E Diel, 24 Janar 2021
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Europa ka një problem me radikalizmin islam. Ç'të bëjmë?

islamofobia laertSulmet e fundit terroriste në Francë dhe në Vjenë kanë rindezur një debat të vjetër mbi vlerat e lirisë së shprehjes dhe besimit, debat ky që krijon një habitat të përshtatshëm dhe një "casus belli" për zhvillimin e mëtejshëm të forcave radikale të djathta dhe retorikës së tyre raciste dhe përjashtuese. Mendoj se ky debat është një shpërqëndrim nga pyetja që me të vërtetë i ka ardhur koha të shtrohet: Cilat janë shkaqet e brendshme dhe të jashtme që kanë lejuar situatën të arrijë në këtë pikë kritike tashmë? Pra, cila është rrënja e këtij problemi që në pamje të parë duket sikur ka minuar vlerat iluministe dhe mënyrën europiane të të jetuarit? Sigurisht, ky fenomen nuk mund të analizohet me ndihmën e vetëm një faktori unik shpjegues, por në këtë artikull të shkurtër do i jepet hapësirë disa faktorëve kyç që mendoj se ndikojnë direkt në shfaqjen dhe acarimin e mëtejshëm të problemit.

***

Gjatë dekadës së fundit në Europë është vënë re një tendencë në rritje e sulmeve terroriste me bazë një ideologji te mbështetur në të ashtuquajturin Islam radikal. Por çfarë është në vetvete Islami radikal?

Si fillim, dua të qartësojmë diçka thelbësore, sulmet terroriste nuk kryhen nga individë të indoktrinuar nga Islami si fe në tërësi, por në veçanti nga sekti selefist, sekt i cili retorikën e tij zhvillimore e ka të ndërtuar mbi Xhihadin ose luftën e shenjtë, që sipas tyre do sjellë rendin e ri politik, ku Sheriati ose ligji islamik mesjetar do të duhet të zëvendësojë ligjet dhe kushtetutat laike. Selefizmi rrënjët e tij i ka nga mësimet e dijetarëve Ibn Tejmijje (1263-1328), Muhamed bin ‘Abd al-Wahhab (1703-92) dhe Muhamed al-Shawkani (1759-1834). Këta dijetarë fetarë u përpoqën të pastronin Islamin nga një numër risish (bid'a) dhe t'i ktheheshin praktikës së paraardhësve të devotshëm (salaf al-salih), dmth tre gjeneratave të para të myslimanëve. Gjatë shekullit të 20-të, kryesisht përmes ndikimit të Muhamed al-Albani (me origjinë nga Shqipëria) dhe 'Abd al-'Aziz bin Baz, u krye konsolidimi i selefizmit si sekt ashtu siç e njohim ne sot. (Norwegian Peacebuilding Resource Center, 2013)

Shumë studime kanë hedhur tezën se kjo ideologji sektariste e ka vendin e saj të eksportit dhe mbështetjes, Arabinë Saudite. Shoqata Britanike Henry Jackson, një “think tank”, ka botuar një raport mbi financimet e dyshimta me origjinë saudite në Britaninë e Madhe (Henry Jackson Society, 2017). Arabia Saudite vlerësohet qartazi si një nga mbështetëset më të mëdha të sektit në fjalë. Në një periudhë kohore prej 50 vitesh, Riadi ka investuar të paktën 76 miliardë euro (86 miliardë dollarë) për forcimin e lëvizjes selefiste, bazës ideologjike të lëvizjeve ekstremiste dhe xhihadiste në mbarë botën. Këto para shpenzohen për të ndërtuar xhami, institucione arsimore, qendra kulturore dhe organizata të ngjashme, në mënyrë që botëkuptimi sektarist selefist të mund të reklamohet me sukses. Në Spanjë, gjysma e 98 xhamive spanjolle ku predikohet selefizmi janë në Katalonjë, sipas të dhënave nga organet e sigurimit (European Post, 2017). Mjafton të kujtojmë sulmin terrorist të 17 Gushtit 2017 në Barcelonë, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën 130 të tjerë, për të kuptuar nivelin e rrezikut që na vjen nga kjo ideologji. (BBC, 2017)

Përveç se me përballjen me radikalizmin islam, Europa po përballet dhe me një problem tjetër, Islamofobinë. Sipas ish-komisionerit të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, Islamofobia është një "simptomë e shpërbërjes së vlerave njerëzore", - vlera te tilla si mosdiskriminimi, toleranca, liria e mendimit, drejtësia, solidariteti dhe barazia. (Commissioner for Human Rights, 2010)

Demonizimi nga mediat liberale i Islamit dhe mungesa e kategorizimit ose ndarjes nga Islami tradicional i sektarizmit xhihadist, përbën një faktor ndihmues në perceptimin kolektiv europian, të myslimanëve si të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm për shoqërinë dhe stilin “oksidental” të jetesës. Në kuptimin më mirë të situatës, mendoj se së bashku me dhënien e përgjigjeve duhen shtruar pyetjet e duhura. Një pyetje së cilës i mungon përgjigja e duhur është: Si ti ndihmojmë myslimanët që të mos bien pre e rrezikut fundamentalist?

Siç argumenton filozofi dhe psikoanalisti slloven Slavoj Zizek: “Ajo çfarë ISIS kërkon të arrijë është asgjësimi i demografisë së “myslimanit të moderuar perëndimor” dhe që t’i radikalizojë ata, në mënyrë që të krijohen kushtet për një luftë totale civile”. Më tej, Zizek e vazhdon argumentimin e tij: “Duhet të vërehet se ky qëllim përputhet fort mirë me qëllimin e racistëve antiemigrantë - të dyja palët duan një përplasje qytetërimesh të pamëdyshur dhe të plotë” (Slavoj Zizek, 2016). Gjithashtu, politikat qeveritare të vendeve të BE-së nuk kanë arritur të sigurojnë të drejta të barabarta për të gjithë, duke detyruar pjesë te konsiderueshme të pakicave myslimane të përballen me papunësinë, varfërinë dhe pjesëmarrjen e kufizuar civile dhe politike, faktorë te cilët përkeqësojnë diskriminimin e tyre dhe rrisin mundësitë për rekrutim nga qarqet terroriste.

Në datën 2 tetor të këtij viti Emmanuel Macron njoftoi implementimin e një pakete "anti-radikalizëm", kur për ironi, vetëm dy javë më pas, më 16 tetor Franca u përball me një sulm terrorist, ku një i ri nga Çeçenia, vend ku sekti selef është infiltruar dhe ka aktivitet në gjithë rajonin e Kaukazizë së Veriut, i preu kokën mësuesit Samuel Paty, vetëm sepse shfaqi karikaturat e profetit Muhamed në klasë. Sigurisht, këto krime makabre duhet të dënohen pa kushte. Por cila ishte përgjigja e autoriteteve franceze? Me një cinizëm demonstrativ ata filluan të projektonin imazhet e këtyre karikaturave, në shenjë “solidariteti” ndaj ngjarjes në fjalë, në fasadat e godinave qeveritare, vetëm për të provokuar një reagim të dhunshëm në pjesë të ndryshme të botës myslimane (Independent, 2020). Islami momentalisht ndodhet në një krizë, dhe këto lloj politikash nuk po e ndihmojnë, por përkundrazi, po kontribuojnë në acarimin e mëtejshëm të saj. E vetmja gjë e sigurtë që mund të sjellë kjo metodë është një reaksion zinxhir i rritjes së mëtejshme të radikalizimit, duke i fryrë akoma më shumë retorikës së përplasjes së qytetërimeve.

Në vazhdën e këtyre ngjarjeve ja vlen të përmendet dhe paaftësia e të majtës europiane në përballje me të djathtën ekstreme - tradicionalisht anti-emigrante dhe regresiste. E majta politikisht korrekte, me slogane të tilla si: Çdo kritikë ndaj Islamit është e gabuar dhe çon në Islamofobi; fatkeqësisht pengon në krijimin e një debati të sinqertë publik ku duhen diskutuar alternativat dhe rrugëzgjidhjet. Rezervimi për të kritikuar - edhe pse ekziston mundësia e kritikës nga optika marksiste tradicionale e së majtës e këtij fenomeni - i vesh tabu kauzave që historikisht i ka mbrojtur dhe pasur në thelbin e saj politik. Në këtë rast, si dhe në disa komplekse të tjera që e majta duhet t’i flakë, vendoset një barrierë moralizmi arrogant dhe disa herë patetik i cili nuk lejon hapësirë për zhvillimin e një njohjeje më të plotë se çfarë i shkakton këto fenomene nën dinamikat e kapitalizmit të globalizuar.

Me pak fjalë, e majta, si e vetmja forcë përparimtare në thelb dhe balancuese në terrenin gjithnjë e më të irrituar me frymë raciste, po dështon mahnitshëm në përqëndrimin e opinionit publik drejt problemeve substanciale, duke i lënë fushë të lirë nacionalistëve dhe populistëve në manipulimin e debatit drejt një "përplasjeje qytetërimesh" ku islami "mesjetar" dhe "mizogjen" po përpiqet të pushtojë dhunshëm Europën e kulturës dhe vlerave liberale.

Rreziku i vërtetë Europës nuk i vjen nga myslimanët e rraskapitur nga luftërat në vendet e tyre të dërrmuara por nga politikanë si Nigel Farrage apo Marine le Pen të cilët në mungesë të një debati të gjerë publik mbi kushtet socio-ekonomike të cilat fuqizojnë migrimet masive dhe mbi zgjidhjet e mundshme, shfrytëzojnë çdo hapësirë të mundshme për forcimin e lëvizjeve të tyre politike. Filozofja Hannah Arendt, në librin e saj "Origjinat e totalitarizmit" thekson se kur në një shoqëri individët atomizohen, aty ka më shumë mundësi që një lëvizje ose një njeri i fortë të ofrojë një histori ose një ideologji e cila pretendon të shpjegojë gjithçka, pse njerëzit janë të pakënaqur (Arendt, 1951).

Nëse vërejmë me kujdes përbërjen e partisë së le Pen, atëhere do të shikojmë se shumica dërrmuese e votuesve të saj vjen nga klasa punëtore dhe klasa e mesme e ulët, të perjashtuara nga kryerrjedha e shoqërisë franceze dhe të vendosur në marxhinat dhe periferitë e sistemit kapitalist (The Front National in France, 2017). Tek Le Pen, ata shohin fytyrën e shpëtimtarit me një kontur tashmë më human dhe të feminizuar, në dukje "perparimtar" dhe modern.

E djathta ekstreme dhe populistët, e kanë gjetur prenë e tyre, të vendosur përpara krizave të shumëfishta, të manipuluar dhe të çoroditur. Nëse të majtët dhe progresistët europianë vazhdojnë me këtë retorikë të korrektesisë politike dhe standardeve të dyfishta, me emigrimet gjithnjë e më masive dhe me krizat ekzistuese dhe të ardhshme ekonomiko-shoqërore, atëhere si do të duket Europa pas 10 vitesh le të themi? Një proto-model tashmë ekziston si një kambanë alarmi, mjafton të hedhim sytë pak më në lindje, në Poloni dhe Hungari.

Por, ç’të bëjmë? Cilat janë zgjidhjet që kemi? Ngjarjet e fundit në Europë, nje miksim kaotik i deklaratave dhe akteve të përfaqësuesve më të lartë të BE-së, si dhe mungesa e veprimeve të koordinuara pasqyron jo vetëm dështimin e BE-së në menaxhimin e krizave dhe vendimmarrjes, por edhe një rrezik për vazhdueshmërinë e unionit. Një mënyrë e mundshme për të dalë prej kësaj situate të trazuar është drejtimi kah analizës konkrete socio-ekonomike. Detyrimisht duhet të këmbëngulim në tolerimin e mënyrave të ndryshme të jetesës si dhe në përshtatjen e disa normave të përbashkëta, duke zgjeruar perspektivat me forma të reja bashkëpunimi dhe koordinimi. Një lloj solidariteti real, ku theksi të vendoset mbi pikat e përbashkëta të popujve, jo mbi ndasitë dhe në çfarë na bën të ndryshëm. Edhe pse utopike në dukje, mbase është e vetmja zgjidhje që kemi.

Laert Rakipaj, dhjetor 2020

*Laert Rakipaj është duke ndjekur studimet në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Akademisë Presidenciale të Rusisë në Moskë. Disa nga fushat e interesit janë politika, filozofia dhe sociologjia. Angazhohet gjithashtu dhe në lëvizje studentore të cilat synojnë demokratizimin dhe zgjerimin e të drejtave studentore.

Referenca

  Kërko

  Axhenda

Janar 2021

18-21 Janar - Eurodeputetët do të debatojnë dhe votojnë për disa çështje gjatë këtyre seancave të para plenare të vitit. Do të votohet ndër të tjera për Instrumentet e Mbështetjes Teknike, forcimin e tregut të vetëm, lëvizja e lirë e shërbimeve, Zbatimi i Politikës së Përbashkët të Sigurisë së Jashtme dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, etj.

********************

19 Janar - Takim i Ministrave të Ekonomisë dhe Financës ku Presidenca portugeze do të paraqesë në seancën publike programin e saj të punës për çështjet ekonomike dhe financiare.

-Komisioni pritet të miratojë Strategjinë për Forcimin e Sovranitetit Ekonomik dhe Financiar të Europës.

********************

21 Janar - Lëvizja Europiane Ndërkombëtare do të mbajë edicionin e pestë të EuropeanChats, ku do të mbledhë aktivistë dhe palë të interesuara për të diskutuar me qytetarë europianë çështje të ndryshme që lidhen me krizën e Covid-19.

- Samiti i Këshillit Europian ku udhëheqësit e BE do të diskutojnë për koordinimin dhe përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19 duke përfshirë shpërndarjen në shkallë të gjerë të vaksinave dhe vendosjen e të gjithë instrumenteve për kufizimin e përhapjes së tij.

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1