sondazhet periodike tregon se opinioni publik i Vendeve Anëtare vazhdon të mos jetë entuziast për zgjerimin e Unionit. Lidhur me këtë politikë të rëndësishme të BE-së, sipas Eurobarometrit 78, opinioni publik europian është pothuajse i pandryshueshëm. Në vitin 2012, 52% e europianëve (-1% krahasuar me Eurobarometrin paraardhës) u shprehën kundër kësaj politike, ndërsa vetëm 38% (+2%) janë në favor dhe 10% e të anketuarve janë neutralë. Në matjet e opinionit publik në vitin 2020, shqetësimi kryesor i qytetarëve europianë është përballimi i situatës së krijuar nga Covid-19. Bazuar tek të dhënat e grumbulluara nga sondazhet, përgjithësisht, europianët nuk mendojnë se Bashkimi Europian ka reaguar me efikasitetin e duhur për të amortizuar efektet negative të masave anti-covid, (qytetarët italianë renditen tek më të pakënaqurit me 62%), (PE, 2020). Në ndryshim nga opinioni publik i Bashkimit Europian, qytetarët shqiptarë kanë një entuziazëm të dukshëm për t’u integruar në BE. Me përjashtime të rralla, opinioni publik shqiptar ka një mbështetje të jashtëzakonshme (me mbi 80%) për anëtarësimin në Union, shpesh pa qenë plotësisht i informuar për kostot dhe përfitimet e hyrjes në BE.

 

Joana Kosho, shkurt 2021

*Joana Kosho është pedagoge gazetarie në universitetet “Aleksandër Moisiu” dhe “Aleksandër Xhuvani”. Ajo është diplomuar për Gazetari në UT dhe ka një Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Gjithashtu ka marrë gradën Doktore Shkencash në “Studime Europiane dhe Integrim Europian”. Ka botuar një sërë librash në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të gazetarisë, si p.sh. monografinë “Sistemi Ndërkombëtar i Koncertit të Europës. Epoka e Meternikut”, apo librin universitar “Studime Televizive”, etj.

 

Referenca:

 

  1. Balkan Barometer (2020). Public Opinion Analytical Report, Regional Cooperation Council: https://www.rcc.int/pages/139/balkan-barometer-2020
  2. Di Mauro, D. and Fraile, M. (2012). Who Wants More? Attitudes Toward EU Enlargement in Time of Crisis, Spotlight 2012/04.
  3. European Parliament, (1 July, 2020). Public Opinion Monitoring at a Glance; in the Time of Covid-19: https://www.europarl.europa.eu/at-your-service/files/be-heard/eurobarometer/2020/covid19/en-public-opinion-in-the-time-of-covid19-20200701.pdf
  4. Perspektiva Evropiane e Shqipërisë. (2012). Perceptime dhe Realitete. Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, Tiranë.
  5. Perspektiva Evropiane e Shqipërisë. (2011). Perceptime dhe Realitete. Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, Tiranë.
  6. Standard Eurobarometer 78, (Autumn 2012). Public opinion in the European Union: https://ec.europa.eu/commfrontoffice/publicopinion/archives/eb/eb78/eb78_publ_en.pdf
  7. Standard Eurobarometer 79, (Spring 2013). Public Opinion in the European Union: http://ec.europa.eu/public_opinion/archives/eb/eb79/eb79_first_en.pdf
  8. Standard Eurobarometer 93 (Summer 2020). Public Opinion in the European Union Report: https://data.europa.eu/euodp/en/data/dataset/S2262_93_1_93_1_ENG
1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
22Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk