E Shtunë, 31 Tetor 2020
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Polemikat ndaj buxhetit të ri të BE - Katërshja Dorështrënguar vs Miqtë e Kohezionit

budget1Me krizën e shkaktuar nga Covid-19 tonet e diskutimit në zonën Europiane, lidhur me miratimin e buxhetit të përbashkët, janë ngritur. Debati për miratimin e paketës ekonomike, që synohet të sjellë jo vetëm rimëkëmbjen e ekonomisë europiane, por edhe stabilitetin kontinental, nuk është i ri. Që me shenjat e para të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga aleanca europiane nisën edhe dilemat mbi buxhetin e ri të BE-së. Mbretëria e Bashkuar mbante vendin e dytë si kontribuesi më i madh (neto) pas Gjermanisë. 

Largimi i Brits-ave, të cilët vazhdimisht konsideroheshin si shumë "grindavecë", i ka lënë buxhetit të përbashkët të eurozonës një boshllëk të vlerësuar diku te 12 bilionë € në vit, boshllëk që do duhet të mbushet nga kontributet e vendeve të tjera anëtare.Por kjo nuk është pritur me shumë entuziazëm nga vendet anëtare, e veçanërisht nga ato që mbajnë peshën më të madhe kontribuese. Ky diskutim disa vjeçar (duhet mbajtur parasysh që diskutimet për buxhetin e përbashkët gjithnjë kanë qenë objekt debati e ndasish) ka vijëzuar më qartë dallimet mes vendeve më të pasura dhe atyre më pak të pasura. Gjenezat e ndasive datojnë shumë herët, por për efekt analize do merren në shqyrtim ato që zënë fill prej 2018. Kjo nuk duhet të kuptohet si momentum i shkëputur, por si pikënisje e diskutimeve aktuale për buxhetin.

***

Diskutimet për buxhetin e 7-vjeçarit të ardhshëm të eurozonës risollën në pah ndasitë e vjetra mes vendeve anëtare. Do ishte e logjikshme të mendohej që kriza e Covid-19 do sillte unitet në kontinent, siç edhe rastet e shumta të solidaritetit e dëshmuan, por kjo nuk aplikohet kur bëhet fjalë për para. Nëse deri më tani kemi kuptuar diçka, ajo është që kur diskutimet shtrohen në terma monetarë zor se gjuha e përbashkët gjendet, këtë e dëshmon edhe kalvari i diskutimeve që zë vend çdo herë që afrohet momenti i miratimit të buxhetit të përbashkët europian.

Kriza e shkaktuar nga Covid-19 solli kulminacionin e diskutimeve e po ashtu edhe të përçarjeve. Pavarësisht që ndasitë mes veriut të pasur dhe jugut më pak të pasur kanë qenë gjithnjë të pranishme, tashmë kampet janë qartësisht të dallueshme. Nga njëra anë kemi Katërshen Dorështrënguar, dhe nga ana tjetër të ashtuquajturit Miqtë e Kohezionit. Të dy këto kampe i qëndrojnë fort bindjeve të tyre rreth volumit që duhet të ketë buxheti i përbashkët, dhe po ashtu fushat në të cilat ky buxhet duhet të kanalizohet.

Në 2018, me largimin e Britanisë nga BE-ja, Komisioni Europian propozoi një buxhet më të vogël se zakonisht dhe me reduktime të konsiderueshme në sferat e shpenzimeve tradicionale si: Politikat e Përbashkëta Bujqësore (-15%), Fondet Zhvillimore Rajonale dhe Fondi i Kohezionit (-11%). (Reuters, 2020) Sferat që pësuan rritje në këtë propozim ishin: kërkimi shkencor dhe inovacioni, dixhitalizimi, migrimi dhe kontrolli i kufijve, e po ashtu siguria dhe mbrojtja. Propozimi nuk u prit me entuziazëm nga vendet që përfitojnë më së shumti prej fondeve tradicionale. Pikërisht rreth këtij boshti u farkëtua aleanca në mbrojtje të një buxheti më të madh europian, udhëhequr nga Franca e tashmë edhe nga Gjermania (vend i cili deri vonë i ka qëndruar fort bindjes për një buxhet më të reduktuar), dhe është përkrahur fuqishëm nga Miqtë e Kohezionit.

Pas mosdakordësimit për këtë propozim, një tjetër draft propozim u hartua nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Në linja të trasha propozimi i ri, që kap shifrën e përafërsisht 1.094 trillion €, ekuivalent i 1 074% i të ardhurave bruto kombëtare (GNI) të 27 vendeve anëtare, u pa fillimisht si një kompromis mes Komisionit, krahut të fuqishëm ekzekutiv të BE-së, i cili lobon për një buxhet akoma më të madh, ekuivalent i 1.11% i GNI të vendeve anëtare. Ndërkohë Katërshj Dorështrënguar këmbëngul që buxheti nuk duhet të kalojë 1% të GNI.(Reuters, 2020)Parlamenti Europian nga ana tjetër ka ambicie më të mëdha dhe pretendon për një buxhet që arrin 1.3% të GNI. Tjetër arsye për mosdakordësimin e katërshes është përdorimi i një sërë mekanizmash rregullatorë të kombinuar për të mbushur boshllëkun financiar, të lënë prej largimit të Mbretërisë së Bashkuar, gjë që do çonte në një mënyrë ose tjetër në një buxhet më të madh.

Politikat e kohezionit dhe ndasitë mes vendeve të BE

Politikat e kohezionit janë politikat kryesore të investimit në BE. Këto politika targetojnë gjithë rajonet në BE në kuadër të mbështetjes për krijimin e vendeve të reja të punës, konkurrueshmërisë së bizneseve, rritjes ekonomike, zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.(Faqja zyrtare e BE, 2020)[1] Në buxhetin e 2014-2020 këto politika zinin 32.5% të të gjithë buxhetit, ekuivalent i 351.8 bilionë€. Mbi 50% e parave të këtij fondi janë thithur nga vendet më pak të zhvilluara të BE-së, ndjekur nga vendet e zhvilluara (me 54.3 bilionë euro të thithura) dhe vendet në tranzicion, pra në mes të të dyjave (që përfitojnë 35.4 bilionë €prej totalit). Vendet që më shumë kanë përfituar prej këtij fondi në periudhën 2014-2020 janë: Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, vende që momentalisht i përkasin të ashtuquajturit fraksion Miqtë e Kohezionit.

Fondi i Politikave të Kohezionit është një ndër pikat kyçe të debatit për buxhetin e ardhshëm. Në njërën anë kemi aleancën e udhëhequr prej Francës dhe Gjermanisë, të cilët kërkojnë që fondi i kohezionit të mos preket nga shkurtimet buxhetore. Franca, kontribuesi i dytë neto më i madh pas Gjermanisë, kërkon së pari të mbrojë fermerët e saj që preken drejtëpërdrejt nga ky fond, dhe po ashtu ky buxhet shkon përshtat me idenë që Macron ka mbi Bashkimin Europian, si edhe rolit që Franca luan në këtë skenar. Në po këtë kah kemi të rreshtuar edhe Gjermaninë, që me Merkelin në krye kërkon të ruajë balancat në Europë, pavarësisht që një fond i Politikave të Kohezionit i reduktuar i shkon më për shtat individualisht. Blloku i të ashtuquajturve Miqtë e Kohezionit plotësohet me vendet që janë edhe përfituesit më të mëdhenj të këtij fondi (të listuara më sipër).

Në anën tjetër të peshores kemi vendet që derdhin më shumë para në buxhetin e përbashkët, të cilat janë edhe vendet që më pak përfitojnë prej këtyre politikave. Për Katërshen Dorështrënguar prioritetet e shpenzimeve kanë ndryshuar, dhe buxheti duhet të përshtatet me objektivat dhe zhvillimet e reja. Fushat që kërkojnë më shumë vëmendje dhe resurse sipas kësaj katërsheje janë: ndryshimet klimatike, menaxhimi i kufijve, kërkimi dhe inovacioni. Por duke qenë që për fat të keq xhepi i përbashkët europian është i fundëm, do duhet që të bëhen kompromise, dhe në këtë rast kompromisi nënkupton shkurtimin e fondeve që synojnë zhvillimin rajonal dhe arritjen e një standardi të njëjtë jetese ndërmjet vendeve të bllokut. Pra, i shumëpërfoluri fond i politikave të kohezionit është sakrifica që kërkohet të bëhet për të arritur në një Bashkim Europian të aftë për ti bërë ballë sfidave të reja të shfaqura në horizont.

Fondi i rimëkëmbjes ndaj krizës Covid-19

Fondi i rimëkëmbjes nga Coronavirusi është kthyer në një tjetër mollë sherri mes dy kampeve. Me udhëheqjen e Gjermanisë dhe Francës, dhe mbështetur fuqishëm nga të gjitha vendet më pak të pasura europiane (Miqtë e Kohezionit) u propozua një paketë ekonomike prej 500 bilionë eurosh, e cila synon të shpërndajë këtë fond ndërmjet vendeve me ekonomitë më të prekura prej pandemisë, për të shpëtuar prej kolapsit ekonomik. Premisa themelore nga ky propozim është huamarrja si mënyrë e sigurimit të parave dhe rishpërndarja e tyre në formën e granteve. (Politico.eu, 2020).[2] Kjo do të thotë që ekonomitë e vendeve më shumë të prekura nga pandemia do shpëtonin nga kolapsi, por nga ana tjetër borxhi i përbashkët në nivel europian do rritej në mënyrë të paprecendentë.

Aleanca e Katërshes Dorështrënguar fuqimisht u shpreh kundër këtij propozimi. Në një deklaratë të përbashkët këto vende propozuan "kredi për kredi" si të vetmin instrument të përdorshëm në këtë rast. Po ashtu propozimi i tyre parashikon që ky fond të jetë i përkohshëm, me afat të fundëm pas dy vitesh, dhe mbi të gjitha që nuk çon në një borxh të përbashkët të Eurozonës. (Bloomberg, 2020)

Siç edhe është qartësisht e kuptueshme asnjë prej propozimeve nuk arriti të bindte palën tjetër, por të dyja së bashku shtruan terrenin për një propozim të tretë, më ambicioz dhe më të guximshëm, siç Komisioni Europian preferon ta etiketojë. Ky projekt-plan i ri, propozuar në maj 2020 bazohet në parimet e solidaritetit dhe drejtësisë, vlera të konsideruara rrënjësore për idenë e Bashkimit Europian. Ky projekt propozim ka si objektiva nxitjen e zhvillimit ekonomik, të përkrahë ekonominë e gjelbër si edhe zhvillimet teknologjike. Po ashtu ky propozim synon ti japë zgjidhje krizës së shkaktuar nga Covid-19.

Plani i ri financiar për 7-vjeçarin e ardhshëm

Propozimi i ri prezantuar nga Komisioni Europian ndërtohet mbi tre shtylla dhe kombinon dy tipare/karakteristika: shpenzime strukturore afatgjata dhe afatmesme (të cilat janë qëllimet kryesore të buxhetit 7 vjeçar), dhe për herë të parë edhe stabilizimin makroekonomik në nivel europian.

Shtylla e parë e planit të ri të propozuar përbëhet pikërisht nga Korniza Financiare 7 vjeçare, me një volum prej 1 100 bilionë eurosh ekuivalent i 1.12% e GNI së BE-së, dhe që do financohet, si zakonisht, një pjesë direkt nga të ardhurat e buxhetit europian, dhe pjesa tjetër nga kontributet e vendeve anëtare.

Instrumenti i ri dhe i përkohshëm i quajtur "Gjenerata e ardhshme e BE-së" është shtylla e dytë e këtij propozimi dhe arrin një volum prej 750 bilionë eurosh. Nga 750 bilionë, rreth 440 do jenë në formën e granteve, 60 bilionë do jenë në formën e garancive dhe 250 bilionë në formën e kredive. Për të financuar këtë instrument Bashkimi Europian do duhet të marrë hua afatgjata, dhe pavarsisht që pjesa më e madhe e detyrimeve do të shlyhet brenda 2021-2024, barra financiare do zgjasë në një segment më të gjatë kohor.

Shtylla e tretë e këtij propozimi përbëhet nga paketa tashmë e miratuar nga Këshilli Europian më 23 prill 2020. Paketë kjo e cila përmban tre rrjeta sigurie për punëtorët, bizneset dhe qytetarët, dhe ka një vlerë prej 540 bilionë eurosh. Kjo paketë do të financohet kryesisht prej kredive, pra ndryshon prej shpenzimeve të zakonshme të BE-së. Megjithatë shumë pak vende pritet të përfitojnë prej kësaj pakete.

Në shtesë të propozimeve të mësipërme, të cilat nisin të aplikohen në 2021, Komisioni propozon një ndryshim në buxhetin e 2014-2020, me një shtesë prej 11.5 bilionë €të aksesueshme në 2020, si reflektim i urgjencës së situatës.

Avantazhet dhe disavantazhet

Nëse propozimin e ri e fusim në lupën krahasimore kuptojmë që përmban një numër të konsiderueshëm aspektesh pozitive/ të dobishme, dhe po ashtu ka edhe limitime, çështje që buxheti i ri ose nuk i adreson, ose nuk jep zgjidhje përfundimtare për to.

Pozitive

  • Gjenerata e Ardhshme e BE sjell në buxhetin e përbashkët një total prej 750 bilionë eurosh shtesë (përbërë prej granteve, garancive dhe kredive) mbi buxhetin standard 7 vjeçar.
  •      Dy të tretat e granteve do të kanalizoheshin përmes instrumentit të ri të propozuar, RRF (Recovery and Resilience Facility), gjë që do sillte rritje të transparencës. Pjesa tjetër e këtij fondi do të shpërndahej përmes programeve ekzistuese të BE-së, me mundësinë e thithjes më shpejt nga vendet e destinacionit, si edhe rrit mundësinë e pranimit të këtij propozimi nga ato vende që shkurtimet e propozuara më herët nuk i kanë lumturuar shumë (lexo: vendet përfituese neto/ Miqtë e Kohezionit).
  •     Gjenerata e Ardhshme Europiane synon stabilizimin e situatës makroekonomike nëpërmjet nxitjes së ekonomisë së gjelbër dhe zhvillimit/tranzicionit teknologjik.
  •       Fondet kërkimore janë rritur.
  •       Buxheti aktual i 2020 ka pësuar një rritje prej 11.5 bilionë eurosh.
  •      Burime të reja financimi janë propozuar, burime këto që mund të nxisin ndryshime në sjellje, si ulja e nivelit të ndotjes.

Kufizimet:

× Si pasojë e burokracisë në administrim, hartimi dhe miratimi i programeve, likuidimi i kredive që synohet të bëhet në vitet e para të implementimit të buxhetit të ri do të kërkojë më shumë kohë nga tre vite.

× Një pjesë e mirë e buxhetit të ri përbëhet nga kredi, çka sjell dhe rritjen e nivelit të borxhit të përbashkët.

× Propozimi i ri nuk përfshin një reformë rrënjësore të buxhetit, përfshirë dhe Politikat e Përbashkëta Bujqësore (CAP), çka për vite me radhë është parë si e domosdoshme.

× Mënyra tradicionale e shlyerjes së borxhit të marrë për platformën e Gjeneratës së Ardhshme Europiane, pa burime të reja financimi, do sillte vetëm ndryshim në shpërndarjen e kontributeve të vendeve anëtare në buxhetin e përbashkët.

× Mënyra e subvencionimit, dhe pse shumë e debatuar, mbetet e njëjtë.

× Pak informacion ka mbi të ardhurat buxhetore të BE-së; propozimi i mëparshëm për të mbledhur të ardhura prej taksimit të koorporatave është lënë mënjanë.

× Propozimi nuk adreson mundësitë e përmirësimit të metodologjisë së vjetëruar të buxhetimit të BE-së.

× Propozimi është ende i paplotë dhe i padetajuar sa i përket llogaritjeve dhe ndryshimeve të propozuara.

Sa i përket politikave të kohezionit, një prej shpenzimeve buxhetore më të rëndësishme të BE-së, pak flitet përtej asaj që Komisioni është duke punuar në arnimin e propozimeve të mëparshme, duke dështuar kështu në paraqitjen e një alternative të re për një nga çështjet që ka sjellë edhe  polarizimin më të skajshëm të qëndrimeve mes vendeve anëtare.

 

Anita Lushi, Stafi i Eurospeak, qershor 2020

Sqarim i koncepteve

MFF- Korniza Financiare Shumëvjeçare- Buxheti europian është një plan financiar i dizenjuar për 7 vite dhe vendos prioritetet dhe objektivat, si edhe përcakton kufijtë e shpenzimeve lidhur me projekte specifike, programet dhe politikat e BE-së.

Net beneficiaries – Përfituesit Neto – Vendet anëtare që përfitojnë më shumë sesa kontribuojnë prej buxhetit të përbashkët

Net contributors – Kontribuesit Neto – Vendet anëtare që derdhin kontributet më voluminoze dhe kanë përfitimet më të ulëta nga buxheti i përbashkët

Politikat e Kohezionit - janë politikat kryesore të investimit në BE, dhe kanë fokus kryesisht mbështetjen për krijimin e vendeve të reja të punës, konkurueshmërisë së bizneseve, rritjes ekonomike, zhvillimit të qendrueshëm dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve

Frugal Four- Katërshja dorështrënguar (Holanda, Danimarka, Suedia dhe Austria) – vende që duan të mbajnë në minimum kontributet e vendeve anëtare për buxhetin e përbashkët

Friends of Cohesion- Miqtë e Kohezionit – vendet që kërkojnë një buxhet të përbashkët më të madh

Gross National Income (GNI)- Të ardhurat kombëtare bruto – Totali i të ardhurave të një vendi përfshin të gjitha të ardhurat e fituara nga banorët dhe bizneset e atij vendi, po ashtu përfshin të ardhurat e fituara nga investimet, brenda apo jashtë vendit, dhe paratë që vijnë nga jashtë, si: investimet e huaja apo ndihmat e ndryshme financiare.  

 

Referencat:

https://uk.reuters.com/article/uk-eu-budget-explainer/frugal-four-vs-friends-of-cohesion-the-eus-baffling-budget-battle-idUKKBN20E1NC

https://ec.europa.eu/regional_policy/sources/docgener/informat/basic/basic_2014_en.pdf

https://www.politico.eu/article/frugal-four-propose-loans-for-loans-approach-to-coronavirus-recovery-fund/

https://www.bloomberg.com/news/articles/2020-05-23/-frugal-four-eu-members-propose-one-time-2-year-emergency-fund

https://www.project-syndicate.org/commentary/perpetual-bonds-are-essential-to-european-union-survival-by-george-soros-2020-05

https://www.irishtimes.com/business/economy/eu-divisions-laid-bare-by-frugal-four-covid-recovery-proposal-1.4261774

https://rmx.news/article/article/eu-budget-battle-friends-of-cohesion-vs-frugal-four

https://www.ft.com/content/ec8f60cf-059b-4263-8f92-d1355e345769

https://carnegieendowment.org/2020/03/25/contending-european-views-on-new-post-brexit-balance-pub-81354

https://www.thenews.com.pk/print/617879-frugal-four-eu-nations-refuse-to-budge-on-budget

https://www.trtworld.com/magazine/after-brexit-eu-faces-most-difficult-budget-negotiations-in-history-33999

https://www.bbc.com/news/business-51560940

https://www.ft.com/content/438b7ff4-1725-11e8-9376-4a6390addb44

https://www.ft.com/content/7faae690-4e65-11ea-95a0-43d18ec715f5

https://globaleurope.eu/no-eu-moneyfor-the-future/

https://www.euractiv.com/section/energy-environment/news/french-mep-floats-win-win-green-compromise-on-eu-budget/

https://www.politico.eu/wp-content/uploads/2018/11/Friends-of-Cohesion-Joint-Declaration-on-the-MFF-2021-2027.pdf?utm_source=POLITICO.EU&utm_campaign=3632132704-EMAIL_CAMPAIGN_2018_11_29_05_20&utm_medium=email&utm_term=0_10959edeb5-3632132704-189693517

https://euobserver.com/economic/146530

https://www.economist.com/europe/2018/05/05/the-eus-budget-is-being-dragged-into-the-21st-century

https://www.reuters.com/article/eu-budget-recovery-plan-idUSL8N2D94QL

https://www.dw.com/en/european-commission-unveils-750-billion-recovery-plan/a-53584998

https://www.bruegel.org/2020/04/eu-debt-as-insurance-against-catastrophic-events-in-the-euro-area-the-key-questions-and-some-answers/

https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/communication-coordinated-economic-response-covid19-march-2020_en.pdf

https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/about_the_european_commission/eu_budget/1_en_act_part1_v9.pdf

 

  Kërko

  Axhenda

29 tetor - Video-konferencë informale e Këshillit Europian, ku krerët e shteteve anëtare do të diskutojnë për nevojat për të fuqizuar përpjekjet e përbashkëta kundër pandemisë.

********************

28 tetor - 30 tetor - Zhvillohet nga Presidenca gjermane e Këshillit konferenca për ndryshimet demografike në Ballkanin Perëndimor dhe mbi të gjitha nivelet në rritje të emigracionit

********************

28 tetor - Mbledhje e Kolegjit - Komisioni synon të miratojë propozimin për një dritare të vetme doganore, gjithashtu paraqet propozimin për një pagë minimale të drejtë për punëtorët si dhe komunikimin për masa shtesë kundër Covid-19

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1