E Diel, 24 Janar 2021
Blue Red Green
  • Buletin Informativ i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (ISSN 2708 - 1656)
Joomla!: Position Home - E Hënë, 09 Prill 2012 07:19
Joomla!: Using Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Upgraders - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Project - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: The Joomla! Community - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Sample Sites - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Professionals - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Parameters - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Joomla! - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Started - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Getting Help - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00
Joomla!: Beginners - E Shtunë, 01 Janar 2011 00:00

Marrëdhënia BE-SHBA përgjatë historisë dhe lëkundja që pësoi nga Trump

eu-usa1“BE dhe SHBA janë dy nga fuqitë më të mëdha ekonomike dhe ushtarake në botë, dominojnë tregtinë globale dhe luajnë rolet kryesore në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, jo vetëm mes tyre por edhe për pjesën tjetër të botës”, ky është përshkrimi i marrëdhënies BE-SHBA në faqen zyrtare të Zyrës Ndërlidhëse të Parlamentit Europian në Uashington (europarl.europa.eu).

 

Në terma të tjerë mund të themi që nuk mund të anashkalosh SHBA-në kur flitet për BE-në. Edhe pse në anën tjetër të globit, SHBA-të kanë luajtur rol të rëndësishëm, shpesh edhe kyç, në zgjidhjen e problematikave dhe konflikteve më të mëdha europiane. Krijimi i një Europe të bashkuar ka ardhur si një rrjedhojë e tërë ngjarjeve historike, por edhe si një nevojë për të kapërcyer rivalitetin vetëvrasës që e kishte çuar kontinentin e vjetër në dy luftëra botërore me pasoja katastrofike. E gjithë kjo nevojë dhe ky vullnet politik për bashkimin e Europës lidhet me interesa të larta ekonomike dhe politike, ku gjithçka nisi për kapërcimin e dëmit ekonomik nga dy luftërat nëpërmjet veprimit të bashkërenduar. Franca e inicioi dhe e mbështeti këtë projekt me synimin fillestar frenimin e Gjermanisë në mënyrë që të mos kthehej në një kërcënim kombëtar. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar paçka se ishte skeptike e mbështeti integrimin europian.

Shtysa më e madhe për unionin europian ishte bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990, ku kancelari i asaj kohe Helmut Kohl, u bë avokati kryesor i Traktatit të Maastrihtit në vitin 1992, ku si rezultat erdhi monedha e përbashkët europiane, Euro (Henry Kissinger, 2005).

Roli i SHBA-ve gjatë gjithë këtij procesi ka qenë mbështetës dhe prijës. Pse SHBA kishte interes në krijimin e Bashkimit Europian?

Që në vitin 1963 presidenti Kennedy e mbështeti bashkimin e Europës me qëllim që të krijonte një marrëdhënie të barabartë me Europën duke u shprehur: Vetëm një Europë plotësisht e Bashkuar mund të na mbrojë të gjithëve nga shpërbërja e aleancës. Vetëm një Europë e tillë do të lejojë një trajtim të plotë reciprok përmes oqeanit për të përballuar axhendën e Atlantikut. Me një Europë të tillë ne mund të respektojmë të drejtat e njëri-tjetrit si të barabartë, një ndarje të barabartë të përgjegjësive dhe një nivel të njëjtë sakrifice(J. F. Kennedy, 1963).

Por, Kennedy nuk ishte i pari nga SHBA-të që inkurajoi krijimin e një Europe të bashkuar, siç do të thoshte edhe Barack Obama në vitin 2016: Marrëdhënia transatlantike lindi nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, por në të vërtetë ishin Lufta e Ftohtë dhe frika ndaj Komunizmit që po përhapej në të gjithë Europën dy ngjarje që i nxiti SHBA-të të merrnin pjesë në procesin Europian dhe të krijonin partneritete strategjike në kontinent. Marrëdhënia transatlantike ishte një përparësi dhe gur themeli i politikës së jashtme amerikane, kryesisht e institucionalizuar në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare si FMN ose OBT, të cilat u ndërtuan për të siguruar normat dhe ligjet mbi të cilat do të mbështetej rendi liberal perëndimor (B.Obama, 2016).

SHBA dhe Bashkimi Europian mbajnë samite të rregullta presidenciale si një mënyrë për të çuar përpara bashkëpunimin transatlantik. Këto samite të përbashkëta vijnë si rezultat i deklaratës transatlantike të vitit 1990, ku për herë të parë tashmë SHBA kishte kontakte në kanale zyrtare me BE, atëherë i quajtur Komuniteti Europian.

Përveç një frike nga imperializmi rus, SHBA-të kanë pasur interesa edhe në shumë fusha të tjera për konsolidimin e një Europë të Bashkuar. Bashkimi Europian tashmë është një partner i SHBA-së në shumë sfida, si ajo kundër terrorizmit, ruajtjes së paqes në vendet akoma në konflikt dhe kryesorja rritja ekonomike duke zbehur problemin e papunësisë, një problem ky që ekonomia globale e sheh t’i sillet gjithmonë rreth vetes. SHBA dhe BE nuk kanë pasur mënyrë tjetër për të zvogëluar rreziqet e krizave ekonomike në nivel global veçse të koordinonin politikat e tyre.

Pra si vijimi i të gjitha marrëdhënieve zyrtare dhe jo zyrtare, kishte ardhur koha për vendime konkrete dhe kështu ndodhi. Më 3 dhjetor 1995 u zhvillua në Madrid samiti BE-SHBA, ku u nënshkrua axhenda e re transatlantike, e cila parashikonte veprime të përbashkëta në katër fusha kryesore:

- promovimi i paqes dhe stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit në të gjithë botën;

- përgjigja ndaj sfidave globale;

- kontribut në zgjerimin e tregtisë botërore dhe marrëdhëniet më të ngushta ekonomike;

- ndërtimi i urave përtej Atlantikut.

Ky samit u pasua nga ai i Londrës më 1998, i cili krijoi Partneritetin Ekonomik Transatlantik (TEP) mes SHBA dhe BE, dhe samite të tilla kemi parë të zhvillohen në mënyrë konsistente nga dy palët.

Një përditësim i zhvillimeve globale na njeh me shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtu përfshihen ngrohja globale/ndryshimet klimatike, zvogëlimi i gazrave serë, burimet e kufizuara të energjisë, ndihma e anasjelltë në rast katastrofash natyrore dhe përballimi i pandemive.

Lidhur me këto sfida le të shohim se çfarë ka ndryshuar në marrëdhënien BE-SHBA gjatë mandatit të Donald Trump si President i SHBA-ve.

Politikbërja e Trump e ka shtyrë marrëdhënien SHBA-BE në një zgrip pasigurie dhe mosbesimi, ku dy palët u përplasën dhe nuk gjetën gjuhën e përbashkët për një numër të lartë çështjesh. Por le të kthehemi vetëm pak në kohë, gjatë fushatës së tij në vitin 2016, Trump ishte ndryshe nga çdo kandidat duke zhvilluar një fushatë agresive, përçarëse dhe populiste dhe fitorja e tij shkaktoi jo pak frikë dhe dyshime tek liderët e tjerë botërorë.

Trump ishte i paparashikueshëm në politikën e tij të jashtme dhe kjo i dha pasiguri BE-së, duke parë me skepticizëm çdo lëvizje të tij. Politika e jashtme, tregtia, mjedisi dhe bujqësia janë disa nga çështjet që kanë krijuar një shkëputje të madhe mes SHBA-së dhe BE-së gjatë katër viteve të fundit.

Trump mbështeti fort idenë e Brexit, lëshoi sulme thumbuese kundrejt NATO-s dhe po ashtu kritikoi me vrazhdësi praktikat tregtare të BE-së, duke këmbëngulur se tregtia e lirë ka dëmtuar punëtorët amerikanë. Njëherazi, zotimi kryesor i Donald Trump për "America First" gjatë fushatës dërgoi një mesazh të qartë për të gjithë partnerët e Amerikës dhe sinjalizoi një epokë të re në politikën e jashtme të SHBA, një epokë në të cilën interesi kombëtar do të mbizotëronte mbi konsideratat e tjera globale.

Rendi gjeopolitik pësoi ndryshime që në vitin e parë të Trump në presidencë, kur më 9 maj 2017 u tërhoq nga marrëveshja bërthamore iraniane, duke lënë të kuptohet se parimet dhe paqja nuk kishin vend në politikën e tij të jashtme. Veprimet e vazhdueshme të Trump në raport me institucionet ndërkombëtare tregojnë se ky i fundit kishte njëfarë përbuzje kundrejt tyre dhe multielitarizmit.

Për të mos përmendur faktin se Uashingtoni dhe Brukseli nuk ranë dakord as për mënyrën e kontrollit dhe trajtimit të pandemisë Covid-19. Duke mos harruar gjithashtu se Trump mbylli kufinjtë me Europën pa pasur një diskutim paraprak me BE-në.

Shumë nga liderët europianë e kanë vlerësuar politikbërjen e Trump si një hap mbrapa të SHBA-ve në arenën ndërkombëtare, duke zbehur fuqinë e saj. Për Susi Dennison, Drejtore e programit “Fuqia Europiane” në Këshillin Europian për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), një fitore e Biden do të përkthehej si një partner i Europës në Shtëpinë e Bardhë që ka vullnet dhe dëshirë të rivendosë udhëheqjen e SHBA-së në skenën ndërkombëtare. “Por kjo nuk e lë Europën të humbë shpresat. Mbi të gjitha, përgjegjësitë e para të Biden do të jenë ndaj krizës së brendshme që ai po trashëgon nga Trump”, shprehet Dennison (Susi Dennison, 2020).

Në nëntor të vitit 2019 Shtetet e Bashkuara njoftuan zyrtarisht se po tërhiqeshin nga marrëveshja e klimës në Paris, duke e bërë ekonominë më të madhe në botë të vetmen që del nga marrëveshja. Vendime të tilla, një ndër të cilat është edhe ‘përqafimi’ i Trump me liderin e Koresë së Veriut apo admirimi ndaj liderit autoritar të Rusisë, Putin, bënë që rrjedhimisht të kishte një zbehje në marrëdhënien transatlantike. Por ndoshta ajo që i dha shkëputjen e dukshme BE-së me SHBA-në ishte pandemia Covid-19, më saktë plani për trajtimin e saj.

Uashingtoni zyrtar u shpreh se nuk do të lejonte shitjen e vaksinës anti-Covid-19 jashtë vendit para se të plotësohen nevojat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje Trump gjatë pandemisë i shpalli “luftë” edhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë duke e cilësuar si fajtore për keqmenaxhim të pandemisë së koronavirusit kur u shfaq në Kinë. Ndërkohë pas kësaj deklarate të Shtëpisë së Bardhë, Komisioni Europian përjashtoi përdorimin e vaksinave të prodhuara ekskluzivisht në Shtetet e Bashkuara.

Më 18-maj të këtij viti Trump i dërgoi letër drejtorit të OBSH, ku shprehej se SHBA do të tërhiqej nga financimi i OBSH-së dhe se këto fonde tashmë do të drejtohen diku tjetër (Donald Trump, 2020). Sakaq sot më pak se një muaj nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, ku mes polemikave dhe pretendimeve nga Trump, Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo ka ngrohur jo pak liderët europianë që besojnë tek marrëdhënia teansatlantike (The Economist, 2020).

Pas zgjedhjeve në SHBA dhe fitores së Biden, tani Bashkimi Europian ka ndryshuar qasje sa i takon vendimit për të mos marrë vaksina anti-Covid19 të prodhuara në SHBA, ku në një artikull të fundit nga Reuters bëhet me dije se BE ka rënë dakord të paguajë mbi 10 mln dollarë për vaksinat që Pfizer-BioNTech dhe CureVac po zhvillojnë kundër Covid-19 (Reuters, 2020).

Arsyeja që u ndalëm më shumë tek pandemia është se kjo e fundit ka ndryshuar rrënjësisht zinxhirët e ekonomisë globale në një mënyrë të sinkronizuar, ku shumë fusha të ekonomisë përfshirë edhe shtyllat e saj janë lëkundur. Mirëpo, kur ceket ekonomia nënkuptohet që politika është aty, por kjo nuk do të thotë që është fundi i globalizmit, pandemia mund ta riformojë atë siç sugjeron The Economist. Pandemia nuk ka përfunduar ende dhe mbetet një sfidë për BE-në, SHBA-në dhe mbarë botën, ashtu sikurse sfidat e brendshme me të cilat BE duhet të përballet në afatshkurtër.

Klodi Hoxha, dhjetor 2020

*Klodi Hoxha është diplomuar në Shkenca Politike, Universiteti i Tiranës. Ndërkohë vijon studimet MA në Gazetari dhe Komunikim. Prej më shumë se gjashtë vitesh ajo është angazhuar me publikime artikujsh. Hoxha ushtron profesionin e gazetares në web online, ku është autore e shumë artikujve që trajtojnë tema të ndryshme. Gazetaria dhe politika janë dy fushat më me interes për të.

 

Bibliografi:

https://www.europarl.europa.eu/unitedstates/en/eu-us-relations

“A ka nevojë SHBA për një politikë të jashtme”, Henry Kissinger.

President John F. Kenedi, fjalimi në Paulskirche, Frankfurt, Gjermani, Qershor, 24, 1963: https://youtu.be/Oyf-kPzrLO0?list=PLxn9HknBc16mn54vYpE58c0e_RVODG0lq

https://obamawhitehouse.archives.gov/the-press-office/2016/04/25/remarks-president-obama-address-people-europe

http://www.eeas.europa.eu/archives/docs/us/docs/infopack_06_en.pdf

https://www.bbc.com/news/av/world-us-canada-38698654

https://www.euractiv.com/section/politics/news/eu-troublemakers-back-trump-over-biden-in-us-election/

https://www.bbc.com/news/world-us-canada-52294623

https://www.economist.com/leaders/2020/11/21/acepting-a-disappointing-election-result-is-a-key-part-of-democracy

https://www.reuters.com/article/us-health-coronavirus-eu-pfizer-exclusiv/exclusive-eu-could-pay-over-10-billion-for-pfizer-and-curevac-vaçines-source-idUSKBN2800IC

https://www.economist.com/special-report/2020/10/08/changing-places

 

  Kërko

  Axhenda

Janar 2021

18-21 Janar - Eurodeputetët do të debatojnë dhe votojnë për disa çështje gjatë këtyre seancave të para plenare të vitit. Do të votohet ndër të tjera për Instrumentet e Mbështetjes Teknike, forcimin e tregut të vetëm, lëvizja e lirë e shërbimeve, Zbatimi i Politikës së Përbashkët të Sigurisë së Jashtme dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, etj.

********************

19 Janar - Takim i Ministrave të Ekonomisë dhe Financës ku Presidenca portugeze do të paraqesë në seancën publike programin e saj të punës për çështjet ekonomike dhe financiare.

-Komisioni pritet të miratojë Strategjinë për Forcimin e Sovranitetit Ekonomik dhe Financiar të Europës.

********************

21 Janar - Lëvizja Europiane Ndërkombëtare do të mbajë edicionin e pestë të EuropeanChats, ku do të mbledhë aktivistë dhe palë të interesuara për të diskutuar me qytetarë europianë çështje të ndryshme që lidhen me krizën e Covid-19.

- Samiti i Këshillit Europian ku udhëheqësit e BE do të diskutojnë për koordinimin dhe përgjigjen ndaj pandemisë Covid-19 duke përfshirë shpërndarjen në shkallë të gjerë të vaksinave dhe vendosjen e të gjithë instrumenteve për kufizimin e përhapjes së tij.

********************

  FJALOR

wordoftheday

Seksion dedikuar shpjegimit të termave të BE-së.

  Na ndiqni ne:

facebook gplus twitter youtube1