E Enjëte, 23 Maj 2019
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Zaev dhe Tsipras - Liderët e Ndryshimit në rajonin e Ballkanit?

ES Profili shkurt 2019 photo 1Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, janë përzgjedhur si profili për muajin shkurt 2019 për arsyen e vetme se nënshkrimi i Marrëveshjes se Prespës nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia është konsideruar si një ndër hapat më të rëndësishëm për stabilizimin e marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit. Falë kësaj arritjeje të dy liderët e vendeve mbrëmjen e 16 shkurtit 2019, fituan çmimin “Evald fon Klajst” dhënë nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, çmim që jepet për kontribut në paqen ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërshtetërore. Përveç këtij çmimi ata janë nominuar nga tre grupe politike të Parlamentit Europian (S&D, Greens dhe GUE-NGL) për çmimin Nobel për paqen.


Përveç normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, zbatimi i marrëveshjes çoi në hyrjen e Maqedonisë në NATO në shkurt të këtij viti dhe përsa i përket Greqisë, shihet si një mundësi e mirë për të rifituar rëndësinë e saj të humbur në BE gjatë kësaj periudhe. Në fjalimin e mbajtur gjatë konferencës së Mynihut, pas marrjes së çmimit, Zoran Zaev theksoi se zgjidhja e mosmarrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut tregon se rajoni është një “vend i ri” për shpresë, dialog, unitet, stabilitet dhe bashkëpunim. Ai ja kushtoi këtë çmim të rinjve të Ballkanit. Nga ana tjetër kryeministri Tsipras deklaroi se marrëveshja është themeli për të ardhmen e përbashkët të qytetarëve të të dy vendeve si aleatë dhe shtete anëtare të NATO-s dhe BE.

Alexis Tsipras: Një politikan jo si gjithë të tjerët

Alexis Tsipras ka lindur më 28 korrik 1974 në Athinë është aktualisht kryeministër i Greqisë (që nga viti 2015) dhe kreu i Koalicionit të së Majtës Radikale në Greqi (njohur ndryshe si Syriza). Sot ai është bërë një ndër njerëzit me më shumë influencë në Greqi nisur dhe nga personaliteti i tij i palëkundur. Tsipras njihet si një njeri që dëshiron ti ketë gjërat nën kontroll dhe një shembull është fakti se asnjë artikull apo dokument nuk del nga zyra e tij para se ai ti ketë shqyrtuar dhe analizuar vetë si fillim. Si kryeministër i vendit një nga aktivitetet e tij të mëngjesit është të lexojë shtypin grek, Financial Times dhe New York Times duke qëndruar kështu i informuar mbi çdo lajm të mundshëm.

Ata që e njohin Tsiprasin personalisht shprehen se ai është nga ata burra që rrallë e humb kontrollin dhe fokusin; që përpiqet t’i qëndrojë strikt objektivave të tij dhe është një natyrë shumë e qetë madje dhe kur zemërohet, nuk shfaq hatërmbetje me askënd. Ndërkohe nga ana tjetër shumë bashkëpunëtorë dhe anëtarë të Parlamentit i referohen Tsiprasit si një natyrë "e ftohtë" edhe pse kur ndërvepron me qytetarët e thjeshtë ai shpreh një natyrë tepër të ngrohtë me buzëqeshjet dhe veprimet e tij, citon Business Insider.

Gjatë shkollimit Tsipras u dallua si student ekselent në shkollën e mesme dhe ishte fytyra e lëvizjeve dhe mobilizimeve kundër reformave arsimore të bëra nga Ministria e Arsimit. Ai u bashkua me të rinjtë Komunistë të Greqisë në një moshë të re, por u shkëput nga organizata gjatë studimeve universitare për inxhinieri civile në Universitetin Politeknik Kombëtar të Athinës. Më vonë u transferua te Rinia e Koalicionit të së Majtës, ku aty filloi të krijonte një figurë të pëlqyeshme nga të gjithë.

Tsipras u përball me një rrugë sfiduese dhe zhvilloi një instinkt për mbijetesë politike që kur u ngrit në hierarkinë e Koalicionit të të Rinjve. Shumë nga pjesëtarët e partisë mbajtën qëndrim kritik kur paraardhësi i Tsipras, Alekos Alavanos, e rekomandoi atë si kandidat për kryetar bashkie të Athinës në vitin 2006, zgjedhje të cilat i humbi. Tsipras u bë një kërcënim për shumë njerëz brenda partisë në vitin 2008, kur u zgjodh president i Koalicionit të së majtës me një përqindje rekord të votave. Marrëdhënia e tij me Alavanosin ishte shumë e dobët në atë kohë. Në 2009, pak para se Alavanos të jepte dorëheqjen dhe Tsipras ishte gati të bëhej udhëheqësi i ri i Koalicionit, të dy këto figura, sipas burimeve të brendshme, kishin shkëputur totalisht marrëdhëniet e tyre.

Tsipras, tashmë kreu i Syriza, e nisi detyrën e tij nën valën e masave shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian (BE), Banka Qendrore Europiane (BQE) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përgjigje të gjendjes së vështirë ekonomike të Greqisë - Kriza e borxhit të zonës Euro që shpërtheu në 2009-2010.  Në momentin e marrjes së masave kundër krizës, Tsipras u përball me një qëndrim agresiv të Ministrit të Financave të asaj periudhe, Janis Varoufakis, i cili është shprehur se kurrë nuk duhet ti kishte besuar Tsiprasit për mbajtjen e premtimit për të sfiduar huadhënësit. "Angazhimi i Trojkës për një rishikim të borxhit do të thotë se do të kemi shlyerjen e borxheve që do të arrijë 50 % të të ardhurave publike. Investitorët e dëgjojnë këtë dhe mendojnë se Greqia nuk është për investime serioze, por si një mënyrë për të nxjerrë para të shpejta”.

Sipas Britanicca.com, pavarësisht qëndrimit të tij, Tsiprasi e hoqi nga posti i ministrit dhe ndoqi politikat e dakordësuara me BE-së, duke e rritur GDP e Greqisë me 1.5 % në vitin 2017 dhe, duke përjashtuar shlyerjen e borxheve, vendi dukej se kishte fituar një suficit buxhetor prej rreth 4% nga 2016 dhe 2017. Masat e marra për arritjen e këtij rezultati përfshinë politikat ekonomike për shkurtimet e pagave dhe vendeve të punës, uljen e pensioneve dhe rritjen e taksave.

Përtej karrierës së tij politike, Tsipras njihet si një njeri i zakonshëm me një familje të lumtur i cili gjithmonë kujdeset që jetën e tij personale ta mbajë larg nga fokusi i medias. Edhe pse ai ka qenë pjesë e skenës politike të Greqisë për më shumë se 10 vjet, fotografët kanë arritur të kapin shumë pak momente private me familjen e tij.Tsipras dhe gruaja e tij Betty Batziana janë njohur në shkollën e mesme ku dhe më pas të dy u bënë anëtarë të krahut të rinisë së Partisë Komuniste. Kur qeveria greke u përpoq të privatizonte arsimin në vitet 1990-91, të dy së bashku udhëhoqën protestat studentore të viteve 1990 dhe 1991. Sot çifti ka dy djem, Pavlos dhe Ernestos-Orfeas, për të cilët është kujdesur gjithashtu ti mbaj larg syrit të publikut. Si mënyra më e mirë për ti shpëtuar jetës intensive dhe detyrimeve shtetërore çifti zgjedh gjithmonë ti kalojë pushimet në një shtëpi verore në Aegina të Greqisë.

Ai ka një dobësi gjithashtu dhe për motoçikletat dhe deri në vitin 2012 lëvizte shpesh me motoçikletën e tij ndërsa tani preferon sigurinë e një makine për shkak të pozicionit që mban. Nga ana tjetër ai është dhe fans i muzikës, kryesisht i kulturës Latino-Amerikane në rininë e tij dhe muzikës tradicionale greke dhe folklorike në ditët e sotme. Një njeri i afërt i Tsipras shprehet se ai po e privon veten nga një nga gjërat që preferon të bëj më së shumti që është dalja për darkë ose pije me miqtë, dhe këtë e bën jo vetëm për shkak të ngarkesës së punës së tij, por sepse kërkon të shmangë situatat e pakëndshme ku njerëzit e vështrojnë gjatë gjithë kohës.

Zoran Zaev: Lideri shpresëdhënës i Maqedonisë së Veriut

Zoran Zaev, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut u lind më 8 tetor 1974 në Strumicë. Ai u rrit në një familje agrare dhe tradicionale. Që nga mosha e hershme, ai dhe vëllai i tij më i vogël u përfshinë në biznesin familjar bujqësor, si burimi i vetëm i të ardhurave. Më vonë në jetën e tij, ai u takua me gruan e tij Zorica Zaeva me të cilët ka dy fëmijë, Aleksandra dhe Dushko.

Ai ndiqte shkollën e mesme kur Maqedonia fitoi pavarësinë në vitin 1991. Ai kishte prirje për matematikë dhe ishte i rrethuar nga anëtarë të familjes që ishin biznesmenë të suksesshëm, aktivë dhe të respektuar në sferën socio-politike dhe ekonomike të shoqërisë maqedonase. Në vitin 1997, Zaev u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, ku vazhdoi edhe studimet pasuniversitare.

I frymëzuar nga suksesi i biznesit të familjes së tij, ai menjëherë filloi të punonte në një kompani tregtare në pronësi të familjes, në pozicionin e menaxherit për 5 vite. Përveç kësaj, ai ishte anëtar i disa bordeve të kompanive, bankave apo ndërmarrjeve publike.

Përveç përvojës në sektorin e biznesit, karriera politike e Zoran Zaev po zhvillohej me shpejtësi. Ai ka qenë anëtar i Partisë Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) që nga viti 1996 dhe anëtar i Parlamentit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në periudhën 2003-2005. Në vitin 2006 u zgjodh nënkryetar i Komitetit Qendror të LSDM-së dhe që nga viti 2013, Zoran Zaev në moshën 39 vjeçare u bë udhëheqës i LSDM-së.

Që nga viti 2005, Zaev u bë kryebashkiak i qytetit të Strumicës, si kryebashkiaku më i ri në vend vetëm 31 vjeç. Nën udhëheqjen e tij qyteti u zhvillua ekonomikisht, u bë qyteti më i qëndrueshëm në vend me vlerësimin më të mirë të kredisë, fitoi çmimin më të lartë kombëtar në fushën e mjedisit (2007-2008) dhe “Praktika më e Mirë” nga Këshilli i Europës. Pas fitimit të zgjedhjeve lokale në vitin 2013, ai filloi mandatin e tij të tretë radhazi si kryetar i bashkisë së këtij qyteti, duke ushtruar këtë funksion deri në dhjetor 2016.

Sipas The Guardian, përveç suksesit të dukshëm në zhvillimin e qytetit, Zoran Zaev u bë një nga politikanët më të pëlqyeshëm në vend. Ai ishte i vetmi kryetar bashkie që pjesë të praktikës së tij kishte primare transparencën me qytetarët. Zaev shfaqej çdo muaj në televizion, ku ai paraqiste punën e komunës, duke dëgjuar dhe duke u përgjigjur të gjitha çështjeve dhe pyetjeve të qytetarëve.

Si kreu i opozitës, Zoran Zaev u bë sinonim i trimërisë dhe kryesuesi i përpjekjes për drejtësi, liri dhe demokraci. Në shkurt të vitit 2015, Zaev filloi projektin "E vërteta për Maqedoninë" duke publikuar studimin që kishte zbuluar aktivitetet e jashtëligjshme të qeverisë të udhëhequr nga Gruevski. Rezistenca ndaj qeverisë autokratike vazhdoi me rolin aktiv të tij dhe të LSDM-së në Kampin e Lirisë. Më 17 maj 2015, kjo lëvizje rezultoi në një protestë historike në Shkup me më shumë se 100 000 qytetarë protestues përpara Qeverisë maqedonase.

Duke qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti në lëvizjet e protestës dhe duke punuar ngushtë me qytetarët, Zoran Zaev ndiqte dhe nismën "Një shoqëri për të gjithë", duke premtuar zhvillimin e ardhshëm të vendit si një vend që ofron mundësi të njëjta për të gjithë qytetarët. Ky koncept unifikues i "Një shoqërie për të gjithë" ka qenë forca shtytëse pas fitores së LSDM-së në zgjedhjet e fundit parlamentare shprehet e përditshmja EurActiv.

Më 31 maj 2017 Zoran Zaev u zgjodh kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mori mandatin e qytetarëve për të udhëhequr qeverinë e re të orientuar drejt reformës. Ndryshe nga periudha e qëndrimit në pushtet të Nikola Gruevskit i akuzuar për promovimin e nepotizmit, mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin, mbikëqyrjen e paligjshme të kundërshtarëve politikë dhe mbi të gjitha autoritarizmit në rritje, të cilat janë parë si pengesa për avancimin e marrëdhënieve jo vetëm me vendet fqinje, por mbi të gjitha si pengesë në hapat për integrimin europian, shkruan Open Democracy. Qeverisja e vendit nga Zoran Zaev dhe pse për një afat të shkurtër kohor por pa problematika të brendshme shtetërore, është parë si zgjidhja e ngërçit për stabilizimin e situatës së brendshme dhe më pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Greqinë.

***
Nënshkrimi i marrëveshjes së Prespës më 17 qershor 2018, për ndryshimin e emrit të FYROM në Republikën e Maqedonisë Veriore, do të sjellë një ndryshim në marrëdhënien e këtyre dy vendeve she hap perspektiven e Maqedonisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO. Gjatë ceremonisë, me pjesëmarrjen e negociatorëve nga OKB dhe komisionerëve europianë, Mogherini dhe Hahn, Zaev i ofron kollaren e tij Tsipras, i cili pasi shprehet që ai do të vendosi një kollare vetëm kur problemet e popullit të tij të përfundojnë, e pranon atë por e vendos në xhep. Tsipras, është kryeministri i parë grek që viziton Maqedoninë. Marrëveshja është ratifikuar nga të dy parlamentet e vendeve përkatës, parlamenti maqedonas e ratifikoi më 11 janar 2019, dhe parlamenti grek e ratifikoi dy javë më vonë, më 25 janar 2019.
                                                                                                                       Stafi i Eurospeak, shkurt 2019

  Kërko

  Axhenda

20 maj – Konferenca “Mbështetja e Punësimit të të Rinjve” e foksusuar në zbatimin e Garancisë Rinore në rajonin e detit Baltik.
21 maj – Presidenca Rumune organizon konferencën “Eksperienca e Rumanisë dhe e Shteteve të tjera Anëtare në adoptimin e ‘Acquis-communautaire’ në fushën e prokurimit publik”
21 maj – Presidenti Junker do të mbajë fjalimin hapës në Kongresin e 14 të Konfederatës Europiane të Sindikatave ku do të zgjidhet Presidenti i ri i Konfederatës dhe do të adoptohen dokumentat kryesore strategjike
23 maj – Takimi i Komitetit Këshillues të Zonës Ekonomike Europiane ku anëtarët do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Zonën Ekonomike në kuadër të 25 vjetorit
26 maj – Zgjedhjet për Parlamentin Europian

  FJALOR

Komiteti Europian i Sindikatave për Arsimin (ETUCE)

ETUCE përfaqëson 132 Sindikata në 51 vende/shtete europiane, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, dhe ka në total 11 milion persona - staf arsimor në të gjithë Europën. ETUCE është partneri social i mësuesve në nivel Europian dhe mbrojtës i interesave të tyre në Komisionin Europian. E themeluar më 1977, ETUCE është e përbërë nga sindikata kombëtare të mësuesve dhe personel të të gjitha fushave dhe niveleve të arsimit duke filluar nga edukimi i përgjithshëm, arsimi profesional dhe trajnimi, si dhe arsimi i lartë apo kërkimi shkencor.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1